Ndërlidhjet

MOORE:"DILEMAT E DIALOGUT TË PARALAJMËRUAR"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë Grupi i Kontaktit mbështeti propozimin e zotit Harri Holkeri që bisedimet për çështjet praktike mes Prishtinës dhe Beogradit të mbahen nga mesi i muajit të ardhshëm në Vjenë. Liderët kosovarë thonë se në parim i mbështetin bisedimet, por jo nëse ato nuk janë të përgatitura mirë.

PATRICK MOORE
Çfarë kuptohet me çështjen e përgatitjes? Pjesë e kësaj është se ende kemi disa gjëra që nuk janë shumë të qarta. Së pari, kush do të marrë pjesë në këto bisedime? Tash duket se bëhet fjalë për ekspertë teknikë, më parë flitej për njerëz që ishin të një niveli më të lartë se ekspertët, por ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me pozicionimin e UNMIK-ut. A do të jenë ata (UNMIK-) moderatorë bisedimeve siç ka sugjeruar zoti Holkeri, apo do të ulen me delegacionin e Prishtinës, siç kanë thënë disa nga liderët politikë kosovarë dhe siç duhet të jetë. Pse është kështu? Sepse ka një numër çështjesh, si ato të sigurisë, për të cilat serbët duan të flasin dhe për të cilat është përgjegjës UNMIK-u dhe nuk ka asnjë mënyrë që dikush të presë nga zyrtarët e zgjedhur kosovarë që të kenë diçka për të thënë lidhur me këtë çështje, meqënëse UNMIK-u ka refuzuar transferimin e përgjegjësive në këtë fushë tek vendorët. Ndërsa kur flasim për atë se kush do të jenë pjesmarrësit, pyetja më e rëndësishme mbetet: ku do ulet UNMIK-u? Në në anën e delegacionit të Prishtinës, prej nga mund t'u shpjegojnë serbëve pse disa gjëra nuk funksionojnë, apo do të përpiqen të jenë moderatorë. Çështje tjetër është agjenda e bisedimeve. Siç e përmenda, një moment flitej për pjesëmarrjen e figurave politike aty, ndërsa në një moment tjetër është bërë fjalë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të ekspertëve. Kjo duhet për t'u sqaruar. Një çështje tjetër e rëndësishme është se çfarë do të bëhet pas bisedimeve. Do merren vendime në këto bisedime? Dhe nëse po kush do t'i vërë në zbatim. Përndryshe ajo që do kemi do jetë një klub debatues si në universitete! Nëse vërtetë nuk e dijmë se çfarë do të dalë nga gjithë këto diskutime, atëhere pse po investohet kaq shumë kohë, kaq shumë energji dhe kaq shumë para për diç të tillë?

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Grupi i Kontaktit ka mbështetur parimin "Standardet para statusit". Cili nga këto standarde sipas jush është i dorës së parë?

