Ndërlidhjet

A.POLLOZHANI: " ZYRTARIZIMI I UT-SË BRENDA 2004"


Aziz Pollozhani, Ministër i Arsimit në Qeverinë e Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollozhani, në ç'dimension përfitojnë qytetarët shqiptarë në Maqedoni me miratimin e ligjit për arsimin e lartë nga ana e parlamentit republikan?

AZIZ POLLOZHANI
Deri tani shqiparët nuk kanë mundur të zgjedhin arsimin e lartë dhe në përgjithësi nuk kanë mundur të themelojnë institucione shtetërore, për shkak të pengesës në ligj për përdorimin e gjuhës shqipe në këtë nivel të arsimit. Në ligjin e sotëm, kjo pengesë u evitua. Kështu arsimi shprehet në tërë dimensionin e vet si vlerë universale dhe krijohet mundësi që shqiptarët në arsimin e lartë të përdorin gjuhën shqipe; pra që shqipja të jetë gjuhë në të cilën faktikisht mbahet mësimi njëlloj si gjuha maqedone. Kjo është gjithsesi një e arritur, e cila faktikisht ka qenë synim dhe obligimi ynë për t'a realizuar në këtë mandat të fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ministër sa me miratimin e këtij ligji hapet shteg për legalizimin e Universitetit të Tetovës, i cili prej 8 vitesh nuk njihet nga autoritetet shtetërore?

AZIZ POLLOZHANI
Gjuha ka qenë shkaku kryesor për mosnjohjen e këtij Universiteti. Me ligjin e sotëm kjo pengesë evitohet dhe mundësia për legalizimin e Universitetit të Tetovës mbi bazën e normave, standardeve, të cilat në të njëjtin ligj janë paraparë, është e hapur.

RADIO EVROPA E LIRË
Mundemi të mësojmë prej jush se cilat do jenë hapat e ardhshëm konkretë në drejtim të përshpejtimit të procesit për legalizimin e UT-së?

AZIZ POLLOZHANI
Mendoj se hapat e parë do jenë analiza e strukturës egzistuese universitare në Universitetin e Tetovës dhe në këtë dritë analiza e kushteve egzistuese, në përputhje me ligjin, për sa i përket statusit universitar, kurrikulumeve egzistuese dhe përshtatjes së këtyre kurrikulumeve dhe programeve studimore me normat që i parasheh ligji.Mendoj se nuk është një punë e lehtë rutinore dhe e përtueshme, kur se ky ka qenë synimi i përhershëm i shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra zoti Ministër, me këtë dinamikë për të cilën ju flisni, mund të shpresohet se në vitin 2004, Universiteti i Tetovës do të hyjë si institucion i lartë arsimor i institucionalizuar në Maqedoni ?

AZIZ POLLOZHANI
Në qoftë se të gjithë segmentet të cilat janë normalisht të përfshira në ndërtimin e një institucioni të lartë siç janë studentët, Ministria e Arsimit, por edhe shoqëria civile, reagojnë në mënyrë pozitive dhe racionale në këtë fushë, një gjë e tillë jo vetëm që është e mundur, por mund të jetë dhe e garantuar.

Intervistoi Zërijeta Hajro Jahjaga



Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG