Ndërlidhjet

ABRAMOVITZ: KOSOVA DHE SERBIA DUHET TE SHKOJNË NË DIALOG SI TË BARABARTË


RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni modalitetet e përcaktuara nga Grupi i Kontaktit për bisedimet teknike Prishtinë - Beograd, që thuhet se do të fillojnë në mesin e tetorit në Vjenë?

MORTON ABRAMOVITZ
Mendoj se nuk ka dyshim se Serbia dhe Kosova duhet të ulen dhe të bisedojnë për çështjet me rëndësi për të dyja palët, natyrisht përveç statusit. Dhe ajo çfarë ata duhet të bisedojnë, natyrisht që duhet të përcaktohet në modalitete. Por ajo çfarë më shqetëson mua, është se qeverisë së Kosovës i duhet dhënë fuqi, pushtet, në mënyrë që ajo të bëhet një qeveri e vërtetë. Dhe kur ata të jenë një qeveri vërtet e plotësuar, atëherë ata do të jenë më në gjendje të ulen e të bisedojnë me serbët. Por për momentin, ata nuk i kanë këto kompetenca, çfarë ndikon në aftësitë e tyre. Në njëfarë mënyre ata janë të detyruar të bisedojnë me serbët, por ajo çfarë është e rëndësishme për mua është se UNMIK-u duhet t'i kalojë më shumë pushtet qeverisë së Kosovës. UNMIK-u thjesht duhet t'i japë fund moskalimit të kompetencave. Për momentin sipas meje kjo është gjëja më e rëndësishme.
Natyrisht, që për një mori gjërash, Kosova duhet të ketë një qeverisje më të mirë, natyrisht që duhet edhe të bisedojë me Serbinë, por mundësitë dhe aftësitë e tyre për të biseduar me Serbinë, janë në një mënyrë të kufizuara nga fakti se nuk kanë një qeveri të fuqishme, me kompetencat e nevojshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se SHBA-të, së bashku me vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, do të jenë lehtësues dhe jo ndërmjetës të bisedimeve. A do të ketë pasoja një pozicion i tillë i SHBA-ve?

MORTON ABRAMOVITZ
Nuk e di si mund të ndikojë kjo, por e di që kosovarët gjithmonë dëshirojnë që Shtetet e Bashkuara të jenë aty, dhe mendoj se është e rëndësishme një gjë e tillë.
Por Shtetet e Bashkuara do të jenë aty qoftë edhe si lehtësues. Megjithatë themelore është që të dyja palët të jenë funksionale në mënyrë të barabartë. Për momentin është e paqartë për mua se cili do të jetë roli i UNMIK-ut, dhe se si ata do t'i organizojnë këto bisedime. Të gjitha këto çështje duhen sqaruar, por do t'i kthehesha sërisht asaj që thashë në fillim dhe që është çështje themelore: dhe kjo është pasja e një qeverie efikase kosovare, që është drejtuese e gjërave në Kosovë. Natyrisht ata gabojnë, mund të bëjnë dhe një mori gjërash jo të rregullta, por ata duhet të kenë fuqinë e nevojshme për një qeveri që të drejtojë vendin, çfarë nuk e kanë për momentin.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e Kosovës kanë pranuar në parim bisedimet, por kanë shprehur hezitimet e tyre. Si i vlerësoni ju këto hezitime?

MORTON ABRAMOVITZ
Ata kanë të njëjtat hezitime, të cilat i kam shprehur dhe unë. Asnjeri nuk po vë në diskutim se Serbia dhe Kosova duhet të bisedojnë dhe kjo është e rëndësishme. Por këto bisedime do të sjellin më shumë rezultate, do të jenë më të lehta për t'u zhvilluar, nëse të dyja palët do të jenë më të barabarta. Dhe ne nuk e kemi këtë barazi palësh për momentin dhe mendoj që kjo është një nga arsyet që kosovarët po hezitojnë.
Nga ana tjetër, kosovarët duhet të vendosin rregullin brenda tyre. Ata janë dukshëm të ndarë. Ata duhet të vendosin një qasje më bashkëpunuese, të afrojnë qëndrimet dhe të gjitha gjërat e tjera që lidhen me këtë, me marrjen e një qëndrimi të përbashkët. Dhe mendoj se këto kanë ndikuar edhe në dhënien e më shumë kompetencave në mënyrë që ata të marrin vetë drejtimin e vendit. Kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë pushtet në disa fusha. Por megjithatë duhet të fillojë marrja e plotë e pushtetit prej tyre. Dhe mendoj se ky do të jetë një lehtësim i madh për bisedimet teknike, gjithashtu do të jetë i tillë dhe për bisedimet e mundshme të ardhshme për statusin final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka rrezik që bisedimet për cështje teknike të rrëshqasin në bisedime për cështjen e statusit të Kosovës?

MORTON ABRAMOVITZ
Sa i përket çështjes së statusit përfundimtar, ajo nuk do të varet aq nga kosovarët, sa nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe deri tani bashkësia ndërkombëtare ka shtyrë diskutimin e çështjes së statusit, ashtu siç nuk po i lejon kosovarët të kenë një qeveri të tyre efikase. Ne duhet të kemi përparime në të gjitha këto çështje përpara se të flasim për statusin. Megjithatë bashkësia ndërkombëtare është ajo që do të ketë rolin kyç për vendosjen se kur do të çohet përpara çështja e statusit dhe si do të diskutohet. Për momentin ajo është lënë pas.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ndikon përfshirja e Shteteteve të Bashkuara në Irak dhe në përgjithëesi në luftën kundër terrorizmit në përfshirjen në këto bisedime dhe në përgjithësi në zgjidhjen e cështjes së Kosovës?

MORTON ABRAMOVITZ
Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë ende në gjendje të punojnë në disa drejtime njëherësh. Mendoj se ata mund t'a punojnë në Irak njëherësh me përpjekjet për të avancuar çështjen në Kosovë. Çështja e Irakut apo e luftës kundër terrorizmit mund të prekë numrin e forcave amerikane atje. Por në fund të fundit mendoj se roli i Shteteve të Bashkuara në Kosovë nuk duhet të zvogëlohet.
Tashmë nuk është gjendja e katër viteve më parë, dhe ajo çfarë ne flasim dhe kërkojmë tani është që të qartësojmë çështjet politike që lidhen me vendosjen e një vendi të ri.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG