Ndërlidhjet

SHPËRTHIMI NË SPITALIN RUS LA 35 TË VRARË, ZYRTARËT I AKUZOJNË KRYENGRITËSIT ÇEÇENË


NEW YORK TIMES

Një kamion përplot eksploziv mbrëmë shpërtheu në spitalin ushtarak në jug të Rusisë, duke lënë të vrarë të paktën 35 vetë dhe dhjetra të plagosur. Zyrtarët rusë menjëherë i akuzuan kryengritësit çeçenë, për sulmin e fundit në valën e sulmeve vetëvrasëse, të cilat luftën e Rusisë në Çeçeni e kanë shpërndarë përtej kufinjve të rajonit.
Shpërthimi e shkatërroi ndërtesën trikatëshe në Mozdok, qytet në Osetinë Veriore, që shërben si bazë për ushtrinë ruse prej fillimit të luftës në Çeçeni në vitin 1994. Shpërthimi gjithashtu i dëmtoi rëndë disa ndërtesa tjera, përfshirë një fabrikë për përpunimin e letrës që u rrafshua me tokë, ashtu siç ndodhi edhe me tendat e kampit ku ishin shtrirë ushtarët e plagosur nga lufta.
Shpërthimi i fundit, i teti në Rusi në tre muajt e fundit, paraqet taktikë të re të kryengritësve që luftojnë për pavarësinë e Çeçenisë.
Shpërthimet e kanë përhapur frikën kudo në Rusi, madje edhe në zemër të Moskës, ku Sheshi i Kuq është i rrethuar një kohë të gjatë.
Ato gjithashtu e kanë goditur strategjinë e presidentit Vladimir Putin për izolimin e luftëtarëve separatistë, dhe vendosjen e paqes përmes referendumit kushtetues të mbajtur në mars dhe zgjedhjeve presidenciale të parapara për muajin tetor.
Kremlini tha se kryengritësit çeçenë janë përgjegjës për sulmin, ndërsa presidenti Putin ka kërkuar nga prokuroria e përgjithshme t'i fillojë hetimet.
Shpërthimet ndodhën përkundër masave të shtuara të sigurisë në vend. Kryetari i parlamentit Gennadi Seleznov ka thënë se forcat e sigurisë nuk bëjnë sa duhet për t'i penguar ato. "Numri i militantëve nuk zvogëlohet, kurse virusi i terrorizmit po shpërndahet nga Çeçenia në pjesët tjera të Rusisë", ka thënë Seleznov.
Sulmet vetëvrasëse kanë qenë të rralla gjatë dy luftërave në Çeçeni. Sulmi më vdekjeprurës ngjau dhjetorin e kaluar kur dy kamionë përplot eksploziv e shkatërruan ndërtesën e qeverisë pro-ruse në Çeçeni dhe vranë mbi 70 njerëz.
Taktikat e tilla, zyrtarët rusë ia mveshin ndikimit të grupeve terroriste islamike. Disa zyrtarë dhe analistë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se lidhjet me grupet si Al Kaida mund të jenë të tepruara, por nuk ka dyshim se lufta 4 vjeçare në Çeçeni mund t'i ketë radikalizuar disa figura të kryengritësve.
Para sulmit të fundit, në 5 sulmet e kaluara ishin të angazhuara gratë vejusha, për të cilat thuhej se hakmerren për vrasjen e bashkëshortëve apo baballarëve nga forcat ruse. Deri në shpërthimin e mbrëmshëm, nga sulmet janë vrarë gjithsejt 110 njerëz. Kjo e ka rritur ankthin në opinionin publik, i cili është i sigurtë se paraqet objektiv të sulmuesve.
XS
SM
MD
LG