Ndërlidhjet

SHEFAT E ZYRAVE DIPLOMATIKE NË PRISHTINË KËRKOJNË PËRCAKTIMIN E DINAMIKËS PËR STANDARDET


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përcaktimi i dinamikës për përmbushjen e tetë standardeve dhe fillimi i bisedimeve të drejtpërdrejta me Beogradin për çështje teknike, është thirrja e përbashkët që shefat e pesë misioneve diplomatike perëndimore, zyrës amerikane, asaj britanike, italiane, gjermane dhe franceze u kanë bërë institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut, pas një takimi të përbashkët që kanë pasur në zyrën amerikane në Prishtinë.
Tetë standardet nuk kanë qenë standardet të UNMIK-ut, por artikulim i qëllimeve të bashkësisë ndërkombëtare për popullin e Kosovës, tha zoti Harnish.
“Të gjithë ne pajtohemi se standardet duhen bërë përmes një plani operacional, në mënyrë që populli i Kosovës dhe qeveria të fillojnë përmbushjen e tyre efektivisht dhe brenda një kohe të shkurtër”, tha shefi i derisotëm i zyrës amerikane në Prishtinë, Reno Harnish, i përkrahur në këtë çështje edhe nga kolegët e tij nga zyrat e tjera diplomatike të pesëshes. Shefi i zyrës italiane, si kryesuese e radhës së BE-së, Pasquale Salzano, tha se operacionalizimi i standardeve do të thotë, në fakt, përkthim i formulës në aksion konkret dhe lavdëroi qeverinë e Kosovës për vënien e këtij opcioni në udhë të mbarë.
Mark Dikinson, shefi i zyrës britanike tha se në Kosovë është bërë një përparim i konsiderueshëm në drejtim të përmbushjes së standardeve, sidomos me letrën e liderëve shqiptarë drejtuar të zhvendosurve, me përmirësimin e sigurisë dhe vënien e rendit dhe ligjit, por edhe me gatishmërinë e liderëve për t’u takuar me Beogradin.
"Është vështirë të imagjinohet adresimi i kënaqshëm për të gjithë i statusit të Kosovës, para se të arrihen këto standarde”, tha zoti Dickinson, duke shpresuar se përparimi i deritanishëm do të vazhdohet dhe zgjerohet, në mënyrë që populli i Kosovës të shohë rezultatet praktike.
Ndërkohë, lidhur me rrugën e Kosovës drejt statusit, shefi i zyrës gjermane Peter Rondorf tha se qëndrimi i vendeve te BE-së është i njëjtë me atë të SHBA-së, se për përmbushjen e standardeve është me rëndësi dinamika e përmbushjes së tyre, ndërkohë që, tha ai e ardhmja e Kosovës tani është shumë më e qartë sesa përpara: “Ky do të jetë një proces dinamik dhe dua ta citoj ish-kryeadministratorin Steiner se një vit për statusin është kohë e shkurtër, por periudha prej pesë vjetësh është tepër e gjatë, tha Rondorf, duke e parë zgjidhjen për statusin brenda pesë vjetësh.
Sidoqoftë, shefat e zyrave diplomatike të pesëshes nuk u përgjigjën se kush do të vlerësojë nëse janë përmbushur standardet apo jo dhe në ç’masë janë përmbushur ato. Zoti Harnish tha se kryeqytetet e pesëshes do të vendosin se kujt do t’i mbetet vendimi për të vlerësuar përmbushjen e këtyre standardeve dhe nëse kjo do të jetë pesëshja apo Grupi i Kontaktit, por e rëndësishmja do të jetë përmbushja e arsyeshme e standardeve për të demantuar ata që thonë se këto standarde nuk do të përmbushen asnjëherë.
Shefi i zyrës gjermane Rondorf ndërkohë tha se as Kosova dhe asnjë vend tjetër nuk mund të shpresojë për t’iu bashkuar BE-së, nëse ende ka probleme me pakicat në vendin e tij dhe nëse nuk përmbush kriteret që kërkon BE-ja.
Ndërkohë, shefi i zyrës italiane Pasquale Slazano e ka hedhur poshtë si politikisht të paqëndrueshme idenë e gjeneralit Fabio Mini për një ushtri ballkanike që do të zëvendësonte NATO-n në Kosovë. “Besoj se ka pasur një përgjigje ndaj kësaj çështje, pasi kjo ishte një ide personale e tij dhe politikisht kjo idee nuk është miratuar”, tha zoti Salzano.
Shefat e zyrave të quintit apo pesëshes thanë se institucionet e Kosovës nuk duhet ta presin fundin e verës, por gjatë verës duhet të përgatiten për bisedimet me Beogradin për çështje praktike.

XS
SM
MD
LG