Ndërlidhjet

KOSOVARËT PO HASIN NË PENGESA GJATË UDHËTIMEVE NË RAJON


Milazim Krasniqi, Prishtinë Sezoni i pushimeve verore e ka riaktualizuar temën e lëvizjeve të lira të kosovarëve në vendet e rajonit. Në këtë aspekt më së shpeshti theksohen problemet e qytetarëve të Kosovës me marrjen e vizave për Turqi dhe me pengesat që krijohen për shkak se Bullgaria nuk i pranon pasaportat e Unmikut.

Mbetja e kufizimeve të kësaj natyre edhe katër vjet pas vënies së Kosovës nën administrimin civil ndërkombëtar, tregon sesa me vështirësi po ndryshohen disa nga mentalitetet ballkanike ndaj integrimeve rajonale edhe pse realitetet kanë ndryshuar esencialisht. Fjala vjen, Pakti i Stabilitetit ka lindur si projekt për të rehabilituar vendet e rajonit të Ballkanit nga pasojat destabilizuese që shkaktoi lufta në Kosovë. Lehtësia e qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave është njëri nga aspektet thelbësore të këtij projekti të Bashkimit Evropian, nga i cili deri tani kanë përfituar mjaft të gjitha vendet e rajonit. Nga ana tjetër, bllokimi i qarkullimit të lirë të qytetarëve të Kosovës, direkt ka të bëjë edhe me kredibilitetin e OKB-së e cila ushtron mandatin e pushtetit në këtë vend. Mospranimi i dokumenteve të lëshuara nga UNMIK-u sikundër bën Bullgaria, ose kufizimet e mëdha që i bën Turqia, sikur i japin karakter fakultativ respektimit të organizatës botërore. Ndërsa praktika e muajve të fundit e Maqedonisë, provon se asgjë nuk ç'rregullon pranimi i dokumenteve të udhëtimit dhe i rregjistrimit të veturave të Kosovës, madje mund të thuhet se vendosja e qarkullimit të lirë, ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, është një faktor që ka ndikuar në rritjen e stabilitetit të vetë Maqedonisë. Njerëzit shkojnë e vijnë, tregtojnë dhe sërisht secili kthehet në vendin e vet, duke fituar një shpresë më shumë për daljen nga gëzhojat e vendeve të vogla të izoluara, ku u mbyllën në dekadën e kaluar, për shkak të shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Për shkak të politikave restriktive të vendeve të veçanta dhe frustrimeve që ato shkaktojnë, mbase ka ardhur koha për një pakt të vendeve ballkanike për qarkullim të lirë të njerëzve. Një pakt i tillë do të unifikonte rregullat e qarkullimit dhe të respektimit të dokumenteve të udhëtimit e të regjimit të vizave mbi parimet e reciprocitetit. Gjendja e tanishme vërtet duket paradoksale. Është bërë përparim në lehtësimin e qarkullimit të mallrave, ndërsa ka ngecur liria e qarkullimit të njerëzve.
XS
SM
MD
LG