Ndërlidhjet

PARLAMENTI I MAQEDONISË DISKUTON LIGJIN PËR ARSIMIN E LARTË


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Blloku politik shqiptar ka mendim diametralisht të kundërt sa i përket ligjit për arsimin e lartë, veçanërisht në dimensionin sa ky ligj hap shteg për legalizimin e Universitetit të Tetovës.
" Ky ligj për ne është tejet i rëndësishëm, për arsye se me ndryshimet që bëhen, veçanërisht në nenin 25, implementohen dy dimensione të Marrëveshjes së Ohrit. Implementohet dimensioni i financimit të shkollimit shtetëror universitar të bashkësive që përbëjnë mbi 20 % dhe në të njëjtën kohë mundësohet përdorimi i gjuhës shqipe edhe në institucionet universitare shtetërore," vlerëson Teuta Arifi, deputete e BDI-së, parti pjesëmarrëse në qeverinë e Maqedonisë, duke theksuar se me këtë krijohet një bazë e mirë për institucionalizimin e Universitetit të Tetovës.
" Ne si Bashkimi Demokratik për Integrim, sjellim një ndryshim cilësor të ligjit për arsimin e lartë dhe në të njëjtën kohë krijojmë një bazë të fuqishme, të qartë dhe për legalizimin dhe regjistrimin e Universitetit të Tetovës", thotë zonja Arifi.
Nga ana tjetër deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Mendu Thaçi mendon se pikërisht ligji në fjalë lejon manovrim nga ana e strukturës qeveritare për mos institucionalizimin e Universitetit të Tetovës.
" Më befason vullneti romantik dhe folklorik i partisë në pushtet për t'a zgjidhur problemin e universitetit, por thjesht nuk më duket aspak serioze, për shkak se në asnjë dimension të problemit nuk flitet me seriozitet. Si në aspektin ekonomik ashtu dhe në atë të standarteve të universitetit e kështu me rradhë," thotë deputeti i PDSH-së Mendu Thaçi. Nga ana tjetër deputeti i Partisë së Prosperitetit Demokratik, Abdyl Hadi Veseli, vlerëson se për të qenë më e suksesshme rruga e institucionalizimit të Universitetit të Tetovës, paraprakisht duhet të krijohet një qasje e përbashkët e bllokut politik shqiptar.
" Ne në rradhë të parë duhet të merremi vesh si parti politike shqiptare dhe pastaj me kombin politik maqedonas për të patur një bazë kushtetuese pak më të fuqishme për sjelljen dhe miratimin apo për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit aktual për arsimin e lartë, për shkak se mund të ndodhë që në të ardhmen ligji mund të abrogohet nga institucionet gjyqësore si gjykata kushtetuese e kështu me rradhë," thotë deputeti Veseli, duke nënvizuar më pas edhe vërrejtjet, siç u shpreh ai, për mosegzistimin e një qasjeje serioze të formës praktike të legalizimit të UT-së.
" Nuk kemi asnjë të dhënë apo nuk është biseduar në asnjë vend në mënyrë më të hapur se si do të bëhet themelimi i Universitetit të Tetovës, me cilat fakultete, me ato që funksionojnë dhe egzistojnë kësaj dite, apo do të bëhen ndryshime, të cilat nuk do të korrespondojnë me realitetin që është në Universitetin e Tetovës"- thotë Abdyl Hadi Veseli.
Nga ana tjetër deputetja e BDI-së Teuta Arifi hedh poshtë vërrejtjet e dy partive shqiptare në opozitë, duke nënvizuar se pikërisht sjellja e ligjit për arsimin e lartë krijon mundësi për zgjidhjen e problemeve të hapura të shqiptarëve lidhur me arsimin e lartë.
"Këto vërrejtje nuk kanë bazë për arsye se ky ligj në fakt i vendos kornizat dhe në të njëjtën kohë me këtë ligj në fakt nuk rregullohet numri apo sasia e fakulteteve, përkundrazi, me këtë ligj rregullohet korniza për rregjistrimin, ndërkohë që pjesa tjetër është një dimension tjetër i punës", thotë zonja Arifi.

XS
SM
MD
LG