Ndërlidhjet

DEKLARATË QË NUK DO PRODHOJË KURRFARË EFEKTESH PËR STATUSIN FINAL TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Deklarata shtetërore e Serbisë për Kosovën që po përgatitet në instancat më të larta të Beogradit, në Prishtinë vlerësohet si vazhdim i politikës së Millosheviçt ndaj Kosovës. Kjo deklaratë, e cila paralajmërohet të ndërtohet mbi një konsensus të përgjithshëm serb, me të cilën Beogradi njofton se do të rikonfirmojë të drejtën e vet ndaj Kosovës, sipas përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, nuk do të prodhojë kurrëfarë efektesh sa i përket statusit të saj. Muhamet Hamiti, zëdhënës i kryetarit të Kosovës, thotë se kjo strategji është një provokim irritues dhe shton se Beogradi nuk mund të vendosë më kurrë për Kosovën dhe të ardhmen e saj:
“Ata nuk mund të vendosin më për Kosovën. Kjo ka marrë fund njëherë e mirë. Ky është edhe provokim për bashkësinë ndërkombëtare dhe me këtë le të merren ata, që i kanë llastuar politikanët e vegjël me pretendime të mëdha, trashëgimtarët e Millosheviçit, të veshur si politikanë serbë”, ka thënë Muhamet Hamiti, ndërkohë që, Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, thotë se Parlamenti i Kosovës nuk do të reagojë ndaj këtij provokimi, siç e quan ai, duke vlerësuar më pas se politika kosovare nuk do të mbështetet në reagime ndaj politikës së Beogradit, por kjo politikë sipas tij, do të udhëhiqet në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Tahiti, pohon gjithashtu, se këto nisma të Beogradit, nuk do ta pengojnë dialogun e paralajmëruar ndërmjet Prishtinës e Beogradit, për disa çështje praktike:
“Nuk prodhon efekte sa i përket dialogut, për arsye se pala kosovare është e gatshme t'a nisë dialogun dhe pala serbe do të bllokohet nga bashkësia ndërkombëtare, nëse fillon të vërë parakushte, pasi po të jetë statusi i Kosovës i paragjykuar të jetë në Serbi, atëherë nuk ka nevojë për bisedime”, thotë Tahiri.
Në anën tjetër, Muhamet Hamiti, vlerëson se provokimet e tilla që vijnë nga Serbia, patjetër që do të ndikojnë dhe në dialogun e paralajmëruar me Beogradin:
“Provokimet e llojit të një deklarate për Kosovën, që vijnë nga elitat komuniste, të djathta, të majta, kishtare, sido që t'i quani, unë them se i pamundësojnë dhe bisedimet për çështjet praktike që mund të kemi nevojë t’i zgjidhim, çështje që kanë mbetur si trashëgimi e luftës, sepse edhe për këto çështje, duhet vullnet reciprok”.
Hamiti tha gjithashtu, se Kosova mbetet në rrugën e saj për ndërtimin e një shteti të pavarur. Ndërsa Ramush Tahiri, vlerëson në vazhdim se politika serbe ndaj Kosovës, bie në kundërshtim dhe me përpjekjet e bashkësisë ndërkombetare në Kosovën e pasluftës:
“Nuk është misioni, mandati i UNMIK-ut këtu që t’i pacifizojë shqiptarët dhe t’ia kthejë Kosovën Serbisë. Përkundrazi është që t'a largojë sistemin serb njëherë e përgjithmonë nga Kosova dhe t’i parandalojë mundësitë që Serbia të dalë si forcë hegjemone, e cila do t'a torturonte përsëri rajonin", vlerëson Tahiri.
Ndryshe, miratimi i deklaratës serbe për Kosovën, sipas agjensive serbe, pret seancën e parë plenare të Parlamentit të Serbisë dhe sipas këtyre njoftimeve, përveç institucioneve të Serbisë, atë e kanë mbështetur koalicioni “Kthimi”, subjekt ky që përfaqëson minoritetin serb në kuadër të institucioneve të Kosovës, si dhe kisha ortodokse serbe.

XS
SM
MD
LG