Ndërlidhjet

AMBASADORI BIGMAN: MAQEDONIA NUK BALLAFAQOHET ME KËRCËNIME USHTARAKE NË KUFIJTË E VET


Isuf Kadriu, Shkup

Ambasadori i NATO-s në Shkup Nikolas Bigman, vlerëson se përkundër incidenteve të fundit në ish-rajonet e krizës, gjendja në Maqedoni është stabël. Të gjitha tentimet që të provokohet një përshkallëzim i gjendjes kanë dështuar, ndërsa sa i përket konfrontimit mes grupeve kriminale, vlerësoi se bëhet fjalë për fenomene të izoluara, që nuk mund të reflektohen në zhvillimet e përgjithshme në vend, thotë për Evropën e Lirë, ambasadori i NATO-s Bigman.
"Unë mendoj se këto incidente vështirë se mund të kenë ndikim ndaj gjendjes së sigurisë", tha Bigman, duke komentuar vrasjet e fundit në Maqedoni dhe kërcënimet e grupeve të ndryshme në ish-zonat e krizës për përsëritje të ngjarjeve të kaluara. I pyetur të komentojë idetë e disa partive politike për vetëvendosjen e shqiptarëve në Maqedoni, nëse nuk përmbushen obligimet e Marrëveshjes së Ohrit, ambasadori Bigman u përgjigj:
"Unë mendoj se ajo nuk është një ide e re, por e vjetër, e cila sipas meje ka vdekur me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit. Vlerësoj se për një gjë të tillë nuk ka vend", tha Bigmanm duke shtuar se paralajmërime të tilla bëhen për publicitet nga ana e partive politike, përfshirë në këtë rast edhe Partinë Demokratike Shqiptare. Ambasadori i NATO-s tha se ide të tilla janë shumë të dëmshme për Maqedoninë, e cila në këto momente ka nevojë për investime të jashtme.
"Mendoj se zhvillimi ekonomik ka një rëndësi të madhe për Maqedoninë, ku numri i të papunëve është rreth 40 %", tha ambasadori Bigman, sipas të cilit idetë për vetëvendosje do të pamundësonin investimet dhe progresin ekonomik të vendit. Duke u përqëndruar në çështjet e sigurisë, ambasadori i NATO-s i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme paralajmërimet që forcat policore të kujdesen për ruajtjen e kufijve të Maqedonisë.
"Ky fenomen është i mirë pasi Maqedonia nuk përballet me kërcënim ushtarak në kufijtë e saj. Ju nuk keni fqinjë që do të sulmonin Maqedoninë me tanke apo diçka të ngjashme. Kufijtë duhet të sigurohen mirë që të mund të luftohet kontrabanda me armë, drogë dhe dukuri të tjera të palejueshme", u shpreh zoti Bigman.
Ambasadori i NATO-s e ka vlerësuar lart rolin e deritanishëm të forcave evropiane të vendosura në Maqedoni, të cilat sipas tij i kanë ndihmuar forcat policore, në rritjen e sigurisë dhe vendosjen e rendit në ish-rajonet e krizës. Nëse ky trend i përmirësimit të gjendjes së sigurisë vazhdon në të ardhmen, atëhere Maqedonia pas 15 dhjetorit nuk do të ketë nevojë për prani të huaja ushtarake, tha ambasadori i NATO-s Bigman.

XS
SM
MD
LG