Ndërlidhjet

RIZA HALIMI: SULMI NDAJ SHTËPISË SË KULTURËS AKT TERRORIST I ORIENTUAR DREJTPËRDREJT NË RREZIKIMIN E JETËS SË TË RINJVE


EVROPA E LIRË: Zoti Halimi, si është gjendja e dy të plagosurve mbrëmë dhe cilat janë informacionet më të fundit mbi autorët apo qëllimin e sulmit?

RIZA HALIMI: Që në fillim më duhet të them se të plagosurit kanë marrë lëndime të natyrës së lehtë. Ndërsa sulmi, me aq sa dihet deri tani, ishte i orientuar kundër Shtëpisë së Kulturës, që është në orët e mbrëmjes një vend mbledhje i të rinjve. Prej një distance që nuk dihet me saktësi, por nga afro 500 metra largësi janë gjuajtur tre projektile, dy prej të cilave kanë qëlluar oborrin, ndërsa i treti është ndalur në kulmin e një shtëpie, pranë Shtëpisë së Kulturës.
Dy të parat shkaktuan lëndimin e drejtpërdrejtë të njërit prej fëmijëve, kurse e dyta, një vajzë, u lëndua gjatë panikut të krijuar, dmth pati lëndime të shkaktuara në mënyrë indirekte nga sulmi.
Mund të thuhet se kemi të bëjmë me një akt terrorist të orientuar drejtëpërdrejt në rrezikimin e jetës së të rinjve, në një vend ku ata mblidhen rëndom.
Tani natyrisht i mbetet organeve të rendit, të jenë shumë më efikase se më parë për të zbuluar autorët e një vepre makabër, e cila ka mundur të ketë pasoja shumë të rënda, por fatmirësisht këtë rradhë kaloi me këto dy lëndime të dy fëmijëve.

EVROPA E LIRË: Si po funksionon policia shumëetnike dhe sa kanë pushtet institucionet vendore për mbarëvajtjen e situatës atje?

RIZA HALIMI: Sa i përket policisë shumëetnike, dhe në përgjithësi policisë lokale, ato janë në komptenca të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ene nuk është realizuar paralajmërimi, që policia lokale të jetë në kompetenca të drejtpërdrejta të pushtetit lokal. Edhe më parë ne kemi deklaruar se kjo polici është në formim e sipër, vecanërisht pas kurseve të zhvilluara vitin e kaluar. Është përmirësuar struktura etnike e policisë lokale, vecanërisht në Preshevë, mirëpo ende ata nuk i kanë të gjitha kompetencat për të ruajtur rendin dhe sigurinë në tërë territorin e komunës së Preshevës, por dhe më gjerë, në kuadër të tre komunave të Luginës së Preshevës.
Në këtë drejtim kompetencat më të mëdha i kanë forcat e xhandërmarisë, që janë të pranishme në këtë territor, madje në disa pjesë kufitare është edhe ushtria e Serbisë dhe Malit të Zi.
Kështu që mund të them se ende policia shumë etnike apo ajo lokale nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të ruajtur rendin dhe qetësinë në Luginë të Preshevës.

EVROPA E LIRË: Cilat janë rrugët që ju si përfaqësues të shqiptarëve atje mendoni se duhen ndjekur për të pasur një gjendje normale sigurie në Luginën e Preshevës ?

RIZA HALIMI: Sigurisht që rruga e vetme është që me presionet politike, të cilat i kemi zbatuar dhe deri tani, ndonëse ishte dashur të ishin më intensive dhe më të koncentruara nga të gjitha subjektet politike, që të përshpejtohet procesi i zgjidhjes politike të krizës në Luginë të Preshevës.
Në këtë kuptim kompetencat e pushtetit lokal të rriten, të njihen të gjitha specifikat, të cilat në këtë Luginë ishte dashur që në bazë të Konventave ndërkombëtare t'i ketë popullata shqiptare; këtu kam parasysh të drejtat në aspektin kulturor, në aspektin e të gjitha specifikave të tjera që këtu janë në shekuj të pranishme. Dhe në këtë drejtim besoj se duke u zgjidhur dhe cështja e të drejtave kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, paralel me forcimin e pushtetit lokal, do jetë një rrugë që në mënyrë më efikase do të zgjidhë problemet dhe do të ulë tensionet.
Në këtë drejtim, mendoj se esenca për zgjidhjen e problemeve të sigurisë, është që në vend të forcave speciale të gjitha kompetencat gradualisht me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por dhe të OSBE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, sa më shpejt policia lokale shumë etnike të jetë në gjendje të marrë përgjegjësinë komplete për rendin dhe sigurinë.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO

XS
SM
MD
LG