Ndërlidhjet

KËSHILLI I SIGURIMIT DISKUTOI PËR ÇËSHTJET E SIGURISË NË KOSOVË


Robert McMahon, Nju Jork


Në fjalimin e mbrëmshëm drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Çoviq e kritikoi ashpër rolin e forcave ndërkomëbtare të sigurisë në Kosovë. Çoviq i përmendi rastet e fundit të vrasjeve të serbëve etnikë në Kosovë dhe tha se Kombet e Bashkuara dhe forcat e prira nga NATO-ja në Kosovë duhet të jenë më efikase në hetimin e sulmeve, shumica e të cilave kanë mbetur pa u ndriçuar. Ai tha se forcat ndërkombëtare janë të pafuqishme për t'ia dalë në krye me terrorizimin e forcave shqiptare. "Është koha që Bashkësia Ndërkombëtare të shohë prapa dhe t'i vlerësojë rezultatet. Është e nevojshme të pranojë, pa kurrfarë drojesh dhe paragjykimesh, se aksionet e ekstremistëve shqiptarë dhe grupeve terroriste paraqesin kërcënimin më të madh për stabilizimin e Kosovës dhe rajonit në tërësi" tha Çoviq, duke rekomanduar një sërë hapash, siç janë çarmatosja e plotë në Kosovë, programe për mbrojtjen e dëshmitarëve në rastet kriminale, si dhe bashkëpunimin më të ngushtë ndërmjet forcave të sigurisë në Kosovë dhe forcave tjera në rajon. Çoviq gjithashtu bëri thirrje për hetime të plota ndaj Trupave të Mbrojtjes të Kosovës, deri në shpërbërjen e tyre të plotë.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit shfaqen keqardhje për rastet e fundit të dhunës me motive etnike kundër serbëve. Shumica e përfaqësuesve thanë se është mjaft e rëndësishme që udhëheqësit në Prishtinë dhe në Beograd t'i dyfishojnë përpjekjet e tyre për bashkëpunim në ngritjen e një Kosove shumë-etnike. Ambasadori britanik Emyr Jones Parry, ishte ndër të paktët që drejtpërsëdrejti iu përgjigj kritikave të Çoviqit. Ai i hodhi poshtë akuzat e zëvendëskryeministrit serb për mosveprimin e Bashkësisë Ndërkombëtare. Jones Parry tha se rastet e fundit të dhunës në Kosovë duhet lejuar që shoqëria kosovare edhe më tej të polarizohet. "Ata që janë në detyra përgjegjëse, duhet ta dinë se retorika e tyre duhet të përputhet me seriozitetin e situatës", tha ambasadori britanik John Parry.
Lidhur me vrasjet e fundit, zëvendës-ambasadori amerikan James Cunningham tha: "Këto hetime ende vazhdojnë dhe askush nuk duhet të nxjerrë konkludime, deri sa ato të përfundojnë dhe fajtorët të dalin para drejtësisë", tha Cunningham.
"Jemi të njohur me prononcimet e kryetarit Rugova dhe kryeministrit Rexhepi, të cilët poashtu i kanë dënuar aktet kriminale. Gjithashtu i mirëpresim edhe deklaratat e liderëve të Serbisë e Malit të Zi për reagim me përgjegjësi ndaj këtyre ngjarjeve", tha Cunningham, duke shtuar se këto akte të dhunës e dëmtojnë dhe janë kundër ardhmërisë së të gjithë kosovarëve.

Shumë përfaqësues të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit kanë thënë se "statusi final i Kosovës nuk mund të diskutohet përderisa të mos arrihen standardet kryesore demokratike".

Përfaqësuesi i Gjermanisë Wolfgang Trutwein kërkoi nga udhëheqësit shqiptarë dhe serbë t'i çojnë përpara zotimet e tyre për bisedime të drejtpërdrejta mbi çështjet teknike. "Situata aktuale e sigurisë, ashtu si dhe debati intern rreth kushtetutës së re serbe, nuk duhet marrë si pretekst nga politikanët kosovarë, që t'i ikin përgjegjësisë së tyre për një Kosovë paqesore dhe stabile. Ne atyre u bëjmë thirrje të përqendrohen në hapat e ardhshëm", tha zëvendës-amasadori gjerman.

XS
SM
MD
LG