Ndërlidhjet

RUGOVA KËRKON VAZHDIMIN E NDIHMËS USHTARAKE AMERIKANE PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nga gjenerali Myers kërkova ndihmë ushtarake për Kosovën, ka thënë sot kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, pas një takimi që ka pasur në mesditë me kryeshefin e Shtabit të përbashkët të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneralin Richard Myers, i cili sipas presidentit Rugova është zyrtari më i lartë i Shteteve të Bashkuara që ka vizituar presidencën që nga themelimi i institucioneve të Kosovës:
"Gjeneralin e njoha me procesin që kemi bërë gjatë katër vjetëve në të gjitha fushat e jetës. Po ashtu gjendja e sigurisë në përgjithësi është më e mirë. Kemi incidente, por ne do t’i marrim të gjitha masat që këto të mos ndodhin," tha Ibrahim Rugova.
Kryetari Rugova tha se e kishte njohur gjeneralin Myers edhe me objektivat e institucioneve të Kosovës, me zhvillimin ekonomik, me shtyrjen përpara të privatizimit, si dhe me integrimin e pakicave në shoqërinë kosovare.
Përderisa gjenerali Myers nuk është prononcuar pas takimit, kryetari Rugova tha se bashkëpunimi me UNMIK-un është një ndër prioritetet:
"Ne, pra, punojmë së bashku me UNMIK-un në këtë rrugë ndërkombëtare, dhe siç e dini njohja e pavarësisë së Kosovës, do të përshpejtonte proceset e brendshme të Kosovës, do ta qetësonte rajonin dhe do të hapte perspektiva të reja për Kosovën në të ardhmen, pra një Kosovë të integruar në strukturat veriatlantike", tha Ibrahim Rugova.
Kryetari i Kosovës ka shfrytëzuar rastin që të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjithë atë që kanë bërë dhe po vazhdojnë ta bëjnë për Kosovën:
"Nga gjenerali kërkova edhe ndihmën ushtarake për Kosovën, e cila do të vazhdojë në Kosovë dhe mund të them se jemi krenarë me Bondstillin që është në Kosovë dhe me këtë rast përshëndesim presidentin Bush që ka bërë shumë për forcimin e paqes botërore dhe për zgjerimin e kufirit të lirisë."
Ndërkohë, gjenerali Richard Myers, i cili në këtë vizitë shoqërohej nga shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries dhe nga komandanti i forcave amerikane në Kosovë, gjenerali Jerry Beck, ka vizituar sot edhe kampin Bondstill për t’u takuar me ushtarët në këtë kamp më të madh të forcave amerikane në Kosovë.


XS
SM
MD
LG