Ndërlidhjet

B. HAXHIU:" GJATË MANDATIT TË HOLKERIT NUK DO VENDOSET STATUSI I KOSOVËS"


Baton Haxhiu, analist politik nga Prishtina

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, qeveria serbe ka miratuar propozim-deklaratën, me të cilën Kosovën e trajton si pjesë të Serbisë, pavarësisht nga administrata e Kombeve të Bashkuara. Deri në ç’masë mund të ndikojë një hap i tillë i qeverisë serbe në përpjekjet që po bëhen për relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

BATON HAXHIU
Këtu kemi dy momente, një prejudikim i statusit të Kosovës përmes letrës apo përmes shkronjave dhe një, të themi kështu, teatër politik, të cilin Serbia e ndërton karshi Kosovës, duke bërë
presion mbi bashkësinë ndërkombëtare që të fillojë t’a trajtojë Kosovën si pjesë të Serbisë. Mirëpo kjo nuk duhet t’i shqetësojë kosovarët, për arsye se qëndrimi i tyre është i vlefshëm dhe ka vlerë, po aq sa ka edhe qëndrimi i qeverisë serbe në këtë propozim-deklaratën e tyre. Ajo që duhet të kemi parasysh është se institucionet e Kosovës janë ato të cilat do të vendosin se ç’farë do të bëhet me të ardhmen e Kosovës. Nuk do të jenë vetëm institucionet e Serbisë ato që do të vendosin për të ardhmen e Kosovës. Çështja është se sa janë të gatshme institucionet e Kosovës që t'a marrin seriozisht një deklaratë të tillë. Idea është se institucionet e Kosovës duhet të ndërtojnë një strategji ashtu si e ka bërë Beogradi, domethënë, një projekt-deklaratë se cilat duhet të jenë bisedimet teknike, të cilat do të fillojnë në shtator dhe tetor dhe aty duhet të tregohemi seriozë, për arsye se, nuancat të cilat do të ndërtohen gjatë bisedimeve teknike, janë më shumë prejudikuese të statusit të Kosovës se sa kjo projekt-deklaratë. Nuk e marr seriozisht. E marr seriozisht vetëm me faktin se nuk e di se sa janë të gatshme institucionet e Kosovës që të përballen me një fushatë të tillë serbo-malazeze ose më mirë të themi, serbe. Kjo është më shumë një fushatë se sa një definim i statusit ose të ardhmes së Kosovës. Unë nuk i besoj kësaj dhe nuk më bind askush se Kosova mund të jetë nën juridiksionin e Serbisë. Kjo thjesht ka vdekur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviç ka thënë se esenca e kësaj deklarate do t’i shërbejë edhe kryeadministratorit të Kosovës, Hari Holkeri, si pasqyrë për gjendjen në Kosovë, meqë tashmë dihet se
zoti Holkeri do të vizitojë edhe Beogradin. Si e komentoni ju këtë çështje?

BATON HAXHIU
Së pari, Holkeri nuk do të vendosë për statusin e Kosovës. Ai është një njeri që operacionalizon misionin e OKB-së në Kosovë dhe nëse i besohet fjalisë së tij, e cila ka dalë menjëherë pas takimit me Ananin, e unë i besoj fjalive për arsye se rrjedhin në bazë të mandatit që ka, atëhere ai është në Kosovë për të bërë afrimin e serbëve dhe shqiptarëve dhe nuk ka mandat tjetër. Gjërat teknike
ose të lehta, operacionalizuese që mund të ndodhin ndërkohë, nuk kanë të bëjnë me statusin e Kosovës. Tani problemi është se si do të gjendemi ne me zotin Holkeri. Ai nuk ka mandat që të vendosë për statusin e Kosovës dhe nuk ka mandat asnjë kryeadministrator. Atë e bëjnë pesë shtetet, të cilat ne i quajmë kuinti apo shtetet e mëdha, të cilat do të vendosin për të ardhmen e Kosovës. Nuk është kryeadministratori ai që vendos vetë apo kryen vetë për të ardhmen e Kosovës. T’a harrojmë idenë se një kryeadministrator vendos vetë për çështje të rëndësishme siç është statusi. Unë mendoj se këtë duhet t’a kemi parasysh dhe nuk kemi nevojë të krijojmë armiqësi me Holkerin, për shkak të së ardhmes për Kosovës, për arsye se as nuk është njeriu që ka mundësi të vendosë për të ardhmen tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë jemi te kryeadministratori i ri, cilat çështje mendoni se duhet të emërohen si prioritete në agjendën e tij?

BATON HAXHIU
Ai e ka paralajmëruar agjendën e tij, domethënë, afrimin e shqiptarëve dhe serbëve. Kjo do të thotë se ai do të jetë këtu për një vit apo një vit e gjysëm dhe kryeadministratori tjetër do të ketë
mandatin për të nisur bisedimet për statusin. Ky kryeadministrator nuk do të ketë mandat për këtë. Ky do t'a ofrojë pozicionin e statusit por jo edhe të hyjë andej. E dyta, ajo që është më e rëndësishme, është shpejtimi i procedurës për biseda teknike dhe
shpejtimi i procedurës për privatizim. Nëse privatizohen atëherë nuk kemi se pse të frikohemi për statusin, për arsye se, nëse ekonomia e Kosovës është ajo, e cila de facto definohet përmes pasurisë të cilën do t'a trashëgojnë ose do t'a blejnë njerëzit, atëherë statusi është i vendosur. Domethënë, strategjia është sa më shumë privatizim dhe sa më shumë ekonomi apo tokë në duart e privatistëve apo njerëzve të biznesit. Elementi i tretë i cili duhet të jetë shumë i rëndësishëm, është trajtimi i ilegalitetit, i cili është shumë i shprehur në Kosovë. Kosova i ka institucionet e veta dhe nuk kemi nevojë të kthemi në gjendjen e viteve 1996-1998, për arsye se atëherë nuk kemi pasur institucione të Kosovës, dhe nuk kemi nevojë që të hyjmë në një bazë të re ilegale. Ajo e dëmton shumë të ardhmen e Kosovës dhe unë mendoj se duhet të gjendet një gjuhë në mes të UNMIK-ut dhe
institucioneve të Kosovës që të ndërpritet ilegaliteti, i cili ka filluar të shprehet në Kosovë.

Intervistoi Bekim Bislimi


XS
SM
MD
LG