Ndërlidhjet

BIEBER:DEKLARATA, PËRPJEKJE E QEVERISË PËR TË FITUAR MBËSHTETJE BRENDA SERBISË


Florian Bieber, ekspert pranë Qendrës Evropiane për Pakicat

EVROPA E LIRË
Zoti Bieber, Cfarë përfaqëson deklarata e qeverisë serbe mbi Kosovën e cila po diskutohet në Parlamentin e Serbisë?

FLORIAN BIEBER
Mendoj se deklarata në një shkallë të madhe është publicitet për qëndrimet e qeverisë. Nuk ka dicka të re lidhur me përmbajtjen e saj. Mendoj se më së shumti kjo ka të bëjë me përpjekjet e qeverisë për të fituar sa më shumë mbështetje brenda vetë Serbisë për politikën e qeverisë; të fitojë ndoshta deri diku dhe një mbështetje nga partitë e tjera politike, pse jo dhe nga ato të opozitës.
Sa i përket përmbajtjes nuk shoh ndonjë ndryshim krahasuar me politikat e mëparshme të qeverisë. Në një pjesë të konsiderueshme është dhe përgjigje ndaj incidenteve të fundit në Kosovë. Dhe mendoj se në këtë kuadër duhet parë, përpara se të shihet si ndonjë ndryshim madhor në politikat e deritashme serbe, apo si synim i qeverisë serbe për të pasur një platformë reale për Kosovën.

EVROPA E LIRË
Partia e Koshtunicës dhe ajo e Sheshelit kanë mbështetur deklaratën. Cfarë do të thotë kjo për evolucionin e politikës serbe?

FLORIAN BIEBER
Kjo nuk është befasi e madhe për mua, pasi në një shkallë të madhe nuk ka kundërshtime apo dallime në pozicionet e qeverisë serbe dhe partive në fjalë mbi këtë cështje. Ka pasur diskutime në të shkuarën ku socialistët dhe radikalët kanë propozuar se duhet të ketë kërkesa konkrete për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, por në fakt ka shumë pak realizëm në këtë kërkesë. Mendoj se janë vetëm përpjekje të vogla për të fituar mbështetje politike brenda vendit.
Thelbi është se kjo deklaratë apo ky qëndrim i qeverisë është me vlera vetëm për shfrytëzim të brendshëm, për përkrahje më të madhe brenda dhe duket sikur pasqyron shqetësimet e bashkësisë serbe në Kosovë, ndaj nga kjo pikëpamje është shumë kundërshtuese dhe brenda vetë segmenteve të politikës apo parlamentit në Serbi.

EVROPA E LIRË
Sa do ndikojë një deklaratë e tillë në bisedimet e ardhshme teknike mes Kosovës dhe Serbisë dhe a mund të ketë ndikim në statusin përfundmitar të Kosovës?

FLORIAN BIEBER
Nuk mendoj kështu. Nëse shihet qëndrimi i qeverisë, i cili është propozuar dhe ka kaluar dhe në komisionin parlamentar për Kosovën nuk besoj se ka një lëvizje të madhe në qëndrimin e qeverisë krahasuar me pozicionin e mëparshëm.
Nderkaq këmbëngulja e qeverisë për ta përcaktuar Kosovën si pjesë ekskluzive të Serbisë është dicka që mund të vështirësojë bisedimet e ardhshme teknike mes udhëheqësve të Kosovës dhe qeverisë serbe.
Por nuk mendoj se qëndrimi i fundit shënon një ndryshim radikal në politikën e qeverisë. Dhe në fakt vështirësitë që kanë qenë janë ende aty dhe ato janë të konsiderueshme. I vetmi ndryshim potencial është se qeveria ka bërë shumë publicitet duke folur rreth Kosovës dhe nëse shohim raportet e mediave në javët e fundit në Serbi, pas një mungese të Kosovës në to, pas incidenteve të fundit ka pasur një prani të Kosovës në media duke përdorur dendur shprehje te tilla si terroristët shqiptarë etj. Kjo ka të bëjë me krijimin e një opinioni publik dhe kjo mund të ketë pasoja negative krahasuar me një periudhë më pak të pakëndshme në të shkuarën, kur ka pasur disa fushta mediash mbi Kosovën, cfarë do ndikojë në cfarëdo bisedimesh.
Intervistoi Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG