Ndërlidhjet

KUVENDI I MAQEDONISË DEBATOI PËR ÇËSHTJE TË SIGURISË


Sefer Tahiri, Shkup

Në debatin e sotëm të parlamentit deputetët e partive në pushtet dhe ata të opozitës, shkëmbyen kritika dhe akuza të ndërsjella lidhur me gjendjen e sigurisë, e cila është vënë në renditje me kërkesë të deputetëve të VMRO-DPMNE-së.
Ministri i Punëve të Brendshme, Hari Kostov, tha se gjendja e sigurisë në të gjitha aspektet është shumë më e mirë sesa në vitin 2001 dhe 2002.
"Nuk mund të mendohet se përnjëherë pas konfliktit të armatosur Maqedonia do të bëhet shteti më juridik në botë, dhe më tepër i ngjajmë Izraelit sesa Danimarkës," tha Kostov. Ndërkohë Partia Demokratike Shqiptare e opozitës, për gjendjen e keqësuar të sigurisë konsideron se fajtore është qeveria.
"Për fat të keq, qeveria si duket as nuk kishte ndërmend të japë llogari para qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe siç duket me një kokëfortësi tipike, do të injorojë zërat, që çdo ditë shumohen dhe janë më të fuqishëm, duke dashur të sinjalizojnë se proceset kanë ngecur në çdo aspekt. Domethënë qeveria situatën e analizon nga aspekti i politikës ditore, ngjarjeve ditore, me një qasje ad hoc ka zgjedhur rrugën e marrjes me pasojat, duke ikur në mënyrë të palejueshme të merret me burimin se pse ndodhin këto kriza, që tashmë rrezikojnë edhe funksionimin normal të këtij shteti", tha deputeti i PDSH-së, Ahmet Dika, duke vënë në dukje se koalicioni qeveritar nuk mund t'a përmirësojë gjendjen e sigurisë nëse nuk angazhohet në implementimin e drejtë të Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë kontekst, Dika përmendi mosjetësimin e dispozitës që parasheh zgjedhjen e kryeshefit të policisë nga këshillat komunale, mospërdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë, ku sipas tij egzistojnë ngecje të mëdha, pasi shumë shqiptarë pushohen nga puna.
Ndërsa kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, në fjalimin e tij tha se qeveria duhet të ndërmarrë një aksion pa kompromis dhe efektiv për shpartallimin e grupeve të armatosura.
"Ata që do marrin armë në dorë që të vrasin për synime politike, apo për qëllime kriminele, nuk mund të eleminohen vetvetiu, por nevojiten hapa konkretë dhe vendimtarë nga organet shtetërore", tha Gruevski. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, duke iu drejtuar deputetëve të VMRO- DMPNE-së së opozitës, theksoi:
"Ju punoni në helmimin ideor të shqiptarëve, të cilët fatmirësisht janë më të vetëdijshëm se ju, por edhe të maqedonasve. Ende mendoni se jemi në fillim të shekullit 20, e nuk e dini se jemi në fillim të shekullit 21, ku do të formohet një shtet i cili do t'i bashkojë të gjithë dhe ajo është Evropa e madhe", tha Buçkovski duke polemizuar me deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët në diskutimet e tyre, thanë se shqiptarët kanë për qëllim formimin e të ashtuquajturës "Shqipëri të Madhe".



XS
SM
MD
LG