Ndërlidhjet

KFOR-I DËNON SHPËRTHIMET E FUNDIT NË PRISHTINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Forca paqëruajtëse e NATO-s në Kosovë ka dënuar sulmet e fundit me mjete shpërthyese në Prishtinë, duke i quajtur autorët e këtyre veprave si njerëz që jetojnë në të kaluarën dhe dëmtojnë të ardhmen e Kosovës. Zëdhënësi i KFOR-it, majori Gary Bannister Green tha se secili sulm kundër instrumenteve të rendit e ligjit dhe të drejtësisë, është njëkohësisht sulm kundër KFOR-it dhe bashkësisë ndërkombëtare: “Kosova ka bërë rrugë të gjatë në katër vjetët e fundit, por megjithatë janë disa elemente në shoqëri që nuk e duan progresin, demokracinë dhe drejtësinë. Ata jetojnë në të kaluarën dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe të ardhmen e saj”, tha zëdhënësi Gary Bannister Green, duke ritheksuar përkushtimin e KFOR-it për mënjanimin e këtyre elementeve dhe duke e ftuar popullin e Kosovës që të ngrihet kundër tyre, ose të sundohet nga ta.
Duke iu bashkuar vlerësimeve të KFOR-it, zëdhënësi i policisë Derek Chappell tha: “Njerëzit që janë përgjegjës për dhunën që nga dita e enjte, më lejoni të jem i qartë duke thënë, se ata nuk janë asgjë tjetër pos banda që përpiqen të keqtrajtojnë një sistem të drejtë dhe të hapur të drejtësisë," tha zëdhënësi Chappell duke ritheksuar se sulmet e ditëve të fundit mund të kenë lidhje me aktvendimin për dënimin e “Grupit të Llapit”, edhe pse askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto sulme. Që nga 17 korriku kanë ndodhur së paku tre sulme me bomba dhe 15 incidente të tjera kundër pronës së policisë dhe gjykatave, kanë thënë zyrtarët e policisë.
Mirëpo, pavarësisht nga këto incidente, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në fushën e sigurisë, tha zëdhënësi Chappell, duke bërë publike një statistikë të krimeve që kanë ndodhur në Kosovë në pjesën e parë të këtij viti, krahasuar me dy vitet e shkuara. Për të ilustruar faktin se niveli i krimeve në Kosovë është i njëjtë me vendet e Evropës Perëndimore, policia ka lëshuar një pasqyrë krahasuese të krimeve që gjatë vitit 2002 kanë ndodhur në Kosovë dhe në kryeqytetin e Suedisë Stockholm, që ka numër përafërsisht të njëjtë banoërsh me Kosovën.
Sipas statistikave del se Stockholmi ka pasur një vrasje më shumë, dyfish më shumë tentim-vrasjesh , pesëfish më shumë rrëmbime, dhjetëfish më shumë plaçkitje dhe disafish më shumë dhunime. Siç shihet nga krahasimi, krimi ordiner në Kosovë është stabilizuar dhe ka rënë në nivelin e qyteteve të Evropës Perëndimore: “Kjo është një arritje e konsiderueshme, jo vetëm nga policia, por edhe nga populli i Kosovës dhe kjo nuk duhet nënçmuar, pasi është dëshmi se populli i Kosovës dëshiron një shoqëri të mbështetur në sundimin e ligjit”, tha zëdhënësi Derek Chapell, duke shprehur bindjen se policia do të arrijë të kapë keqbërësit që kanë shqetësuar Kosovën ditët e fundit, pasi kjo, sipas tij është edhe kërkesë e përgjithshme e njerëzve në Kosovë, të cilët këto sulme i shohin si rrezikim i të ardhmes së Kosovës.






XS
SM
MD
LG