Ndërlidhjet

PRESIDENTI RUGOVA FALENDERON QEVERINË KANADEZE PËR NDIHMËN E DHËNË GJATË KËTYRE KATËR VITEVE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Qeveria kanadeze për katër vjet me radhë e ka ndihmuar shumë popullin e Kosovës, ka thënë kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, pas takimit të lamtumirës me shefin e deritanishëm të zyrës kanadeze në Prishtinë, Shon Barber. Gjatë këtij takimi zoti Rugova tha se është biseduar për përparimin e arritur në Kosovë, pjesë e të cilit sipas tij ka qenë dhe vetë zoti Barber.
"Ne biseduam për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për të ardhmen e Kosovës, për privatizimin dhe gjithsesi unë insistoj që Kosova të njihet sa më parë, të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, gjë që do të shpejtonte proceset vetë brenda Kosovës, si dhe do çonte në integrimin e shoqërisë kosovare", tha Ibrahim Rugova.
Më tej kryetari i Kosovës tha se vetëm me anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, rajoni në këtë pjesë të Evropës mund të gëzojë qetësinë.
Zoti Shon Barber, shërbimin e tij katërvjeçar në Kosovë e vlerësoi si një privilegj. Por megjithëse foli edhe për përparimin e arritur dhe ndihmën që Kanadaja ka dhënë në Kosovë në fushën e shëndetësisë, arsimit, rendit dhe ligjit, ai tha se temë e sotme e diskutimeve ka qenë dhe gjendja e krijuar pas shpërthimeve të fundit.
"Kemi folur për faktin se jam i shqetësuar mbi sulmet e fundit dhe për rëndësinë thelbësore të vendosjes së rendit dhe ligjit për të gjithë kosovarët", tha zoti Barber, duke vlerësuar një gjë të tillë, si shtyllën numër një të çdo shoqërie demokratike, e cila duhet respektuar, pavarësisht nga rezultatet. Përkundër kësaj zoti Barber shprehu bindjen se Kosovën e pret një e ardhme e shkëlqyer.
Në takimin e sotëm është diskutuar edhe çështja e kthimit të personave të zhvendosur dhe në këtë kuadër zoti Barber e vlerësoi shumë letrën e nënshkruar nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës, nëpërmjet të cilës u është bërë thirrje të gjithë të zhvendosurve që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.
Pasardhësi i zotit Barber është emëruar Stiven Moran, së fundi shefi i zyrës kanadeze në Tiranë.
XS
SM
MD
LG