Ndërlidhjet

A. AHMETI: "KAM KËRKUAR PËRSHPEJTIM TË REALIZIMIT TË MARRËVESHJES SË OHRIT, QË TË MOS VARET VETËM NGA VULLNETI POLITIK"


Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, ju po qëndroni në Bruksel me ftesë të shefit të diplomacisë evropiane Havier Solana. Cili është qëllimi i vizitës dhe agjenda e takimeve?

ALI AHMETI
Gjatë vizitës së zotit Solana në Maqedoni, unë shtrova disa kërkesa praktike në drejtim të forcimit apo të jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe me atë rast zoti Solana më ftoi për një vizitë pune në selinë e Bashkimit Evropian, në Bruksel. Kërkesa të tilla i kam shtruar edhe gjatë takimeve të sotshme, duke filluar me këshilltarin e zotit Prodi, me këshilltarin e zotit Kris Paten dhe takimin e tretë e kam patur me zotin Solana. Ka qenë një takim mjaft i frytshëm dhe miqësor, në të cilin më prezantoi edhe zoti Stefan Lene. Gjatë këtij takimi kam kërkuar përshpejtim të realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, kam kërkuar që gjërat të mos mbeten pre e vullnetit të mirë politik, por të gjejnë edhe zbatim praktik, duke filluar nga pjesëmarrja e shqiptarëve në forcat e sigurisë së shtetit, në sigurimin publik, në njësinë speciale, nga reformat në tërësi brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pavarësisht se deri tani punët kanë ecur ashtu si kanë ecur, kjo nuk do të thotë se nuk ka patur rezultate në këtë drejtim. Megjithatë ne insistojmë që të ketë rezultate sa më shumë të dukshme dhe këto segmente që unë i përmenda, garantojnë një paqe shumë më të qëndrushme në Maqedoni, garantojnë një siguri, duke na mundësuar të realizojmë edhe qëllime të tjera, të cilat i kemi vënë vetes, siç janë investimet, qofshin ato të faktorit vendas apo atij të huaj. Kështu që në tërësi bisedat kanë shkuar në këtë drejtim. Kemi kërkuar ekspertë nga Komuniteti Evropian, që do të na ndihmonin në shumë drejtime, si në decentralizimin e pushtetit, ashtu dhe në ligje të ndryshme, që duhet të miratohen lidhur me pushtetin lokal dhe qeverisjen lokale. Në të gjitha drejtimet kam hasur në mirëkuptim dhe tani presim ndihmat konkrete. Një nga këto ndihma do të jetë fillimi në shtator të këtij viti i trajnimit 1 vjeçar për administratën publike të 600 nxënësve, si dhe i 100 e ca përkthyesve për çështje të ndryshme brenda administratës apo aparatit shtetëror, projekt ky që do të investohet nga Bashkimi Evropian në bazë të marrëveshjes politike që kemi arritur ne si faktor politik në Maqedoni me BE-në.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë takimeve që keni zhvilluar, cili ka qenë mendimi i Bashkësisë evropiane për shkallën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit?

ALI AHMETI
Në tërësi Bashkimi Evropian i kupton vështirësitë, me të cilat ballafaqohemi, vështirësi të cilat i paraqesim, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, personalitete udhëheqëse të BE-së. Megjithatë të dyja palët jemi të vetëdijshëm se procesi, në të cilin ndodhemi është një proces i rëndë dhe që kërkon angazhim të vazhdueshëm. Ne konfirmuam edhe njëherë që si palë në koalicion, vazhdimisht përpiqemi, që të gjitha vështirësitë t'i kapërcejmë nëpërmjet një debati konstruktiv dhe t'i afrohemi sa më afër realizimit konkret të çështjeve, të cilat dalin nga Marrëveshja e Ohrit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, pasditen e sotme jeni takuar gjithashtu edhe me kreun e NATO-s Lordin Xhorxh Robertson. Çfarë keni biseduar me të?

ALI AHMETI
Sigurisht që edhe në atë takim, jam pritur mjaft miqësisht nga zoti Robertson dhe nga stafi i tij. Gjatë bisedës kam kërkuar që NATO të na ndihmojë me reformat brenda ushtrisë, për arsye se drejtpërsëdrejti NATO i ka ekspertët e vet në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes. Kemi parë si domosdoshmëri që kjo ndihmë të vazhdojë edhe më tutje deri në përgatitjen e situatave që Maqedonia të integrohet në strukturat e NATO-s, sigurisht duke patur parasysh që këto reforma të mos jenë në disfavor të shqiptarëve dhe të mos ndiqet kursi i së kaluarës, por shqiptarët të jenë pjesë integruese, të jenë në proporcion me numrin e popullsisë në të gjitha drejtimet e ushtrisë. Sot ne i kemi paraqitur dhe kemi konfirmuar edhe njëherë mendimet tona, që ushtria duhet të plotësojë standartet, të cilat i kërkon NATO. Kështu që edhe në këtë drejtim kemi hasur mirëkuptim dhe ndihma të cilën e ofrojnë ekspertët, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk do të mungojë.

Intervistoi Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG