Ndërlidhjet

PROVIMI I PRANIMIT PËR NË DEPARTAMENTIN E SHKENCAVE POLITIKE NË UP SHPALLET I PAVLEFSHËM


Bekim Bislimi, Prishtinë

Rezultatet e provimit të pranimit për 600 kandidatët, të cilët konkurruan në departamentin e Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, janë anulluar, për shkak të një gabimi teknik, i cili ka ndodhur gjatë kontrollimit të testeve dhe provimin e pranimit do t'a përsërisin të gjithë kandidatët, kanë thënë sot zyrtarët e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Sipas tyre, gabimi teknik ishte shkaktuar nga shefi i Departamentit të Shkencave Politike, Bernard Zeneli, i cili sot përmes një komunikate për shtyp ka kërkuar falje publike për gabimin e që ka bërë.
“Gabimi, sigurisht që është krejtësisht i imi dhe kishte të bënte me mënyrën se si janë korrigjuar testet. Shablloni apo çelësi i njërit tip të testit është përdorur për të kontrolluar tipin tjetër dhe
anasjelltas dhe kjo ka sjellë si rezultat një shkapërderdhje komplete të pikëve ose rezultatit, duke i quajtur në këtë formë si përgjigje të sakta ato që kanë qenë të pasakta dhe duke krijuar një lloj pavërtetësie për sa i takon dijes së kandidatëve për studentë në këtë test”, tha zoti Zeneli.
Ndërkaq, prorektori për çështje mësimore, Arsim Bajrami thekson se rektorati i Universitetit të Prishtinës ka shqyrtuar rastin dhe ka ardhur në këtë përfundim:
“Mendoj se, me të vërtetë është fjala për një gabim teknik, i cili është bërë plotësisht pa dashje. Si pasojë e një dëshire të madhe për të krijuar rregullësi absolute, atij i është përvjedhur një gabim
teknik dhe që ka implikuar domosdoshmërinë e anullimit të provimit dhe përsëritjen e tij”, tha prorektori Bajrami.
Gabimi teknik, ishte pasojë e lodhjes, stresit, pagjumësisë, por edhe i ngutjes që rezultatet të shpallen në kohën e paraparë, ka thënë zoti Zeneli, por sipas tij, ka qenë fat i mirë që gabimin e ka
zbuluar ai vetë.
“E kam njoftuar menjëherë dekanin dhe së bashku me njoftimin i kam propozuar që të merren masat, qoftë edhe deri me shkarkimin tim nga puna, për këtë çështje”, tha zoti Zeneli.
Ndërkaq, prorektori Bajrami ka theksuar se me gjithë kërkesën e zotit Zeneli për të ndërmarrë masa përkatëse ndaj tij, kjo nuk do të ndodhë.
“Duke qenë se e kemi konstatuar plotësisht karakterin teknik të këtij gabimi dhe faktin se nuk ka pasur qëllim apo dashje për këtë, ne e kemi mirëkuptuar zotin Bernard dhe ai përsëri do të marrë përsipër edhe afatin e dytë të provimeve. Zoti Bernard ka kërkuar falje publike përmes mediave për këtë shqetësim që u ka bërë kandidatëve, të cilëve u janë publikuar emrat, ndërkaq ne i ftojmë ata për mirëkuptim dhe që të kuptohet se aty ku punohet, siç është tipik rasti i zotit Bernard, aty edhe gabohet. Natyrisht, të gjithë
do t’i vëmë në kushte të barabarta dhe të gjithë do t’i nënshtrohen edhe një herë provimit”, tha zoti Bajrami.
Sidoqoftë, drejtuesit e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës kanë njoftuar se provimi i pranimit për Departamentin e Shkencave Politike do të mbahet më 5 shtator.




XS
SM
MD
LG