Ndërlidhjet

HARRI HOLKERI FLET PËR PËRPARËSITË E MISIONIT TË TIJ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ne shpresojmë që misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë të përfundojë sa më shpejt dhe unë do të përpiqem për këtë, ka thënë sot në Prishtinë, shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri, duke prezantuar synimet e tij gjatë mandatit në Kosovë. Këto komente zoti Holkeri i ka bërë në konferencën e parë për shtyp në Prishtinë, pas takimeve me drejtues vendorë e ndërkombëtarë të Kosovës.
Fillimisht zoti Holkeri ka shprehur indinjatën e tij për rastin tragjik në afërsi të fshatit Gorazhdevc të Pejës ku u vranë dy pjesëtarë të pakicës serbe:
"Kur arrita dje, kënaqësinë time të ardhjes këtu e mbuloi hija e ngjarjes së tmersshme që kishte ndodhur në Gorazhdevc," tha në fillim kryeadministratori Holkeri, duke u shprehur ngushëllime familjeve të dhunës së djeshme dhe duke premtuar se UNMIK-u po bën gjithshka është e mundur që autorët e këtij krimi të sillen para drejtësisë dhe se për këtë çështje është njoftuar edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Ai tha se dëshiron të nënvizojë përgjegjësinë e liderëve të Kosovës për të bashkëpunuar me UNMIK-un që t'a luftojnë dhunën ndëretnike. "Unë u thashë liderëve se do të jem transparent dhe sapo të kthehem në Kosovë do t'a sjell me vete programin tim," tha Holkeri, duke premtuar se gjatë punës së tij, ai nuk do të ndikohet nga agjendat, opinionet dhe kritikat e të tjerëve:
"Unë jam përgjegjës para Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm dhe nuk dua të jem i bashkëqeverisur nga të tjerët," tha zoti Holkeri, duke shpjeguar se rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë pika orientuese e tij, pavarësisht nga qëndrimet që vijnë nga anë të tjera, por premtoi bashkëpunim me zyrtarët e UNMIK-ut dhe me drejtuesit vendorë, ndërkohë që siguroi se përkushtimi i bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën nuk është rrënuar, pavarësisht se në vendet e tjera të botës ka edhe sfida të tjera.
Duke shpalosur ndërkaq pikat kryesore të programit të tij, zoti Holkeri tha se ndër pikat kyçe është forcimi i sundimit të ligjit dhe lufta e e fortë kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit apo aktiviteteve ekstremiste. "Krimi i djeshëm e ka përforcuar përkushtimin tonë për realizimin e procesit të kthimit, që është një pikë po ashtu e rëndësishme në programin tim, bashkë me zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë demokratike dhe multietnike, gjyqësisë dhe policisë," ka thënë Holkeri, duke numëruar si pika të tjera afrimin e Kosovës me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, si dhe zhvillimin ekonomik:
"Ne do të ndjekim zotimet e bëra në samitin e Selanikut për të inicuar bisedimet direkte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjet praktike me interes të dyanshëm," tha zoti Holkeri, duke premtuar se do të kthehet në Prishtinë pas disa javësh, për të përmbushur misionin e tij.
Duke mos folur me terma kohore, shefi i ri i UNMIK-ut ka premtuar përfundim sa më të shpejtë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
"Është një shpresë e përgjithshme se misioni do të përmbushet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe unë do të punoj për këtë," tha Harri Holkeri, duke shtuar se ai mezi priste përmbushjen e këtij misioni, por jo gjithçka varet nga ai.
Pas dy ditësh të qëndrimit në Kosovë dhe pas takimesh me drejtues të UNMIK-ut dhe të institucioneve dhe të partive politike të Kosovës, të cilët janë shprehur të kënaqur nga fjalët e kryeadministratorit të ri, zoti Holkeri nesër në mëngjes udhëton për në Beograd, për t’u kthyer në Kosovë, siç tha vetë, pas disa javësh.




XS
SM
MD
LG