Ndërlidhjet

PETTIFER: KONFLIKTI META-NANO PËRPLASJE PERSONALITETESH DHE GJENERATASH


James Pettifer, ekspert nga Kolegji Ushtarak Mbretëror në Britani

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni krizën e fundit në qeverinë e Shqipërisë dhe Partinë Socialiste në pushtet?

JAMES PETTIFER
Mendoj se është e rëndësishme, por është gjithashtu shumë e lehtë të teprosh se sa e thellë është kjo krizë. Për më tepër kur dihet se konflikti mes zotit Meta dhe Nano vazhdon për një kohë të gjatë. Ata kanë mbështetësit e tyre në parti dhe kjo nuk është diçka e re. Ne në Britani kemi zotin Blair dhe zotin Broun, ndërsa ata në Shqipëri kanë zotin Meta dhe zotin Nano.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo krizë dhe fakti se Shqipëria nuk ka ende ministër të jashtëm do ndikojë në proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe konkretisht në proçesin e Asociim- Stabilizimit?

JAMES PETTIFER
Nuk mendoj kështu, pasi zoti Nano ende kontrollon vendosmërisht partinë. Dhe për të arritur atë çfarë Nano dëshiron është zgjedhur zoti Hajdaraga për ta çuar proçesin përpara. Dhe besoj se zoti Hajdaraga është një kandidat plotësisht i pranueshëm.
Problemi që ka zoti Meta është se në fund të fundit, është partia ajo që vendos dhe besoj se në parti mbështetësit e Nanos, janë shumë më tepër besnikë, se ata të Metës. Dhe e vetmja mënyrë që Meta mund të fitojë, mendoj se është të ndajë partinë. Por besoj se kjo do shkatërrojë dhe karrierën e tij politike. Megjithatë kriza në fund të fundit është e kufizuar dhe e kontrollueshme dhe duket se në fund fitues do të jetë zoti Nano.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni reputacionin e Shqipërisë në bashkësinë ndërkombëtare pas krizës së fundit?

JAMES PETTIFER
Kjo krizë nuk është diçka që ndihmon, por besoj se njerëzit që kanë qenë të informuar rreth Shqipërisë, pranojnë faktin se Shqipëria ka bërë shumë përparime dhe në një mënyrë është një vend i stabilizuar. Kështu dje dëgjova komente shumë pozitive nga guvernatori i bankës së Shqipërisë, lidhur me sukseset në sistemin bankar dhe financiar të vendit, krahasuar me shumë nga vendet fqinje të Shqipërisë. Dhe janë pikërisht këto gjëra që shihen nga Bashkimi Evropian.
Gjithmonë ka përplasje personalitetesh dhe problemi mes Nanos dhe Metës mendoj se është problem personalitetesh, por dhe problem gjeneratash. Por pavarësisht të gjithave është e rëndësishme se brenda Partise Socialiste dhe njëherësh njerëzit në rrugët e Tiranës, janë të familjarizuar me këtë konflikt dhe askush nuk do të ndërmarrë diçka për faktin se zoti Meta u largua nga qeveria. Kjo ka ndodhur dhe më parë. Mendoj se ajo që është e rëndësishme për zotin Nano është se ministrat kyç si zoti Majko dhe të tjerë, janë të kënaqur dhe të gatshëm të vazhdojnë punën e tyre në kabinetin qeveritar.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se kjo krizë në qeverinë shqiptare mund të ndikojë në bisedimet e ardhshme për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë?

JAMES PETTIFER
Jo, mendoj se shumica e forcave politike në Shqipëri, të djathta apo të majta qofshin, e pranojnë faktin se do të ketë bisedime lidhur me çështjet teknike. Por bisedimet politike për statusin, nuk do të ndodhin së shpejti, ndaj kjo nuk është një çështje problematike në Tiranë, prandaj mendoj se nuk do të ketë ndonjë efekt.

Intervistoi Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG