Ndërlidhjet

RIZA HALIMI KËRKON PJESËMARRJE NË BISEDIMET TEKNIKE PRISHTINË- BEOGRAD


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shqiptarët e Luginës së Preshevës synojnë të jenë pjesë e bisedave të paralajmëruara për çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka deklaruar sot në Prishtinë, prefekti i qytetit të Preshevës, Riza Halimi. Sipas tij, pikërisht zgjidhja e disa problemeve teknike, ka rëndësi thelbësore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për sigurimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve në të dyja anët e kufirit dhe për bashkëpunimin kulturor të këtij rajoni me Kosovën.
Zoti Halimi i ka bërë këto deklarata pas një takimi me kryeparlamentarin Nexhat Daci, ndërsa shoqërohej nga përfaqësues shqiptarë nga Bujanoci e Medvegja:
"Që në fillim i kemi përshëndetur paralajmërimet për fillimin e shpejtë të bisedave dhe normalisht, kur është fjala për çështje teknike dhe për pika përputhëse me tonat, jam i bindur se do të kyçen edhe përfaqësuesit e Luginës në mënyrë aktive", është shprehur Riza Halimi, i cili së bashku me bashkëvendësit e tij, është takuar edhe me kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova, ku tha se do të ishte e natyrshme që shqiptarët e Luginës të jenë në përbërjen e delegacionit të Serbisë:
"Do të ishte e llogjikshme që në këto biseda, serbët e Kosovës të kyçeshin në delegacionin e Kosovës, ndërsa shqiptarët e Luginës në delegacionin e Republikës së Serbisë", tha zoti Halimi. Kjo deklaratë e përfaqësuesit të komunës më të madhe shqiptare në Luginën e Preshevës, ka ardhur pas një qëndrimi të padefinuar të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, të cilët nuk kanë arritur të thonë me saktësi nëse do të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës apo e atij të Serbisë.
Sidoqoftë, sipas zotit Halimi qëllimi i takimeve të tij me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, ishte përpjekja për të zgjidhur problemet në Luginën e Preshevës, sidomos problemet në fushën e arsimit, në kohën kur shqiptarët e atjeshëm kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit e Serbisë, që të lejohet shfrytëzimi i teksteve shkollore nga Kosova për nxënësit e atjeshëm.
Mirëpo, tha Halimi, edhe arsimi edhe problemet e tjera hyjnë në çështje teknike dhe mund të jenë pjesë e bisedimeve Prishtinë-Beograd:
"Natyrisht që ka edhe çështje të tjera përveç arsimit, që do të mund të hynin në kuadër të bisedimeve teknike Prishtinë-Beograd, si përshembull regjistrimi i veturave dhe çështja e dokumentacionit të UNMIK-ut, që do ta mundësonte një qarkullim të lirshëm të qytetarëve në të dyja krahët. Ne vijmë në Prishtinë, por me shumë vështirësi vijnë qytetarët nga Kosova në Luginë të Preshevës",
tha zoti Halimi, sipas të cilit pikërisht zgjidhja e çështjeve teknike, do të ketë ndikim për zgjidhjen e disa probleme esenciale në rajon.



XS
SM
MD
LG