Ndërlidhjet

QEVERIA ME PUSHIME, KRIZA SHTYHET PËR NË VJESHTË


Lutfi Dervishi

Situata politike në Shqipëri mbetet e paqartë pavarësisht një stabiliteti relativ të institucioneve. Për shkak të pushimeve, kriza në qeveri, e inicuar nga dorëheqja e zëvëndëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Ilir Meta dhe Ministrit të Integrimit Sokol
Nako, është shtyrë për në vjeshtë. Është koha më e pafavorshme për kryeministrin, për shkak se më 12 tetor janë planifikuar për t'u zhvilluar zgjedhjet lokale dhe një muaj më pas do të zhvillohet kongresi i Partisë Socialiste.
Kriza më e fundit në gjirin e partisë qeverisëse i ka rrënjët tek dualiteti i pazgjidhur për pushtet mes kryeministrit Nano dhe ish zëvendëskryeministrit Meta. Partia Socialiste e cila kompromentoi fitoren elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001,
gjatë dy viteve të fundit ka ndërruar tre herë kryeministrat. Ndërrimet e shpeshta në kabinetin qeveritar në një vend me demokraci të brishtë si Shqipëria, kanë një kosto të madhe politike, ekonomike
dhe sociale. Hapja e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkimin Europian u vonua një vit, për shkak të problemeve që i dolën qeverisë së zotit Meta nga kryetari i partisë Fatos Nano. Tashmë historia përsëritet në anën e kundërt. Dorëheqja e zotit Meta e ka vënë në pozitë të vështirë kryeministrin Nano. Mundet që ai të mos arrijë të fitojë në parlament numrin e mjaftueshëm të votave për të dekretuar një kandidaturë tjetër për postin e Ministrit të Jashtëm. Që të kalojë votëbesimin në Parlament, kandidatura e re duhet të gëzojë përkrahjen e Ilir Metës dhe të grupit të deputetëve që mbështesin atë. Kryeministri mund të ndodhet para alternativës së rikompozimit të qeverisë, kërkesë kjo që vjen edhe nga partitë e vogla aleate me Partinë Socialiste, ose mund të detyrohet të japë
dorëheqjen, nëse nuk merr votat e mjaftueshme në Kuvend. Për shkak të një shumice parlamentare të qëndrueshme, partia në pushtet ka arritur të zgjidhë krizat brenda vetes duke ndërruar kryeministrat. Për
shkak të situatës parazgjedhore në parti dhe zgjedhjeve të ardhshme lokale nuk është e sigurtë që PS do të arrijë të zgjidhë krizën brenda vetes duke qëndruar në pushtet.
Nga ana e vet opozita shqiptare është në një pozicion pritës. Eshtë një rast i artë që pushteti mund të vijë para kohe, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme të partisë që qeveris vendin. Zhvillimet e fundit në gjirin e Partisë Socialiste kanë eklipsuar fushatën e ardhshme të zgjedhjeve lokale. Këto zgjedhje janë
mjaft të rëndësishme për Shqipërinë. Eshtë hera e parë që ato zhvillohen me një kod elektoral të miratuar me konsensusin e dy forcave kryesore politike në vend. Pritet dhe shpresohet që Shqipëria për herë të parë të kalojë testin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përndryshe çdo problem me zgjedhjet do të shënonte
hapa mbrapa në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Vëmendja e medias është përqënduar më tepër në betejën mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës dhe nuk ka fare hapësirë në dispozion për fushatën lokale, e cila gjithnjë e më tepër i ngjan një fushate parlamentare. Partia Socialiste ka rikandiduar shumicën e kryebashkiakëve që fituan në zgjedhjet e fundit, ndërsa Partia
Demokratike ka marrë vendim për të mos rikandiduar asnjë kryebashkiak. Të dy partitë e mëdha do të dalin në zgjedhje vetëm. Ajo që mungon deri më tani janë programet, me të cilat kandidatët do të paraqiten para elektoratit. Problemet e ujit të pijshëm, energjisë
elektrike, taksave lokale, pastrimit, vendeve të reja të punës, janë të njëjta për të gjitha qytetet dhe komunat e vendit, por në vend të diskutimit të problemeve lokale, pjesa më e madhe e debatit është
përqëndruar tek zgjedhjet e ardhshme parlamentare, zgjedhje që opozita i pret me padurim, ndërsa pozita bën çmos për të konsumuar mandatin deri në qershor të vitit 2005.
XS
SM
MD
LG