Ndërlidhjet

QYTETARË TË KOSOVËS SHPREHIN KONSIDERATAT E TYRE PËR BILL CLINTONIN


Bekim Bislimi

Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,Bill Clinton është njeri i paqes, mik i madh i shqiptarëve dhe ai e meriton të nderohet nga kosovarët, sepse ka bërë shumë për Kosovën. Kështu kanë shprehur mendimin e tyre disa qytetarë në mesin e mijëra prej tyre që sot kishin dalur para Fakultetit Filologjik në Prishtinë për t'a përshëndetur ish presidentin Clinton, i cili sot nga Universiteti i Prishtinës u nderua me titullin “Doktor Nderi”.
Ekrem Selimi nga Gjilani:
“Ky është një mik i madh i popullit shqiptar. Për ne është nder që ka ardhur të na vizitojë dhe e ka merituar këtë çmim. Pas Willsonit, kryetarit të mëhershëm, ky është i dyti që na ka ndihmuar. I pari ka shpëtuar Shqipërinë, Clintoni ka shpëtuar Kosovën”
Idriz Zabeli nga Temeçina:
“Kemi ardhur t'a presim dhe t'a shohim Clintonin. Kemi qejf t'a shohim sepse ai na ka shpëtuar. Ai është bërë sebep dhe perëndia dhe na ka shpëtuar, na ka kthyer prapë në Kosovë, sepse ne do kishim humbur. Nderim më të madh nuk di se për kë të bëj se sa për këtë që na e shpëtoi jetën”.
Në mesin e qytetarëve kishte edhe shumë fëmijë, të cilët shprehnin falenderimet e tyre për ish-presidentin Clinton.
Kujtim Haliti nxënës nga Prishtina:
“Kam dalë këtu sepse ka ardhur Bill Clintoni, ish-kryetar i Amerikës. Ai e ka ndihmuar Kosovën dhe me ushtrinë e Amerikës e kanë sjellë lirinë dhe gëzimin tim. Jo vetëm gëzimin tim, por të gjithë
fëmijëve kosovarë”
Fetie Gashi nxënëse nga Prishtina:
“Unë jam shumë e gëzuar që ka ardhur Bill Clintoni. Ai është ish-kryetar i Amerikës. Unë mendoj se nuk jam gëzuar vetëm unë për ardhjen e tij, por të gjithë fëmijët”.
Ndërsa, Bedri Meholli nga Vushtrria, tha se emri i ish-presidentit Clinton i përkujtonte ngjarjet nga e kaluara jo e largët.
“Më kujtohet kur isha në burg dhe policia sllavo-serbe na torturonin mua dhe djalin tim. Na thoshin: "Deri sa t'a sjellim Clintonin në vendin tënd atëhere do të qërojmë hesapet". Ndodhi e kundërta dhe…Më falni, kam emocione dhe nuk mundem…Klintoni është një njeri shumë i madh për popullin shqiptar”, tha Bedriu.
Ndërkaq, qytetarët theksojnë se ish-presidenti Clinton e ka merituar që Universiteti i Prishtinës ta nderojë me titullin Doktor Nderi.
Elida Ramadani nga Tetova:
“Ai ka bërë shumë për shqiptarët, përgjithësisht. Shumë i drejtë dhe shumë i mirë është titulli "Doktor Nderi" për të.
Dukagjin Selimi nga Presheva:
“Është një respekt i veçantë ndaj ish-presidentit Bill Clinton. Sigurisht që ai e meriton sepse ka bërë shumë për Kosovën dhe besoj se edhe në të ardhmen do të bëjë për gjithë popullin shqiptar”
Valbona Gashi nga Rahoveci:
“Ardhja e tij ka një rëndësi të veçantë në Kosovë,sepse, dihet se sa të mira ka bërë për ne. Titullinqë i jep Rektorati i Universitetit të Prishtinës,vërtet e meriton, sepse ka kontribuar shumë për
zgjidhjen e çështjes së Kosovës”
Ibish Krasniqi nga Drenica:
“Unë mendoj se Clintoni e ka merituar. Kosova duhet t’a ketë Clintonin në shpirtin dhe gjakun e vet si njeriun, i cili drejtpërdrejtë e shpëtoi nga masakrat, nga ajo që ne e përjetuam. Dhashtë Zoti në rrugën e Clintonit. Edhe popullit tonë duhet "t'i vijnë mendtë" dhe të jetë i aftë t’i marrë ato iniciativa që të vendosë për fatin e vet, të ndërtojë shtëpinë e vet, shtetin e vet dhe në atë drejtim të bashkangjitet me popujt e tjerë evropianë”.


XS
SM
MD
LG