Ndërlidhjet

9/11: DY VJET LUFTË KUNDËR TERRORIZMIT DHE NDIKIMI I SAJ NË BALLKAN


Eugen Tomiuc

Dy vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, vendet e Evropës Juglindore, siç janë Bullgaria dhe Rumania janë pozicionuar si aleatë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.
Këto vende kanë kontribuar me trupa e pajisje ushtarake në fushatën në Afganistan dhe kanë ofruar territoret e veta për vendosjen e bazave ushtarake amerikane. Rumania ka dërguar rreth 500 trupa në Afganistan ndërsa Bullgaria 100.
Politikisht Rumania dhe Bullgaria së bashku me vendet e tjera të Evropës Qëndrore dhe Lindore, pa mëdyshje janë vendosur bri Shteteve të Bashkuara edhe në rastin e Irakut.
Rumania e Bullgaria deri para sulmeve të 11 shtatorit krahasoheshin me vendet e tjera të Evropës Qëndrore lidhur me reformat drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Por shumë gjëra kanë ndryshuar pas sulmeve në fjalë, pasi këto vende paraqisnin interes për Uashingtonin në luftën kundër terrorizmit.
Xhefri Gedmin, analist pranë institutit amerikan Aspen, thotë: "Për disa vende, si Rumania dhe Bullgaria, një qëndrim i tillë ishte shumë përfitues", thotë Gedmin, sipas të cilit qëndrimi i tyre ndikoi në përshpejtimin e reformave.
Por Rumania dhe Bullgaria nuk ishin të vetmet vende të rajonit, të cilat morrën një pozicion të tillë dhe të mund të përfitonin nga ky qëndrim proamerikan. Laza Kekiç, ekspert për Ballkanin pranë njësisë ekonomike të inteligjencës në Londër, thotë se sulmet e 11 shtatorit ribënë strategjinë amerikane për Ballkanin.
"Që atëherë vendet e Ballkanit nuk po perceptohen më nga Shtetet e Bashkuara thjesht si një mision paqeruajtës i kushtueshëm dhe i parëndësishëm.
Shtetet e Bashkuara ripanë krejt strategjinë e tyre në Ballkan dhe shtynë për një kohë tjetër apo thjesht i hodhën poshtë planet ekzituese të asaj kohe, për t'u tërhequr apo për të zvogëluar në maksimum praninë e tyre në vende si Bosnja dhe Kosova. Mendoj se ky është rezultati më konkret", thotë Kikiç.
Megjithatë ky i fundit shton se tërë rajoni nga vendet Balltike në Ballkan është më i sigurt për investitorët e huaj.
"Evropa Qëndrore dhe Lindore është më pak e kërcënuar nga rreziqet e sigurisë, që kanë prekur një numër rajonesh, probleme që lidhen me terrorizmin apo pasoja të tij. Kështu po ndodh me rajone si Lindja e Mesme apo Azia, të cilat në fakt janë rajone konkuruese me Evropën Lindore", sqaron Kekiç.
Nga ana tjetër angazhimi i këtyre vendeve në luftën kundër terrorizmit e ka faturën e vet dhe kjo lidhet me pasoja në buxhet apo dërgimin e trupave në vende problematike të botës.
Eksperti Gedmin thotë:
"Disa vende e shohin veten para sfidave. Mendoni për shembull Poloninë, e cila po luan një rol të rëndësishëm në Irak. Ky rol do të thotë financa, logjistikë në komunikim, trupa e me rradhë. Në çdo kohë që ju kryeni shërbime që i kalojnë kapacitetet tuaja të rëndomta, kjo do të ndikojë në buxhet. Por më duhet të them se kjo është sfida e vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore", përfundon Gedmin.

XS
SM
MD
LG