Ndërlidhjet

ËSHTË KOHA PËR TË MIRËPRITUR KTHIMIN E SHQIPËRISË NË KLUBIN PERËNDIMOR


WALL STREET JOURNAL

Në fillim të këtij viti disa vende të Evropës Lindore si Polonia, Rumania dhe Lituania, qëndruan përkrah Shteteve të Bashkuara në luftën e tyre në Irak. Të paktën dhjetë vende të këtij rajoni ishin pjesë e koalicionit të gadishmërisë, " Evropa e Re" e Sekretarit të Mbrojtjes Donald Ramsfeld. Por, një nga këto vende, Shqipëria, dallohet nga të gjitha të tjerat, për shkak të së kaluarës gjysmë shekullore nën tiraninë komuniste.
Me një shumicë muslimane, rrjedhojë e katër shekujve të pushtimit otoman, Shqipëria ka qenë vendi i fundit, nga i cili pritej që t'i bashkohet forcave pro-amerikane kundër Sadam Huseinit. Por, Shqipëria ofroi bazat e saj për ushtrinë amerikane, ndërsa një kontigjent i ushtrisë shqiptare, po shërben aktualisht në Irak, si shenjë e mbështetjes së gjithanshme të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara. Ndoshta është shteti evropiano-lindor, i cili ka bërë udhëtimin më të gjatë që të bëhet përkrahës i Shteteve të Bashkuara. Në këtë kuptim, ne nga perëndimi u kemi borxh shqiptarëve. Mbase edhe më shumë, pasi përkrah disa shteteve të tjera ballkanike dhe evropiano-lindore, Shqipëria po e paguan çmimin për qëndrimin që po mban. Franca dhe Bashkimi Evropian e dënuan Shqipërinë për shkak të dhënies përparësi lidhjeve të saj me Shtetet e Bashkuara, e jo me Bashkimin Evropian, sa i përket mbështetjes të SHBA-ve kundër Sadam Huseinit si dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Trupi Ekzekutiv i BE-së e kritikoi Shqipërinë lidhur me marrëveshjen e saj me Shtetet e Bashkuara për mosekstradimin e qytetarëve amerikanë në këtë gjykatë.
Shqiptarët, pasardhës të ilirëve, folës të shqipes, gjuhë që përbën një kategori më vete dhe dallohet nga gjuhët e tjera evropiane, e quajnë veten bij të shqipeve dhe janë popull krenar që ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë e tij gjatë gjithë historisë. Pavarësinë e tyre e fituan më 1912 ndërsa më 1920 Shqipëria u bë anëtare plotësisht e pavarur e Ligës së Kombeve.
Pas luftës së dytë botërore, diktatori stalinist Enver Hoxha, e sundoi Shqipërinë me një dorë të hekurt deri në vdekjen e tij më 1985, periudhë gjatë të cilës Shqipëria u dalluar për lidhjet e saj me Bashkimin Sovjetik, pastaj me Kinën dhe në fund me izolimin e saj nga bota. Kur Shqipëria u çlirua më në fund nga kontrolli komunist, ishte vendi që pati rrugën më të gjatë për t'u transformuar në një vend me sistem pluralist demokratik dhe me ekonomi tregu. Në dekadën e saj të lirisë, Shqipëria është përballur me skemat piramidale, krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin. Politikisht pushteti ka alternuar mes Partisë Socialiste ( ish-komunistët) dhe Partisë Demokratike, lideri i së cilës, Sali Berisha, presidenti i parë jokomunist i rizgjedhur më 1996, u detyrua të largohet nga posti për shkak të protestave publike si rezultat i falimentimit të firmave piramidale. Rebelimi i armatosur dhe anarkia çuan në vendosjen e trupave shumëkombëshe për rivendosjen e rendit dhe në rikthimin në pushtet të Partia Socialiste në mes të 1997, e cila vazhdon ta qeverisë vendin dhe sot.
Pavarësisht nga të gjitha këto pengesa, janë bërë hapa përpara drejt krijimit të një sistemi politik multipartiak, lirisë së fjalës, lirisë së besimit, shtetit ligjor dhe rendit. Këto përparime u përmendën edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut dhe trafikun e njerëzve. Përparime të ngjashme ka patur edhe në luftën kundër korrupsionit dhe grodës. Megjithatë rruga drejt një stabiliteti ekonomik dhe praktikave të tregtisë së lirë, nuk do të jetë e lehtë për shkak të reminishencave të ekonomisë së centralizuar të viteve të komunizmit dhe hezitimit të perëndimit për investime në vend.

