Ndërlidhjet

HOLKERI: UNMIK-U DHE INSTITUCIONET E KOSOVËS JANË PARTNERË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Harri Holkeri, tha sot se vështirësia kryesore për të filluar bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit është koha tepër e shkurtër që kemi përpara, ndërkohë që takimi i Grupit të Kontaktit më 23 shtator në Nju Jork është i një rëndësie vendimtare:
“Takimi do të mbahet më 23 dhe do të jetë vendimtar në kuptimin që nëse do të kemi mjaft fat dhe të jemi të suksesshëm, duke i pasur të gjitha palët, do të mund ta shpallim fillimin e procesit të dialogut shumë shpejt”, tha zoti Holkeri.
Ai megjithatë nuk ka dashur të shpjegojë se cila është lista e çështjeve, për të cilat do të diskutohet, por tha ai, parimisht do të shtrohen çështjet, për të cilat është arritur pajtueshmëria në Selanik dhe nuk do të ketë shmangie nga ato propozime si një pikë fillestare. Megjithatë, tha Holkeri ne nuk do të zbatojmë modelin qipriot, sipas të cilit për asgjë nuk ka marrëveshje, përderisa nuk ka një marrëveshje të plotë, por ne do të shkojmë paralelisht për të diskutuar çështjet njëra pas tjetrës, pasi kryesorja është që njerëzit e thjeshtë të ndihmohen për t'a pasur më të lehtë jetën e përditshme, meqënëse edhe bëhet fjalë për çështje teknike.
Duke shpjeguar ndërkaq, arritjet e deritanishme në konsultimet që ka patur me zyrtarë ndërkombëtarë dhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, zoti Holkeri tha se vështirësia kryesore aktualisht është koha tepër e shkurtër që kemi deri në bisedime, dhe jo mospajtimet për agjendën apo për ndërmjetësuesin:
“Pas konsultimeve ne jemi afruar deri në pikën, kur unë mund t’i bëj të ditura propozimet si të fillojë procesi dhe të gjitha palët i kanë pranuar linjat kryesore në të cilat duhet filluar dialogu teknik”, tha Holkeri, sipas të cilit nëse duhet të kemi bisedime, ato duhet të fillojnë menjëherë, sepse tashmë një mundësi për fillimin e bisedimeve është lëshuar në Selanik. Ai ka siguruar se UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës janë partnerë dhe vetëm si të tillë mund të kenë sukses, prandaj, tha ai, unë do të vazhdoj takimet me partnerët e mi në Kosovë. Zoti Holkeri tha se këta partnerë janë edhe serbët e Kosovës, të cilët do të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës dhe jo pjesë e delegacionit të Beogradit, i cili do ta ketë delegacionin e tij.

XS
SM
MD
LG