Ndërlidhjet

PRESIDENTI RUGOVA KËRKOI NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të përshpejtohet,pasi një gjendje e tillë nuk mund të vazhdohet përgjithmonë, ka thënë sot në Prishtinë, drejtori i ri i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, Garret Evans. Zoti Evans i ka bërë këto komente, pas një takimi që ka zhvilluar me kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova. Është me rëndësi që në Kosovë tani janë themeluar institucionet e vetqeverisjes së përkohshme, ka thënë Evans, për të shtuar se atyre, administrata ndërkombëtare duhet t’u kalojë sa më tepër përgjegjësi. Në këtë aspekt, ai ka kërkuar që autoritetet e UNMIK-ut të hapin një debat të gjerë se si të krijohet një qeverisje efektive nga ana e vendorëve, përmes procesit të bartjes së kompetencave. Kurse nga vendorët ka kërkuar që të punojnë më tepër në trajtimin e drejtë të të drejtave të pakicave që jetojnë në Kosovë.
Garret Evans, tha se do t’u dërgonte mesazhe zyrtarëve të administratës së UNMIK-ut, se ata duhet të bartin në mënyrë efektive përgjegjësitë tek lidershipi vendor, kurse mesazhet e tij drejtuar liderëve kosovarë, tha se janë që ata të krijojnë një shoqëri të vërtetë demokratike dhe ta lënë të kaluarën pas vetes. Nëse liderët kosovarë nuk arrijnë të krijojnë një shoqëri, ku të gjithë do të ndiheshin të barabartë, atëherë bashkësia ndërkombëtare do t'a humbte interesimin e madh që ka sot për Kosovën dhe të ardhmen e saj, tha Evans. Po ashtu, shtoi ai, lidershipi kosovar duhet t’i shtojë përpjekjet që të nxisë këtë dialog rreth çështjes së statusit edhe me komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Ndërkohë, kryetari Ibrahim Rugova, tha se e kishte njoftuar zotin Evans me të arriturat që janë shënuar në Kosovën e pasluftës dhe me objektivat e saj për të ardhmen. Duke vlerësuar se në Kosovë janë shënuar përparime të dukshme, kryetari Rugova tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, do të ishte zgjidhja më e mirë për të dhe do të qetësonte tërë rajonin:
“Gjithësesi unë insistoj që Kosova të njihet sa më parë si vend i pavarur, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që do t'a qetësonte rajonin tonë, këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka thënë Rugova.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave ICG, ka publikuar deri më sot disa raporte dhe rekomandime për Kosovën, si për statusin e saj ashtu edhe probleme të caktuara, të cilat janë çmuar lartë nga analistët vendorë, por edhe strukturat politike. Drejtori i ri i ICG-së Garret Evans, e ka zëvendësuar në këtë post zonjën Valeri Percival. Ai tha se ICG planifikon të qëndrojë në Kosovë të paktën edhe për tre vitet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG