Ndërlidhjet

LUAN HAJDARAGA DO TË USHTROJË PËRKOHËSISHT DETYRËN E MINISTRIT TË JASHTËM TË SHQIPËRISË


Alma Çupi, Tiranë

Kryeministri Fatos Nano, tha sot në prononcimin e parë publik pas votimit të mbrëmshëm në parlament, se mosvotimi i dekretit për ministrin e jashtëm, nuk është mosbesim për pozitën politike dhe kushtetuese të tij.
"Sipas kushtetutës, votimi në Kuvend i dekreteve të presidentit të Republikës, nuk është element i mjaftueshëm për të vënë në diskutim pozitën politike dhe aq më pak atë kushtetuese të kryeministrit. Vlerësimi negativ i tyre nga ana e Kuvendit, pra nuk do të thotë, sipas kushtetutës, që drejtuesit e këtyre institucioneve humbasin mandatin e përfaqësimit në institucione", tha Fatos Nano.
Kryeministri Nano më tej tha se politika e jashtme e Shqipërisë do të mbetet e pa cënuar. Ajo tashmë është e stabilizuar dhe e përfaqësuar nga presidenti i Republikës, kryeministri dhe për momentin edhe nga
zëvendësministri i Punëve të Jashtme, që sipas zotit Nano është përfaqësues i lartë i mazhorancës.
"Pas shkarkimit të Ministrit të Jashtëm edhe nga Kuvendi si dhe deri në emërimin e Ministrit të ri të Jashtëm, sipas Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave, detyrat do t'i kryejë zëvendësministri i Punëve të Jashtme", tha kreu i qeverisë.
Kryeministri Nano bëri të qartë sot, se nuk ka ndërmend të kërkojë një seancë të jashtzakonshme në parlament për të miratuar një kandidaturë të re. Më datë 1 gusht, parlamenti fillon pushimin një mujor dhe pritet që dekreti i ri të miratohet më fillim të muajit shtator. Kryeministri tha më tej se kjo periudhë do të shërbejë për një proces analize politike në Partinë Socialiste.
"Unë si kryeministër do të respektoj afatin ligjor të mbylljes së punimeve të sesionit të parë të vitit 2003 duke mos kërkuar thirrjen e kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm".
Në konferencën e sotme për shtyp të kryeministrit ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministra e sapovotuar nga parlamenti, Ermelinda Meksi. Ajo foli për sfidat që e presin për detyrën e re që sipas saj
kanë të bëjnë me:
"Përballimin me shumë përgjegjësi dhe me shumë profesionalizëm, të të gjitha atyre detyrimeve që tashmë Shqipëria ka marrë në rrugën drejt procesit të integrimit, i cili për fat të mirë tashmë është një realitet, dhe unë, së bashku me stafin që do të punojmë për këtë gjë, jemi akoma më të motivuar nga mbështja që mazhoranca i dha dje kësaj përgjegjësie times për t'i shpënë gjërat përpara".
Partia Demokratike, më e madhja e opozitës, përsëriti sot kërkesën për dorëheqjen e kryemininistrit Fatos Nano. Sipas opozitës, votimi kundër dekretit për Ministrin e Jashtëm ka qenë votëbesim për kryeministrin Nano.

XS
SM
MD
LG