Ndërlidhjet

POLICIA NDËRKOMBËTARE OFRON 50 000 EURO PËR INFORMATA LIDHUR ME VRASJEN E POLICIT


Bekim Bislimi

Komisioneri i Policisë së Kombeve të Bashkuara, Stefan Feller, ka njoftuar se do të ketë 50 mijë euro shpërblim për secilin që ka informacione, në bazë të të cilave do të kapeshin dhe dënoheshin vrasësit e policit ndërkombëtar nga India. Zoti Feller ka qartësuar se vrasja e djeshme e majorit Satosh Menon në veri të Kosovës, i cili ka qenë i angazhuar në policinë kufitare, ishte vrasje gjakftohtë dhe e qëllimshme e një polici, i cili nuk kishte pasur kurrfarë mundësie për t’u mbrojtur.
“Vrasja e cilitdo pjesëtari të policisë është akt tragjik, sepse paraqet sulm kundër vetë shoqërisë dhe rendit e ligjit, përfaqësues të të cilave janë vetë pjesëtarët e policisë”, tha zoti Feller, për të shtuar se vrasësit e majorit Menon kanë qenë të gatshëm të
vrasin cilindo polic, vetura e të cilit do të kishte ndaluar përpara pengesës, që ata kishin vënë në mes të rrugës. Zoti Feller tha se pavarësisht nga kjo vrasje, policia nuk do të ndalë punën e saj nga akte të këtilla qyqarësh dhe kriminelësh. Ai nuk pranoi të flasë për motivet e mundshme të kësaj vrasjeje, duke thënë se hetimet ende nuk kanë përfunduar.
“Nëse unë do të publikoja atë që tashmë dimë rreth kësaj vrasjeje dhe mbi autorët e mundshëm të kësaj vepre, do të zvogëloja mundësitë tona për të zbardhur rastin, prandaj nuk jam i gatshëm të flas për dëshmitë që kemi gjetur në vendin e ngjarjes”, tha zoti Feller. Ai nuk pranoi të komentojë lidhshmërinë e mundshme të kësaj vrasjeje, me incidentet e tjera që kanë ndodhur kohët e fundit, por vetëm tha se në krahasim me vitet e mëparshme, është vënë re një rritje e numrit të elementeve kriminale, që janë të gatshëm të mos respektojnë rendin dhe ligjin dhe të sulmojnë e kërcënojnë ata që përfaqësojnë rendin dhe ligjin. Duke komentuar ndërkaq njoftimet e disa mediave se
sulmin e ka kryer formacioni që veten e quan Armata Kombëtare Shqiptare, e cila tashmë nga administrata ndërkombëtare është shpallur organizatë terroriste, zoti Feller tha se nuk ishte në gjendje të konfirmojë apo përgënjeshtrojë këto njoftime.
Gjithsesi, komisioneri i Policisë së Kombeve të Bashkuara në fund bëri të ditur se autoritetet e rendit i kanë shtuar masat e sigurisë në gjithë Kosovën, jo vetëm për pjesëtarët e policisë, por për të gjithë qytetarët e Kosovës. Megjithatë, ai tha se këto masa nuk janë marrë në funksion të krijimit të një kufiri ndërmjet qytetarëve dhe policisë, por në funksion të bashkëpunimit në mes tyre për parandalimin e akteve të këtilla.
XS
SM
MD
LG