Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI I KOSOVËS I SHPREHU NGUSHËLLIME KOFI ANANIT DHE FAMILJES DE MELLO


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi u ka dërguar telegrame ngushëllimi familjes së Sergio Vieira De Mellos, përfaqësues i lartë i UNMIK-ut në Irak që humbi jetën dje në një sulm kundër selisë së misionit të KB në Bagdad. Kryeministri Rexhepi e vlerësoi lart figurën e zotit De Mello, i cili ishte edhe shefi i parë i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë më 1999. "Një njeri i madh që ka kontribuar shumë dhe ka qenë gjithmonë aty ka ekzistuar rreziku. De Mello ka bërë përgatitjen e stafit të UNMIK-ut në Kosovë," tha kryeministri Rexhepi, pas një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës, e para në përbërje të plotë pas pushimeve të verës. Pas kësaj mbledhjeje ku është folur për çështje të sigurisë, kryeministri Rexhepi tha se institucionet e Kosovës janë shumë më të interesuara se UNMIK-u për të ndërtuar një vend të sigurt. Prandaj,nga zëvendëskomisioneri i policisë Tom Hacker që ka marrë pjesë në këtë mbledhje është kërkuar që institucionet e Kosovës të njoftohen me kohë dhe nga dora e parë për incidentet eventuale.
"Kërkuam që në të ardhmen, edhe pse paraprakisht ka qenë marrëveshja që të informohemi, kërkuam që për çdo rast të tillë, kryeministri të informohet menjëherë, siç informohen edhe strukturat e tjera, në mënyrë që qeveria të reagojë në momentin e duhur, jo pse ne kemi kompetenca në çështje të sigurisë, por politikisht mund të ndikojmë në momentin e duhur dhe jo të informohemi nga gazetat që u pranua nga ta", tha Rexhepi.
Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi e quajti të arsyeshme këtë kërkesë, me gjithë faktin se institucionet e Kosovës nuk kanë kompetenca në fushë të sigurisë dhe kjo kërkesë ka ardhur pas një debati në KS të OKB-së për sigurinë në Kosovë ku është thënë se dënimi verbal i dhunës nuk është i mjaftueshëm, por institucionet vendore duhet të angazhohen më shumë për parandalimin e krimeve. "Në bazë ligjore nuk kemi kurrfarë kompetencash në çështje të sigurisë, por për siguri sa është i interesuar UNMIK-u, ne jemi shumë më të interesuar, pasi ne jemi ata që humbim dhe e paguajmë çmimin më të madh", tha kryeministri Rexhepi, duke thënë se institucionete Kosovës janë të interesuara për një ambient më të përshtatshëm për të ardhmen e Kosovës dhe do të përpiqen të ndikojnë sa të kenë mundësi në ato segmente ku kjo mund të bëhet.


XS
SM
MD
LG