Ndërlidhjet

VENDORËT KËRKOJNË NGA HARRI HOLKERI BARTJEN E PËRGJEGJËSIVE TEK INSTITUCIONET E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bartja e kompetencave nga administrata ndërkombëtare tek institucionet vendore, zhvillimi ekonomik, integrimi i komuniteteve në jetën shoqërore e institucionale dhe shumë çështje të tjera, janë prioritet të cilat përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, presin t’i diskutojnë në takimet e tyre të para me shefin e ri të UNMIK-ut Harri Holkerin. Zoti Holkeri do të qëndrojë në Kosovë më 13 dhe 14 gusht, dhe do të takohet me udhëheqësit vendorë, gjë që sipas kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi, do të jetë një rast i mirë për vënien e kontakteve dhe raporteve të para të bashkëpunimit mes dy pushteteve në Kosovë:
“Prioritetet tona janë: bartja e kompetencave, zhvillimi ekonomik, çështja e integrimit të komuniteteve, por edhe çështja e dialogut nuk mund të anashkalohet. Ne shpresojmë se Holkeri, me bekgraundin e tij, si ish-kryeministër i Finlandës do t’i kuptojë edhe më mirë nevojat e institucioneve të Kosovës dhe se do të vendosim një bashkëpunim shumë të ngushtë”, ka thënë kryeministri Bajram Rexhepi, i cili i bëri këto komente pas një takimi që sot ka zhvilluar me ushtruesen e detyrës së ambasadores së Austrisë në Beograd.
Ndërkohë në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, presin që shefi i ri i misionit të Kombeve të Bashkuara, të bartë sa më tepër përgjegjësi tek legjislacioni i Kosovës për miratimin e ligjeve. Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryeparlamentarit Nexhat Daci, thotë se ndërmjet prioriteteve që mund të shtrohen gjatë takimit të parë me Holkerin, janë dhe çështja e përfshirjes së institucioneve të Kosovës në politikën e jashtme, roli aktiv i vendorëve në përgjegjësitë e rezervuara për administratën e UNMIK-ut, siç janë çështja e sigurisë dhe drejtësisë. Tahiri vlerëson gjithashtu se Holkeri do të jetë kryeadministratori i fundit ndërkombëtar për Kosovën, pasi pas tij, ai parasheh se do të jetë faza e fundit e misionit ndërkombëtar në Kosovë:
“Unë konsideroj që Holkeri do të jetë përfaqësuesi i fundit në Kosovë. Janë shumë arsye, e një prej tyre është se tani është faza e fundit e ndërtimit të institucioneve në Kosovë, e në këtë bazë është dhe bartja e kompetencave. Po ashtu, misioni nuk guxon të zgjasë më shumë se që është paraparë, pra 4 deri në 5 vjet dhe duhet të dalë i sukseshëm dhe të gjitha kondidat janë se është i sukseshëm. Në anën tjetër, vëmendja e botës është në vendet tjera dhe Kosova nuk konsiderohet më si vend krize, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë, një prej prioriteteve që vet Holkeri e ka përmendur në intervista të ndryshme është vendosja e dialogut me Beogradin. Mirëpo, pas zhvillimeve të fundit në Beograd, paralajmërimeve për futjen e Kosovës në preambulën e kushtetutës së Serbisë, si dhe paralajmërimet për deklarata e memorandume të ndryshme për Kosovën, kryeministri Bajram Rexhepi mendon se këto zhvillime mund t'a pamundësojnë vendosjen e dialogut:
“Edhe pse ne nuk jemi shumë të interesuar t’i komentojmë deklaratat që miratohen në Beograd, nëse ata vazhdojnë me këtë strategji që Kosovën t'a shohin si pjesë të Serbisë, sigurisht që bisedimet i bëjnë faktikisht të pamundshme, prandaj ne kërkojmë edhe nga Bashkimi Evropian edhe nga të gjithë ata që kanë influencë, që të mos bëjnë një gabim të tillë, në mënyrë që të krijohet një klimë më e volitshme për bisedime”.
Sidoqoftë, tha Rexhepi, para se qeveria të marrë një vendim konkret rreth dialogut pas pozicionimit të fundit të Beogradit ndaj Kosovës, ai do të kërkojë një takim dhe qëndrim të përbashkët edhe nga presidenca dhe parlamenti i Kosovës.
XS
SM
MD
LG