Ndërlidhjet

H. HOLKERI: TË RUHET HAPI I BISEDIMEVE PRISHTINË-BEOGRAD


Intervistë me Kryeadministratorin e Kosovës, Harri Holkeri

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat kanë qenë temat kryesore të diskutimit të sotëm të Grupit të Kontaktit në Moskë?

HARRI HOLKERI
Ne kishim dy çështje kreysore: çështjen e sigurisë dhe atë të dialogut midis Prishtinës e Beogradi, dialog ky, i cili kishte hedhur bazat në takimin e Bashkimit Evropian në Selanik. Tani ne duhet ta ruajm hapin për fillimin e këtyre bisedimeve. Tani çështja është kur, si dhe ku do të fillojnë këto bisedime. Ashtu siç është vendosur këto bisedime do të lidhen me çështjet praktike në mënyrë që të ndihmojmë përditshmërinë e njerëzve në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me dialogun për çështjet teknike, çfarë ishte opinioni i vendeve të Grupit të Kontaktit dhe çfarë ju sugjeruan juve?

HARRI HOLKERI
Patem një diskutim shumë të mirë dhe konstruktiv me të gjithë përfaqsuesit e Grupit të Kontaktit dhe pamë se të gjithë kemi interesa të përbashkëta në mënyrë që të ecim përpara sa më shpejt që të jetë e mundur. Grupi i Kontaktit më dha mbështetjen e tij dhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimi me këto vende, si dhe me Bashkimin Evropian dhe me ndërmjetësit e tjerë, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat ishin shqetësimet konkrete që diskutuat sot lidhur me gjendjen në Kosovë?

HARRI HOLKERI
Natyrisht, ka një mori detajesh që duhet të shpjegohen, para se të fillojnë diskutimet. Ne duhet të vendosim, për shembull, se si do t'i formulojmë modalitetet, por unë jam i bindur se kjo punë mund të bëhet në një të ardhme jo të largët dhe për të mirën e të gjithëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Holekri, çfarë mesazhi do t'u dërgoni liderëve të Kosovës nga këto takime kur të ktheheni në Prishtinë, javën e ardhshme?

HARRI HOLKERI
Deri tani kam pasur bisedime të dobishme me ta dhe jam shumë i sigurt se ata janë në drejtimin e duhur lidhur me këto bisedime. Por, natyrisht do t'i informoj ata me detaje për të gjitha idetë e diskutuara në këto takime kur të kthehem në Prishtinë. Sigurisht që në një mënyrë më të hollësishme se sa kam pasur rast të bisedoj deri tash.

RADIO EVROPA E LIRË
A është diskutuar për ndonjë datë konkrete për fillimin e bisedimeve midis Prishtinës e Beogradit?

HARRI HOLKERI
Jo, nuk ka ndonjë datë të saktë. Por, kjo do të caktohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Holkeri a mund të na shpjegoni me detaje këtë turne tuajin?

HARRI HOLKERI
Kam filluar punën në Kosovë para dy javësh dhe pas konsultimeve atje unë doja të takohesha me të gjithë ndërmjetësit. Kështu erdha në Moskë për t'u takuar me ministrin e jashtëm të Federatës ruse, Igor Ivanov dhe me përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, në të cilin përfshihen vendet kyçe të Këshillit të Sigurimit, vende që kanë përgjegjësinë kryesore lidhur me misionin në Kosovë. Pas këtij takimi unë do të vazhdoj në Gjenevë e Bruksel dhe më pas do të kthehem në Prishtinë. Por, unë do të vazhdoj udhëtimet e mia në kryeqytetet kryesore të vendeve evropiane, si në Londër, Paris, Berlin, Romë dhe Madrid.
Intervistoi: Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG