Ndërlidhjet

U PUBLIKUA RAPORTI I PARË PËR MINORITETET NË KOSOVË


Rrahman Paçarrizi, Prishtinë

Pozita e pakicave varet nga qëndrimi i shumicës, ndërkohë që një ndër prioritetet e qeverisë dhe të institucioneve të tjera të Kosovës, është sigurimi i kthimit të pakicave dhe integrimi i tyre në shoqërinë kosovare, është thënë sot me rastin e publikimit të raportit të parë për pakicat e Kosovës dhe mundësitë e integrimit të tyre në shoqëri, botuar nga Qendra për Hulumtim të Migracionit dhe për Ndihmë Refugjatëve.
Ramadan Avdiu, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, tha se qeveria e Kosovës ka punuar në drejtim të integrimit të pakicave dhe në këtë funksion është edhe letra e liderëve të institucioneve dhe partive politike të Kosovës drejtuar të zhvendosurve.
"Qeveria e Kosovës një prej prioriteteve të saj në programin e punes ka integrimin e minoriteteve, pavarësisht se ka hasur në një indiferentizëm të theksuar nga ana e tyre, veçanërisht nga ai serb që të pranojë realitetet e reja të krijuara në Kosovë, të shtojë përpjekjet e integrimit në rrjedhat e jetës shoqërore, politike, kulturore e publike," tha zoti Ramadan Avdiu, duke shpresuar se puna profesionale lidhur me pakicat do t'ua presë udhën spekullimeve dhe manipulimeve të ndryshme lidhur me to dhe kjo është dëshmi se Kosova po ecën drejt ndërtimit të një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Ndërkaq Adem Demaçi, veprimtar shumëvjeçar politik dhe për të drejtat e njeriut, tha se çështja e pakicave në fakt është çështje e shumicës, pasi pozita e pakicës varet nga qëndrimi i shumicës.
"Qëllimi i shumicës shqiptare është që t'u bëhet e mundur pakicave që të integrohennë KOsovë, mirëpo jo integrim duke asimiluar, duke ç'kombëtarizuar, duke eliminuar. Ne duhet ta bëjmë integrimin duke e ruajtur identitetin e çdo pakice që jeton sot në Kosovë," tha zoti Demaçi duke shtuar se është arritur të kuptohet se të drejtat e pakicave janë zgjerim i lirisë edhe për shumicën shqiptare. Në anën tjetër duke e vlerësuar projektin mjaft interesant, sidomos segmentet që kanë të bëjnë me sigurinë e pakicave, komandanti i KFOR-it, gjenerali Fabio Mini tha:
" Ky projekt me të drejtë bën të kuptohet se problemi i pakicave në Kosovë është problem i edukimit dhe problem i një procesi", tha gjenerali Mini, duke e parë këtë projekt si të dobishëm për të ardhmen. Ndërkohë drejtori i organizatës që ka kryer hulumtimin lidhur me këtë projekt, Prof. Dr. Rifat Plaku, tha se deri tani janë bërë publikime dhe hulumtime të shumta lidhur me këtë temë, por sipas tij, gjendja e pakicave është paksa më ndryshe nga ç'paraqitet zakonisht.
"Përkundër fjalëve dhe retorikës, siç është thënë në këto dokumenta, në praktikë, problemet thelbësore që përcaktojnë kthimin dhe integrimin substancial janë shoqëruar me vështirësi të caktuara sidomos çështja e qarkullimit të lirë, çështja e riposedimit të pronës dhe banesave, qasja në institucionet publike etj. Të gjitha këto u reflektuan në normat e ulëta të kthimit", tha zoti Plaku.
Projekti, rezultatet e të cilit u publikuan sot, sqaron pozitën e pakicave, raportet ndërmjet pakicave dhe etniteteve të ndryshme, raportet e tyre me shumicën shqiptare, si dhe mundësitë e integrimit në shoqëri dhe perspektivat për të ardhmen.
XS
SM
MD
LG