Këtë javë u zhvillua polemikë ndërmjet ministrit kosovar, Jakup Krasniqi dhe administratës së Unmikut. Ministri Krasniqi tha se administrata e Unmikut nuk ishte sa duhet efektive gjatë katër viteve të fundit. Zyrtarë të Unmikut thonë se ata po punojnë mirë. Sipas jush ku qëndron e vërteta?
PATRICK MOORE
Mendoj se fotografia është e përzier. Nëse e analizoni detyrën e madhe që Unmikut iu desh ta përballonte pas vitit 1999, mendoj se mund të themi se në tërësi janë arritur shumë gjëra. Mbi të gjitha, shohim se institucionet kosovare janë krijuar dhe po punojnë, që privatizimi ka filluar dhe ka pasur zhvillime pozitive në çështjen e të zhdukurve. Por ende kemi probleme, ende kemi veriun e Mitrovicës, që sillet sipas ligjeve të veta ose si një subjekt i Beogradit, pastaj kemi ende çështjet e kufirit, pasi këtu nuk bëhet fjalë vetëm për humbjen e një pjese të territorit të Kosovës por edhe për çështjen e sovranitetit dhe derisa të përcaktohet statusi final, askush nuk duhet të shpërndajë territoret e Kosovës, siç ka ndodhur. Gjithashtu ekziston edhe çështja e shërbimeve publike. Tash dua të them diçka sa i përket deklaratave të zotit Brayshow dhe diskutimeve të tij me zotin Krasniqi. Është e rëndësishme që kosovarët ta mbajnë vëmendjen e tyre të përqënduar te çështja e statusit dhe zgjidhja e tij dhe te zhvillimi i institucioneve, avancimi i procesit të privatizimit dhe çështjet e tjera që i kemi diskutuar. Gjatë kursit të promovimit të çështjes së statusit mendoj se është e rëndësishme që të mos krijohen armiq, të mos kritikohen shumë njerëzit që në të vërtetë nuk i meritojnë kritikat dhe të mos lejohet që frustrimi i dikujt nga zhvillimet e ngadalshme në çështjen e statusit të çojë në vështirësi në fusha të tjera. Dua të them - të përqëndrohemi në çështje të rëndësishme dhe të mos lejojmë që frustrimi të na krijojë probleme në fronte të tjera.
RADIO EVROPA E LIRË
Kjo polemikë vjen në kohën kur së shpejti kryeadministratori i ri do të vijë në Kosovë. Zoti Harri Holkeri ka thënë se kjo do të jetë "detyra e tij më e vështirë në jetë". Si e vlerësoni ju pozitën e tij në këtë rrethana?
PATRICK MOORE
Ai është person i ri në problematikën e Ballkanit dhe ka shumë për të mësuar, por mendoj se kishte plotësisht të drejtë kur tha që "kjo është detyra më e vështirë në jetën e tij". Më kujtohet se kur Shtajneri e mori këtë post, njerëzit ankoheshin se ishte një detyrë mosmirënjohëse…dhe jam plotësisht dakort me këtë. Unë parashoh se do të ketë probleme në katër fusha. E para është vënia nën kontroll e organizatës së Unmikut, gjë që Hakerupi nuk e arriti kurrë dhe menaxhimi i diferencave ndërmjet anëtarëve të ndryshëm të komunitetit ndërkombëtar, sidomos diferencat mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Çështja e dytë me të cilën do të përballet është ajo që unë e quaj "paradoks" që ekziston në Kosovë dhe në Bosnjë. Ajo që kemi është një i huaj që vjen në vend me pushtet pothuajse diktatorial, i cili me urdhëra përpiqet të vendosë demokracinë, ekonominë e tregut dhe bashkimin e njerëzve, të cilët nuk e duan fort njëri tjetrin…dhe instalimi i demokracisë me forcë është një paradoks. Fusha e tretë është sjellja së bashku e grupeve të ndryshme me agjenda që janë në kundërshtim me njëra tjetrën. Sigurisht të gjitha partitë politike në Kosovë, pavarësisht nga ndryshimet në personalitetet e tyre dhe interesat ekonomike, të gjitha janë një në çështjen e pavarësisë. Mes serbëve kemi grupin e Mitrovicës që don të bashkohet me Serbinë, kemi njerëzit nëpër enklava që e dinë se duhet të jetojnë me fqinjët e tyre në të ardhmen dhe kemi politikanët në Beograd, të cilët po përpiqen të përdorin Mitrovicën për çështjen e Kosovës në mënyrë që të fitojnë vota nga nacionalistët dhe në këtë proces po i japin shpresa mashtruese serbëve të Kosovës, se një ditë, do të rikthehen nën pushtetin e Serbisë. Fusha e katërt e vështirë, është ambientimi me kulturën politike të Ballkanit. Siç e dimë, pjesë të ndryshme të Evropës kanë rregulla të ndryshme dhe kultura në Ballkan është shumë e ndryshme nga ajo në Skandinavi, nga vjen dhe zoti Holkeri. Aty arti i politikës është i bazuar në kompromis, ndërsa në Ballkan ne e dimë që duhet të ballafaqohet me inatin dhe do të duhet të përballet me njerëz që sot bëjnë një marrëveshje dhe nesër duan ta prishin atë.
RADIO EVROPA E LIRË
Duke shkruar për zotin Holkeri ju keni thënë, e këtë e përmendët edhe tash, se ai do të duuhet të merret me rivalitetet ndërmjet lojtarëve kryesor të jashtëm. Çka do të thotë kjo?
PATRICK MOORE
Siç e thashë mendoj se rivaliteti ekziston kryesisht mes Bashkimit Evropian dhe Amerikës dhe më tepër është çështje e psikologjisë sesa e politikës, pasi Bashkimi Evropian është shumë i padurueshëm të tregojë kudo se mund të drejtoj një politikë të jashtme efektive dhe se mund të menaxhoj problemet e veta. Kjo ka lindur më shumë nga frustrimi që nuk ishte në gjendje të luante asnjë rol të rëndësishëm në çështjen e Irakut, pasi vetë BE u përça në këtë krizë. Bashkimi Evropian është ambicioz dhe,siç e dime, ga raste të tjera, nga mënyra se si u sollën diplomatët evropianë në Beograd dhe në Podgoricë, ata mund të jenë arrogant. Kjo ambicje dhe një vetëvlerësim i tepruar është dukur edhe në rastin e misionit Konkordia në Maqedoni. Ata kishin nevojë për një sukses edhe pse maqedonasit, shqiptarët dhe Natoja kanë bërë shumë punë vetë, tash Konkordia po shpall suksesin e saj. Në këtë aspekt kam ndonjë rezervë se edhe pse zoti Holkeri është një zyrtar i OKB, ai përfaqëson një vend të Bashkimit evropian ndërsa BE po investon pjesën më të madhe të parave në Kosovë. Prandaj, për këtë arsye një përfaqësues i BE-së e udhëheq Unmikun. Jam pak i shqetësuar se në ambicjen për të treguar suksesin e tij dhe për të treguar që ka njëfarë roli, Brukseli mund të përpiqet përmes Holkerit që t'u tregojë kosovarëve se çfarë duhet të bëjnë dhe të përpiqet ta imponoj demokracinë dhe ndryshimet në një vend ku njerëzit nuk i duan ato. E kemi parë me Unionin Serbi dhe Mali i Zi - shtet i cili nuk do të mbijetojë shumë - dhe çdo përpjekje për të detyruar Kosovën që të rikthehet në të njëjtin shtet me Serbinë dhe Malin e Zi, gjithashtu do të dështoj.
INTEVISTOI FATMIR BUJUPI