Ndërlidhjet

ROBERTSON: NATO DO TA NDIHMOJË SHQIPËRINË NË AMBICJEN PËR T'U INTEGRUAR NË STRUKTURAT E SAJ


Alma Çupi, Tiranë

NATO do ta ndihmojë Shqipërinë në ambicjen për t'u integruar në strukturat e saj, ka bërë të ditur sot në Tiranë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Fatos Nano, ku tha se Shqipëria ka bërë përparim, por ende mbetet punë për të bërë.
“ Ne sot vumë në dukje përparimin e bërë, por gjithashtu vihet re se ende ka punë për t'u bërë. Anëtarësimi në NATO nuk është një dhuratë, anëtarësimi në NATO nuk është një privilegj, por është një detyrë e rëndë, një barrë e rëndë, që mban në vetvete edhe
shumë privilegje. Për të hyrë në NATO nuk ka një derë të pasme, përveç derës që ekziston për të gjithë, nga e cila mund të futesh duke bërë një punë të madhe. Vendet që duhet të futen në NATO duhet të kontribuojnë për sigurinë dhe jo vetëm të përfitojnë prej saj", tha Lordi Robertson.
Ndërsa kryeministri Fatos Nano, tha se përsa i përket detyrave që duhet të plotësojë Shqipëria për t'u anëtarësuar në NATO dhe BE, deri më tani plotësimi i tyre është në rrugë të mbarë.
"Ne po i përgjigjemi krimit të organizuar me drejtësi të organizuar. Aksionet tona ligjore në këtë fazë janë përqëndruar në goditjen e trafiqeve të paligjshme të drogës dhe të prostitucionit. Ne mbetemi të bindur se paqja dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor përbën një kusht për integrimin dhe është i lidhur me kontribute reale të çdo vendi përfshirë dhe Shqipërinë," tha kryeministri Nano.
Lordi George Robertson vlerësoi Shqipërinë për zemërgjërësinë e saj, duke kujtuar vizitat e mëparshme.
"Unë e kam njohur Shqipërinë që në vitin 1997, kur u bëra Ministri i Mbrojtjes së Britanisë. Kur mora edhe detyrën, që kam deri më tani si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, e njoha edhe më shumë Shqipërinë. Unë jam një mik dhe admirues i Shqipërisë, i njerëzve të saj me zemër të gjërë. Në përpjekjet që ne bëmë në 1999, për t’i dhënë fund genocidit të ndjekur nga Milloshevici, nuk do ta harroj asnjëherë atë që bëri Shqipëria, populli dhe qeveria e saj, për të ndihmuar NATO-n në këto përpjekje. Dhe një nga gjërat që ma shtoi akoma vendosmërinë për të fituar këtë konflikt, ishte vizita që bëra në Kukës, në maj të 1999, në një kamp refugjatësh. Mesazhi që dua të jap sot duke përfshirë edhe parlamentarët, të cilët i takova para se të vija këtu është mjaft i qartë. Mesazhi është ky: që e ardhmja e këtij vendi bëhet nga duart e këtij populli, varet nga angazhimet politike qoftë të atyre që janë në pushtet apo atyre që janë në opozitë", tha Lordi Robertson.
Në takimet e sotme me Tiranën zyrtare ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut, pyetën për reformat në ushtri, për ligjet që janë miratuar apo do të miratohen për të luftuar ekonominë informale,
gjithashtu është folur edhe për zgjedhjet lokale të tetorit, të cilat do të kenë interes në komunitetin ndërkombëtar. Interesi në këto bisedime ishte edhe për luftën që ka bërë Shqipëria ndaj trafiqeve të paligjshme, për të cilat, përgjigjet sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Robertson ishin të kënaqshme.



XS
SM
MD
LG