Ndërlidhjet

LLOGARITET NË MILIONA EURO BORXHI I ENKLAVAVE SERBE NDAJ KEK-UT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Përfaqësues të Ministrisë për Shërbime Publike në Qeverinë e Kosovës thonë se qytetarët që jetojnë në lokalitetet e banuara me serbë, nuk i janë përgjigjur pothuajse asnjë obligimi ndaj shërbimeve publike. Betim Gjoshi, zëdhënës i kësaj ministrie, fajëson institucionet vendore, Misionin e Kombeve të Bashkuara dhe Qendrën Koordinuese serbe, e cila, sipas tij, i këshillon qytetarët serbë që të mos paguajnë borxhet.
"Këta persona që udhëheqin këtë qendër koordinuese nuk dëshirojnë të mirën e Kosovës dhe qytetarët serbë po i mbajnë me shpresë për të kaluarën. Pra i bëjnë që të mos integrohen në shoqërinë kosovare dhe mos t'i kryejnë obligimet ndaj kësaj shoqërie. Qytetarët serbë, mendoj se janë të prilivigjuar në të gjitha aspektet, si nga aspekti i ndihmave që i'u janë ofruar, po ashtu kanë qenë të liruar nga shumë taksa dhe obligime", thotë Betim Gjoshi.
Autoritetet vendore pohojnë se borxhin më të madh që kanë qytetarët serbë është ai në Korporatën Energjetike të Kosovës, i cili thuhet se arrin deri në 30 milionë euro që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Mirëpo, përfaqësuesja ndërkombëtare e kësaj korporate, Betty Dawson, thotë se borxhi nëpër enklava nuk është kalkuluar. Ajo vetëm tha se në mbarë Kosovën, 23 për qind e rrymës së prodhuar nuk paguhet dhe kjo shënon një humbje prej 100 milionë eurosh në vit.
"Të gjithë pajtohemi se nga energjia e prodhuar në Kosovë, 6 deri në 7 përqind shfrytëzohet në lokalitetet e banuara me pakica kombëtare," thotë zonja Dawson. Ajo nuk dha ndonjë hollësi nëse kjo përqindje hyn në përqindjen e atyre që nuk paguajnë, me të cilën do të nënkuptohej se qytetarët që jetojnë nëpër enklava, mund t’i kenë borxh KEK-ut 6 deri në 7 milionë euro në vit, përkatësisht 24 deri në 28 milionë euro për katër vitet e fundit. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe njëri nga udhëheqësit e komunitetit serb, Oliver Ivanoviç, mbi këtë çështje thotë se nuk janë problematike vetëm borxhet e serbëve, për faktin se shkalla e inkasimit të përgjithshëm të rrymës së shfrytëzuar është shumë e vogël në mbarë Kosovën.
"Konsideroj se të gjithë duhet të paguajnë dhe kjo do të ndodhë në momentin kur në mënyrë precize të përcaktohet borxhi," thotë zoti Ivanoviç, duke shtuar se borxhi nuk mund të përcaktohet në mënyrë retroaktive dhe se e tërë kjo është një trysni që ushtrohet mbi serbët që jetojnë nëpër enklava nën kushte relativisht të rënda.
Sidoqoftë, që të gjithë pajtohen me faktin se vetëm me ngritjen e shkallës së inkasimit mund të përmirësohet furnizimi me energji elektrike, pavarësisht nga rreth 700 milionë eurot që janë investuar në termocentrale.

XS
SM
MD
LG