Përkundër përparimit që ka bërë Shqipëria, ende mbetet e varfër dhe ka nevojë për investime nga bota. Ashtu si në vendet tjera të Evropës Lindore, shumica e të rinjve shikojnë të punësohen apo të arsimohen jashtë shtetit, ndërsa qeveria shqiptare kërkon lidhje më të ngushta me Perëndimin për të përmirësuar gjendjen ekonomike në vend.
Meritat u takojnë të gjithë atyre që dalluan se e ardhmja e Shqipërisë është tek Shstetet e Bashkuara dhe Perëndimi. Entuziazmi i zyrtarëve shqiptarë për aleancë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n pasqyron popullaritetin që Perëndimi në përgjithësi, dhe Amerika në veçanti e gëzojnë në këtë vend. Në një farë mase kjo buron nga Amerika si simbol i lirisë dhe demokracisë gjatë dekadave të sundimit komunist. Dhe së fundi angazhimi amerikan në Kosovë, fitoi admirimin dhe përkrahjen e shqiptarëve.
Kryeministri Fatos Nano, në letrën e tij të 13 shkurtit drejtuar Wall Street Journal Europe, i bëri nderime sakrificave të Amerikës për liri dhe demokraci në Evropë kundër komunizmit, duke thënë se ndërsa disa popuj e vende mund të harrojnë, " Ne shqiptarët nuk e harrojmë koalicionin e udhëhequr nga SHBA për t'i dhënë fund tiranisë së Millosheviçit. Dhe kjo është arsyeja pse ne i mbështetim Shtetet e Bashkuara në luftën për të çliruar popullin e Irakut nga Sadam Huseini". Ndërsa më 20 Mars, Radio Evropa e Lirë, kishte raportuar nga Tirana, deklaratën e Fatos Nanos në të cilën lavdëronte Shtetet e Bashkuara si "vendi i vetëm në botë që eksporton lirinë..... që ka ndihmuar për të rrëzuar murin e Berlinit dhe procesin e lirisë në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Jemi krenarë që qëndrojmë përkrah lirisë".
Administrata e Bushit kohët e fundit tregoi se i njeh kontributet e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe mbështetjen e koalicionit të gadishmërisë. Sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauell, vizitoi Tiranën më 2 maj për të nënshkruar Kartën e Adriatikut dhe partneritetin me Kroacinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Sekretari i Mbrojtjes Donald Ramsfeld e vizitoi Shqipërinë më 10 qershor, duke i shprehur mirënjohjen Ministrit shqiptar të Mbrojtjes Pandeli Majkos, për nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale me Shtetet e Bashkuara për mosdorëzimin e qytetarëve amerikanë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Megjithëse Shqipëria e identifikon veten me vlerat e Shteteve të Bashkuara, ajo e konsideron veten mbi të gjitha pjesë të Evropës dhe partnerë të saj më të mëdhenj janë vendet fqinje Italia dhe Greqia. Përkundër kësaj, Shqipëria nuk është zgjedhur për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjë që mbetet synimi i saj kryesor. Tani mund të jetë koha për Evropën, që t'ia shtrijë dorën dhe ta mirëpresë kthimin e Shqipërisë në klubin perëndimor.
XS
SM
MD
LG