Ndërlidhjet

KAOSI SI NJË STRATEGJI ANTI-AMERIKANE


New York Times

Ky sulm paraqet një dëshmi të tmerrshme të një strategjie të re të forcave anti-amerikane për të treguar se Shtetet e Bashkuara nuk po mund garantojnë rregull dhe për t'i frikësuar dhe larguar organizatat që që po rikonstruktojnë Irakun.
Oficerë ushtarakë dhe ekspertë të terrorizmit thonë se shpërthimi i djeshëm në Bagdad është në kuadër të mozaikut të sulmeve aktuale në ujësjellës, në sistemin e gypave të naftës dhe në ambasadën e Jordanisë, megjithëse ata theksojnë se është shumë herët për të zbuluar ndonjë lidhje ndërmjet sulmeve.

Gjatë javëve të fundit terroristët kishin ndërmarrë sulme pothuajse të përditshme kundër ushtrisë amerikane. Por, pas shpërthimit të fundit ekziston një besim në rritje se luftëtarët anti – amerikanë, pa marrë parasysh origjinën dhe qëllimet e tyre, e kanë miratuar një strategji që të mos sulmohen vetëm pjesëtarët e forcave aleate, por edhe të përhapet frika duke shkatërruar zyrat dhe kapacitetet publike.

Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka thënë se "çdo shenjë e progresit në Irak e shton dëshprimin e terroristëve dhe të mbetjeve të regjimit brutal të Saddam Hussein-it. Bota e civilizuar nuk do të frikësohet dhe këta vrasës nuk do ta përcaktojnë të ardhmen e Irakut" – ka thënë presidenti Bush.
Sulmet në ambasadat e jashtme, në selitë e organizatave ndërkombëtare dhe në sistemet e gypave të ujit dhe të naftës, duket se synojnë ndaljen e përmirësimeve të kushteve të jetesës për irakianët e zakonshëm.

Analisti ushtarak Loren Thompson nga instituti Leksington thotë se "qëllimi është që të pengohen forcat amerikane okupuese për ta qetësuar Irakun" duke shpejguar se "nëse Iraku është në një kaos të vazhdueshëm, Shtetet e Bashkuara kurrë nuk mund të lëvizin në shkallën e ardhshme".

Për këtë sulm askush nuk e mori përgjegjësinë, por duket se është e qartë se çfarëdo përmirësimi i standardit të jetesës së irakianëve nga kundërshtarët e okupimit shihet si fitore për Shtetet e Bashkuara dhe për përpjekjet e saj për të krijuar një Irak stabil dhe demokratik.

Shpërthimet me makina dhe kamionë janë shenja të taktikës së terrorizmit religjioz në Lindjen e Mesme. Teknika ishte përdorur nga Hezbollahu dhe luftën e tij kundër Izraelit, ndërsa gjatë dy dekadave të fundit ishte përhapur në mbarë botën, përfshirë këtu sulmet kundër dy ambasadave amerikane në Afrikën Lindore, që sipas agjencive të zbulimit kishin atribute të Al – Kaidës.

Një zyrtar i Pentagonit kishte thënë se shërbimi sekret i Saddam Husseinit ishte i stërvitur edhe për këto metoda dhe se Qeveria e Bagdadit ishte akuzuar për planifikim të sulmit me makinë – bombë për të bërë atentat kundër ish presidentit amerikan George Bush në Kuvajt në vitin 1983.

Një zyrtar ka thënë se "arbitrarisht nuk mund t'i eliminoni elementet e regjimit si të involvuara në këto sulme, sepse ato ishin të përgatitura për këtë teknikë".
XS
SM
MD
LG