PATRICK MOORE
Ka dy standarde, ndër një vrag që janë nënvizuar nga ish kryeadministratori Shtajer, që mendoj se bashkësia ndërkombëtare (një term modern për Fuqitë të Mëdha) u kushton një vëmendje të veçantë. E para dhe më e rëndësishmja lidhet me minoritetet etnike - serbët, romët, turqit, boshnjakët etj. Çështjet që lidhen me këto pakica kombëtare janë e drejta për kthim, e drejta për lëvizje të lirë, mundësia për të jetuar në paqe dhe siguri në Kosovë. E kam thënë edhe më heret dhe do ta ripërsërisë këndvështrimin tim: askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk do t'ia ofrojë Kosovës pavarësinë në pjatë argjendi, si dhuratë. Kosova duhet të japë prova, t'a bëjë të qartë që mund të qeveris veten dhe mund të menaxhojë me problemet e veta. Ajo që do të vëzhgohet nga vendet e tjera, është mënyra e trajtimit të pakicave, siguria e tyre. Kam parasysh incidentin e fundit kur u qëlluan adoleshentët serbë me armë zjarri. Kjo nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë, dhe gjëra të tilla duhet të marrin fund, ndryshe do të vazhdojë të egzistojë një kundërshtim i fortë ndaj pavarrëisisë së Kosovës, sidomos në Bruksel. Prandaj duhet të egzistojë një lëvizje e lirë dhe e drejta për t'u kthyer e të gjithë serbëve, ndaj të cilëve nuk janë ngritur akuza nga gjyqet për krime lufte. Them nga gjyqet dhe jo nga fqinjët e tyre. Përveç standardit që lidhet me pakicat kombëtare, çështja e dytë e rëndësishme është ajo e krimit dhe korrupsionit. Dëgjuesit e juaj e dijnë se në çfarë mase propaganda serbe është përpjekur të identifikojë shqiptarët në Kosovë dhe gjetiu si kriminelë, gangsterë etj. Mendoj se kosovarët do të jenë në një pozicion mjaft të mirë negociues dhe diplomatik nëse do të përpiqen të dëshmojnë që këto akuza janë të gabuara. Mendoj se krimi dhe korrupsioni së bashku me të drejtat e pakicave kombëtare janë standardet më të rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, ka mjaft konfuzion rreth faktit se kush do të duhet të ishin palët në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Liderët e Kosovës thonë se për këtë çështje nuk do të bisedojnë me Beogradin, ndërsa presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, në Kombet e Bashkuara tha se çështja e statusit final të Kosovës, është çështje e qytetarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Së pari më lejoni të them se kush mendoj që nuk ka absolutisht të drejtë të marrë pjesë në bisedime dhe ky është Beogradi. Ka dy arsye për këtë. E para, ky të bëjë me një rregull që egziston që nga kohët e hershme që ata që humbin luftëra humbin territore. Beogradi për arsye që i dimë shumë mirë e humbi Kosovën dhe bashkësia ndërkombëtare duhet t'ia bëj të qart se ky është një fakt dhe t'i japi fund kësaj çështjeje. Kjo më çon në arsyen time të dytë, pse unë mendoj që Beogradit nuk i takon një vend në tavolinën e bisedimeve për statusin final - sa më shumë kohë dhe energji që autoritetet serbe shpenzojnë rreth problematikës së Kosovës, që në të vërtetë e kanë humbur, aq më shumë para dhe vëmendje investohet jashtë problemeve reale të Serbisë, e që janë krimi, varfëria dhe korrupsioni. Nuk është në interesin e serbëve asgjëkundi të inkurajohen se kanë një të ardhme në një Kosovë të kontrrolluar nga Beogradi. Kisha dëshirur të shtoj edhe një aspekt të vështrimit të Beogradit: egziston një rrezik që Kosova do të përdoret në politikën serbe si një futboll politik. E shikojmë rivalitetin mes Zhivkoviçit, Çoviçit dhe të tjerëve dhe që kjo nuk do jetë produktive për askë. Gjithashtu egziston mundësia, e cila na çon mbrapa në administratën e Xhingjiçit, që duke ngritur problemin e Kosovës, ajo që Beogradi vërtetë po përpiqet të bëj, është hapja e një çështje më të gjerë kufijsh në Ballkan, që përfshin ndarjen e Bosnjes, në të cilën Republika Serbe do t'i jepej Serbisë në këmbim të pranimit të humbjes së Kosovës nga ana e Serbisë, që tashmë ka ndodhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, politikanët kosovarë frikësohen se bisedimet me Beogradin për çështjet praktike mund të prekin edhe çështjen e statusit final dhe kjo duket të jetë një nga shkaqet e hezitimit të tyre. A egziston një rrezik i tillë?

PATRICK MOORE
Nuk mendoj që ka rrezik tash, por një rrezik i tillë egziston në plan më afatgjatë. Arsyeja pse them jo tash është që bisedimet e tashme janë paraparë si teknike, apo për çëshje praktike që lidhen me jetën e përditshme. Pra, nuk diskutohet statusi final. Është shumë e mirë kur secili e thotë këtë, por e dijmë si funksionon politika, sidomos në Ballkan dhe sapo dikujt i jepet një pozicion fillestar në bisedë, do përpiqet të ketë më shumë influencë në të ardhmen. Pra nëse Serbisë do t'i lejohet një vend në tavolinën e bisedimeve për Kosovën, në këto bisedime praktike, atëhere do të jetë më e vështirë në të ardhmen t'i thuhet Beogradit që nuk ke vend në tavolinën e bisedimeve ku do të diskutohet statusi. Statusi, siç thotë presidenti Moisiu duhet të jetë çështje e qytetarëve të Kosovës dhe OKB-së dhe me qytetarët e Kosovës nënkuptohet përfshirja e serbëve dhe pakicave tjera. Por, duhet bërë e qartë që ka një rrezik që nëse Beogradi merr pjesë në këto bisedime, atëhere do të kërkojë të drejtën e vetos në bisedimet për statusin final dhe mendoj se kjo nuk do i shërbejë askujt, përfshirë dhe serbët e Serbisë.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG