Ndërlidhjet

B.KOSUMI: ÇËSHTJA E STATUSIT FINAL NUK NEGOCIOHET ME SERBINË


Bajram Kosumi, deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit mbrëmë mbështeti propozimin e Harri Holkerit që bisedimet për çështje teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi të fillojnë nga mesi i tetorit. Si e vlerësoni këtë lëvizje, a është konsultuar pala kosovare sa dhe si duhet rreth kësaj çështjeje?

BAJRAM KOSUMI
Mendoj se fillimisht është bërë një hap i mirë që çështja e Kosovës ka filluar të nxirret nga tavolinat e Këshillit të Sigurimit dhe është riaktivizuar Grupi i Kontaktit përsëri si qendër që do të vendosë ose do të merret me çështjen e Kosovës drejtpërdrejt. Ky është një hap pozitiv për procesin në Kosovë. Ndëra sa i përket insistimit këmbëngulës të z. Holkeri për fillimin e bisedimeve tani, mendoj se nuk ka përgatitje dhe nuk ka një koncenzus paraprak midis UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, por ndoshta edhe në mes të vetë institucioneve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Është evidente se pala kosovare ka disa rezerva rreth dialogut. Për çfarë bëhet fjalë, është problematike procedura, përmbajtja e bisedimeve apo diçka tjetër?

BAJRAM KOSUMI
Para se të hyjmë në çështjet konkrete është mirë të thuhet se në palën kosovare është një problem i një natyre krejtësisht tjetër, një problem i bërjes së politikës me dy kute. Do të thotë, ndryshe flitet publikisht dhe ndryshe flitet në tavolina. Për sa është diskutuar në Kuvendin e Kosovës, unë jam i bindur se asnjë prej grupeve politike kryesore, LDK, PDK, AAK dhe minoriteteve tjera nuk janë për fillimin e negociatave në këto rrethana që jemi, pra të gjithë e kanë kundërshtuar. Përkundër kësaj, Holkeri ka thënë se me vendosmëri se për disa ditë do të fillojnë negociatat dhe ai nuk e thotë këtë pa pasur një mbështetje nga këto grupe politike. Pra si duket mbështetja do t'i jepet në përbërje më të vogla dhe do të jenë jo publike dhe ky është problem themelor për politikën e Kosovës. Politika e Kosovës duhet të luaj hapur dhe publikisht e jo në katër sy.
Ndërsa sa i përket përmbajtjes mendoj se është dashur të bëhen disa përgatitje për fillimin e bisedimeve, qoftë edhe për çështje praktike. Së pari Qeveria e Kosovës nuk është e barabartë me Qeverinë e Serbisë që të fillojnë këto bisedime dhe nuk mund të jetë e përgatitur pavarësisht prej çfarëdo trajnimi që mund t'i bëhet, sepse Qeveria e Kosovës nuk është e kompletuar dhe nuk i ka të gjitha kompetencat. Pa i pasur këto dy parakushte, nuk mund të jetë e barabartë dhe nuk mund të jetë e sukseshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa herë është thënë se Kuvendi i Kosovës duhet ta mbështesë Qeverinë në fillimin eventual të bisedimeve. Do të diskutojë Kuvendi për këtë çështje, apo jo?

BAJRAM KOSUMI
Kuvendi duhet ta diskutojë dhe të marrë një vendim. Jo ta mbështesë apriori Qeverinë për fillimin e negociatave, por duhet të marrë vendim se a duhet të fillojnë bisedimet në rrethana të tilla, apo duhet të bëhet diçka më herët. Unë mendoj se duhet të bëhet diçka më herët para se të fillojnë bisedimet. Së pari do të ketë një negociim mes UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës. Pa një koncenzues mes këtyre dy strukturave nuk mund të ketë biseda të sukseshme. Pastaj Kuvendi mendoj se duhet ta theksojë fuqimisht dhe të miratojë një dokument, në të cilin thuhet se çështja e statusit final të Kosovës nuk negociohet me Serbinë, sepse të gjithë po e shohim dhe po e dimë se thuhet negociata për çështje teknike ndërsa mendohet për negociata për çështje politike. Prandaj Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë edhe një herë një dokument dhe ta thotë hapur se çështja e pavarësisë së Kosovës nuk negociohet me Serbinë dhe me askë tjetër, sepse ai është vullneti i qytetarëve të Kosovës, i cili duhet të shprehet në mënyrë të lirë dhe demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kosumi, ju jeni anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Përse Kuvendi eviton ta shtrojë në rend të ditës këtë çështje?

BAJRAM KOSUMI
Nuk varet prej kryesisë, por varet edhe prej grupeve parlamentare ose prej grupit që ka shumicën në Kuvend, se sa dëshiron ai grup, konkretisht LDK-ja, ta bisedojë dhe të marrë qendrim rreth kësaj çështje. Unë sa kam vërejtur, si anëtar i kryesisë, nuk ka pasur ndonjë interes të theksuar nga Lidhja Demokratike që të merret vendim për këtë çështje. Ka pasur interes të diskutohet, por jo të merret ndonjë vendim. Ndoshta këtu është fjala edhe për lojra politike, sepse të gjithë e dinë se ata që do t'i nisin negociatat mund edhe të digjen, prandaj grupet politike mundohen t'ia hedhin njëri-tjetrit dhe ta ruajnë vetvetën. Mirëpo, këto lojra janë nën nivelin e politikës kosovare dhe mendoj se nuk duhet të luhet kështu. Çështja e fillimit apo mosfillimit të negociatave, pastaj çështja e kompletimit të Qeverisë me ministrinë e rendit, ministrinë e punëve të jashtme dhe ministrinë e drejtësisë nuk janë çështje të vogla. Këto janë çështje mbipartiake, do të thosha çështje jetësore për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kosumi, a mendoni se mesi i tetorit është afat realist për fillimin e dialogut për çështjet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi?

BAJRAM KOSUMI
Jo. Pavarësisht nga vendimi i Grupit të Kontaktit mendoj se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë të mendojnë seriozisht për këtë çështje dhe nuk duhet të pranojnë që të hyhet në negociata kot së koti ose të hyjnë në negociata për të dështuar.
Intervistoi: Melazim Koci
XS
SM
MD
LG