Ndërlidhjet

FATMIR SEJDIU: ZGJIDHJA E STATUSIT FINAL PRAKTIKISHT MERR PËR FAKTOR THEMELOR POPULLIN E KOSOVËS


"…mund të them se Serbia, apo zyrtarët e saj më të lartë pikërisht këto ditë e kanë bërë të qartë edhe në Uashington se çështja themelore që i pengon ata janë praktikisht Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja. Nga ana tjetër, këta janë dy nga faktorët themelorë që kanë bërë që në Kosovë të kthehet paqja, të kthehet siguria, të kthehen njerëzit e saj" – thotë deputeti në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Sejdiu (LDK).

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni, a mund të kenë ndikim zhvillimet lidhur me kushtetutën e ardhshme të Serbisë dhe Malit të Zi në statusin përfundimtar të Kosovës?

FATMIR SEJDIU
Unë në radhë të parë mund të them se reagimi i sotëm i ndërkombëtarëve është i natyrshëm dhe njihet si reagim që është dhënë edhe më parë, në rastet kur bashkësia, apo kreatura e re shtetërore Serbi - Mali i Zi, bëri përfshirjen e Kosovës në preambulën e kushtetutës së këtij Unioni, sikur tash që po bën Serbia. Po ashtu në të njëjtën kohë kemi dhënë dhe reagimet tona institucionale nga ana e Kuvendit të Kosovës, qeverisë dhe institucioneve të tjera. Pra edhe presidenti ka reaguar se nuk mund të ketë asnjë qasje nga ana e një subjekti, i cili praktikisht nuk ka të drejtë që të flasë apo të parashtrojë çështje lidhur me Kosovën. Në këtë aspekt mendoj se pavarësisht nga ky fakt, vetë orientimi i Serbisë dhe i Malit të Zi dhe në këtë rast të fundit i Serbisë drejtpërdrejt, tregon qasjet e tyre të përsëritura nga kohët e mëhershme. Praktikisht mund të thuhet se vazhdon ajo aspiratë që e kishte edhe politika e Milosheviçit dhe politikat e tjera të serbëve ndaj Kosovës. Me këtë rast mund të them se qëndrimi ndërkombëtar duhet të jetë edhe më këmbëngulës. Natyrisht dihet që Kosova gjendet nën një administrim ndërkombëtar, i cili udhëhiqet në bazë të rezolutës 1244 dhe kornizës kushtetuese. Nga ky fakt ne e dimë po ashtu se përpjekja themelore ndërkombëtare dhe e Kosovës është në ndërtimin e institucioneve të mirëfillta demokratike në pritje të një zgjidhjeje përfundimtare, e cila siç parashihet edhe në rezolutën 1244, do të jetë një zgjidhje që praktikisht merr për faktor themelor popullin e Kosovës. Kjo është po ashtu e përfshirë edhe në kornizën kushtetuese të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët se faktori ndërkombëtar duhet të jetë më këmbëngulës. Në çfarë aspekti mendoni se ky faktor duhet të jetë këmbëngulës?

FATMIR SEJDIU
Po këmbëngulësia e tyre duhet të jetë pikërisht në vërejtjet edhe të mëhershme edhe në të gjitha aspektet e tjera, që kanë të bëjnë me këto qasje që ka Serbia dhe natyrisht të shtrëngohet pikërisht ajo, me nevojat thjesht të një bllokade të drejtpërdrejtë për qëllimet e integrimit që ajo ka në Evropë. Natyrisht që Serbia dëshiron inkorporimin e saj në rrjedhat evropiane dhe të tjerat, por do të marrë me vete një aneksim të ri, apo një agresion kushtetues, sikurse e kanë thënë disa nga gazetarët tonë. Po ashtu mund të them se Serbia, apo zyrtarët e saj më të lartë pikërisht këto ditë e kanë bërë të qartë edhe në Uashington se çështja themelore që i pengon ata janë praktikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja. Këto janë dy nga faktorët themelorë që kanë bërë që në Kosovë të kthehet paqja, të kthehet siguria, të kthehen njerëzit e saj. Natyrisht gjithë kjo përpjekje e Serbisë tash tregon dyfytyrësinë e saj, dhe po ashtu është një përpjekje për të krijuar një hendek edhe mes ndërkombëtarëve, që mendoj se nuk do t'a gjejë as këtë rradhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, nesër pritet që në Kosovë të arrijë kryeadministratori i ri Harri Holkeri. Sipas jush cilat do të duhej të ishin prioritetet e tij në Kosovë?

FATMIR SEJDIU
Mendoj se kryeadministratori i ri do të ketë shumë sfida para vetes. Natyrisht ai do të jetë një pjesë e kontinuitetit të qeverisjes ndërkombëtare në Kosovë, dhe në këtë bazë do të ketë parasysh edhe përvojat e administratorëve të mëparshëm dhe punën që ata kanë bërë në Kosovë. Faza në të cilën gjendemi është faza e pjekurisë, e arritjes së kulmit të qeverisjes ndërkombëtare në Kosovë, dhe bartja e përgjegjësive në institucionet e Kosovës nga pala ndërkombëtare…mund të themi që do të jetë nga proceset e para sfiduese. Proces tjetër, siç e ka paralajmëruar edhe vetë Harri Holkeri, do të jetë rimëkëmbja ekonomike, duke pasur parasysh një aksion të filluar tashmë në privatizimin e ekonomisë së Kosovës, të ndërmarrjeve të deritanishme apo të kapaciteteve të tjera, për të ristrukturuar një ekonomi të re dhe për t'a bërë Kosovën të gatshme për të hyrë drejtpërdrejt në rrjedhat evro-perëndimore. Harri Holkeri para vetes ka edhe sfida të tjera, sikur është çështja e kthimit të të gjithë qytetarëve të Kosovës që në forma të ndryshme e kanë lënë Kosovën, por që e dëshirojnë si atdhe të tyre. Ndoshta do të jetë dhe ajo që mund të quhet rrumbullakësim i gjithë procesit, përgatitja për të hyrë në bisedime rreth statusit të Kosovës apo, sikurse ne kërkojmë, të tregojmë që Kosova është e denjë për një njohje formale.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët procesin e transferit të pushtetit nga ndërkombëtarët te vendorët si njërin nga prioritetet e kryeadministratorit të ri. Sa punë është bërë deri tash lidhur me këtë çështje?

FATMIR SEJDIU
Mendoj se ka qenë një proces me një rrjedhë positive… megjithatë ka pasur edhe ngecje. Ngecjet themelore kanë qenë në ato fusha që ne i quajmë pak a shumë të ndjeshme, sikur është procesi i sigurisë, çështja e buxhetit apo çështje të tjera që kanë të bëjnë me pushtetet e rezervuara në drejtësi etj. Megjithatë mbi këtë bazë mund të themi se është përgatitur terren i mirë që të bëhet një transfer më dinamik i këtyre përgjegjësive, aq më tepër që mund të themi se faza në të cilën gjendemi kërkon pikërisht që kjo të vërehet, nga shkaku që të eleminohen disa keqkuptime të lindura nga nevoja e dypushtetësisë së njëhershme. Unë mendoj se institucionet e Kosovës kanë arritur një nivel të tillë, me të cilin janë në gjendje të përballen edhe me sfidat e reja dhe ky do të ishte një transfer i përgjegjësive drejtpërdrejt për të përmbushur sa më shpejt edhe ato që quhen standarte me status apo standarte para statusit, të paralajmëruara më herët nga ish-kryeadministratori i Kosovës.
Intervistoi Fatmir Bujupi.


XS
SM
MD
LG