Ndërlidhjet

MBETURINAT APO LUFTËTARËT E LIRISË


ECONOMIST

Sërish qarkullojnë nëpër erë fjalët për Shqipërinë e Madhe, e cila nëse realizohej, do të shkaktonte kaos në Ballkan. Këtë herë janë guerilët e Armatës Kombëtare Shqiptare ata që duan ta përhapin këtë fjalë. Ata dëshirojnë t'i bashkojnë bashkëkombasit e tyre në Kosovë, gjetkë në Serbi, Mal të Zi, Greqi, Maqedoni dhe Shqipëri.
Dhuna e tyre e fundit i ka shkundur dhe zemëruar rëndë politikanët dhe diplomatët e Ballkanit, veçanërisht në Prishtinë dhe Shkup, kryeqytetet e Kosovës dhe Maqedonisë. Aksionet e tyre e minojnë qeverinë e brishtë të koalicionit në Maqedoni, ku pakica shqiptare dhe shumica sllavomaqedonase me nervozizëm e ndajnë pushtetin.
Pas hedhjes në erë të një ure në veri të Kosovës, ish shefi i UNMIK-ut Michael Steiner e shpalli AKSH-në organizatë terroriste. Grupi kohë pas kohe e ka sulmuar ushtrinë serbe në Serbinë e jugut, dhe ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin në gjykatën e Strugës në muajin shkurt. Por muajve të fundit, i ka shtuar aktivitetet. Në zonën përgjatë kufirit Kosovë-Maqedoni ka vrarë disa njerëz, ndërsa qindra fshatarë shqiptarë i kanë lëshuar shtëpitë e tyre afër Kumanovës nga frika e përleshjeve.
AKSH-ja thotë se dëshiron t'i riadresojë kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë: "Lufta në Maqedoni dëshmoi se shteti shumë etnik është fallso. Qeveria e Maqedonisë nuk mund të pranojë se shqiptarët kanë të drejta të barabarta, dhe pret vetëm shkas për të ushtruar dhunën", duke shtuar se në planin afatgjatë, grupi e parashikon një Shqipëri të Madhe, që do t'i përfshinte të gjithë shqiptarët.
Në fakt, AKSH-ja përfaqëson vetëm disa shqiptarë etnikë. Përbëhet nga 50 deri 70 trafikantë të cigareve të mbledhur nga të dy anët e kufirit me Kosovën. Dhuna e tyre e fundit kryesisht ishte nxitur për të penguar policinë e Maqedonisë t'i mbyllë kanalet e trafikimit dhe t'i burgosë. Deputeti Hysni Shaqiri e përshkruan komandantin e divizionit Avdil Jakupin, të njohur me nofkën Çakalla si "pacient mental dhe të droguar". Ndërkaq një brigadier britanik, këshilltar në ministrinë e Mbrojtjes të Maqedonisë e quan AKSH-në "kriminelë që e valëvitin flamurin politik dhe kërkojnë legjitimitet".
Por shqetësimet shfaqen nga reagimi i tepruar i autoriteteve të Maqedonisë.
Deputeti Hysni Shaqiri tha se partia e tij, Bashkimi Demokratik për Integrim do të dalë nga qeveria nëse policia dhe ushtria maqedonase vrasin ndonjë civil. Muajin e kaluar, të huajt duhej ta bindin Ali Ahmetin ta mbajë partinë në qeveri. Ai dhe njerëzit e tij janë ankuar se sllavomaqedonasit nuk i kanë konsultuar sa duhet për mënyrën e reagimit ndaj sulmeve të AKSH-së.
Tensione nuk ka vetëm në anën e Maqedonisë. Tre partitë kryesore shqiptare të Kosovës thonë se pavarësia është vonuar, dhe druajnë nga ajo që e shohin si ndikim në rritje të Serbisë në Uashington dhe selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj e dënon AKSH-në, por thotë se "njerëzit janë të frustruar sepse në Kosovë nuk ka progres drejt statusit final, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk shfaq përkushtim për ta zgjidhur atë".
XS
SM
MD
LG