Ndërlidhjet

ERMELINDA MEKSI DHE MARKO BELLO, KANDIDATURA ZYRTARE TË PS-SË


Alma Çupi, Tiranë

Kryesia e Partisë Socialiste i dha sot mandatin kryeministrit Fatos Nano për të caktuar Ermelinda Meksin si zëvendës- kryeministre dhe Ministre e shtetit për Integrimin dhe Marko Bellon si Ministër i
Jashtëm. Kandidaturat e reja diskutohen për të plotësuar vendet bosh në qeveri, të krijuara nga dorëheqja e zëvendës-kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Ilir Meta, dhe Ministrit të shtetit për
Integrimin Sokol Nako.
Të dy kandidaturat reja të propozuara nga kryeministri do të diskutohen nga grupi parlamentar i partisë në pushtet . Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj
partie Gramoz Ruçi, deklaroi për shtyp emrat që do të diskutohen.
" Kryesia e Partisë miratoi dhe i dha mandatin kryetarit të partisë dhe kryeministrit, t'i kërkojë mandat politik grupit parlamentar që zëvendës-kryeministre dhe Ministre e shtetit për Integrimin është shoqja Ermelinda Meksi, kurse Ministër i Jashtëm të jetë shoku Marko Bello", tha Gramoz Ruçi.
Ndërsa në lidhje me reagimet e opozitës, e cila i ka kërkuar presidentit krijimin e një qeveri teknike, Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Ruçi tha nuk se do të ketë krizë institucionale.
"Fatkeqësisht çdo shpresë e opozitës shqiptare për të krijuar një krizë institucionale në Shqipëri egziston negativisht", tha sekretari Ruçi.
Përsa i përket letrës së dorëheqjes që Ilir Meta i paraqiti kryesisë së Partisë Sociliste, sekretari Ruçi tha se kryesia e kësaj partie nuk mund të analizojë mendimet e Ilir Metës, sepse sipas tij, ai
është i pavaruar në mendimet e tij.
"Në letrën që ka dërguar zoti Meta, kryesia nuk mund të analizojë dhe nuk mund të ballafaqohet me mendimet e zotit Meta, pasi ai është sovran në mendimet e tij, ashtu sikurse kryesia është sovrane në mendimet dhe qëndrimet, në luftën dhe përpjekjet që i ka vënë vetes detyrë, për të përmbushur kalendarin politik të sesionit që janë zgjedhjet e tetorit", përfundoi Ruçi.
Megjithatë kandidaturat e propozuara nuk kanë kaluar pa debat dhe nuk kanë patur mbështetje totale. Anëtari i kryesisë dhe sekretari në Partinë Socialiste për marrëdhënie ndërkombëtare Ilir Zela, thotë se zgjidhja e bërë është krejtësisht e pjesshme dhe se kjo zgjidhje
është bërë për të mbyllur problemet që ka në të vërtetë partia.
"Zgjidhja që jepet sot është krejtësisht e pjesshme dhe nuk ofron forcimin e veprimit politik të Partisë Socialiste, përkundrazi e dëmton më tej atë dhe është një kontribut negativ sa i takon nevojës që ka Partia Socialiste për t'u bashkuar dhe fituar zgjedhjet lokale", tha Ilir Zela.
Tashmë debati për kandidaturat e reja ka kaluar në mbledhjen e grupit parlamentar. Dhe nëse grupi parlamentar bie dakort që Ermelinda Meksi të jetë zëvendës-kryeministre dhe Ministre e shtetit për Integrimin dhe Marko Bello Ministër i Jashtëm, atëhere kryeministri do të paraqesë emrat për dekretim tek presidenti i Republikës.

XS
SM
MD
LG