Ndërlidhjet

ROSIN – SHBA-TË NXISIN BISEDIMET TEKNIKE, DERISA NUK ËSHTË KOHA E DISKUTIMIT TË STATUSIT


Intervistë me Lorens Rosin, nënsekretar i Shtetit për cështjet evropiane dhe të

EVROPA E LIRË
Zoti Rosin, po vizitoni Beogradin në kohën kur bisedimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi janë në krye të agjendës. Cili është qëndrimi i qeverisë amerikane për këto bisedime?

LORENS ROSIN
Qeveria amerikane është shumë mbështetëse për këto bisedime, duke qenë se është dhe pjesë e Grupit të Kontaktit. Për fillimin e këtyre bisedimeve ne mbështesim vecanërisht punën e bërë nga kryeadministratori Hari Holkeri; Këtu kam parasysh si modelimin e këtyre bisedimeve ashtu dhe në kontaktet dhe bisedat e bëra me të dyja palët e interesuara, në mënyrë që ato të fillojnë në Vjenë në mesin e muajit.
Ne shpresojmë që këto bisedime të jenë të frutshme dhe produktive sa i përket cështjeve që do të diskutojnë. Më duhet të them se bisedimet do të jenë të kufizuara në cështjet teknike dhe gjithashtu shpresojmë që këto bisedime të vendosin zakonin e dialogut ndërmjet zyrtarëve të të dyja palëve dhe nga të gjitha nivelet, në mënyrë që ato të jenë të frutshme për një morri gjërash në të ardhmen.

EVROPA E LIRË
Udhëheqësit kosovarë kanë hezitimet e tyre lidhur me këto bisedime, pasi ata kërkojnë marrjen e kompetencave përpara se të bisedohet. Cili është komenti juaj?

LORENS ROSIN
Qëndrimi ynë, të cilin e ndajnë dhe vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, është se do të ishte e parakohshme të bisedohet për cështjen e statusit dhe zgjidhjen përfundimtare politike për Kosovën në këtë kohë. Në fakt është e qartë se ka një morri cështjesh praktike, që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve që jetojnë në Kosovë, apo të atyre që jetojnë në Serbi, por që mund të kenë lloje të ndryshme mardhëniesh me Kosovën. Kështu që këto cështje mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ne mendojmë se ka ardhur koha për bisedime të tilla, dhe e dimë se udhëheqësit politikë kosovarë do të marrin pjesë në këto bisedime. Madje ne i nxisim ata ta bëjnë pa hezitim një gjë të tillë. Dhe besojmë se duke biseduar me përfaqësuesit e Beogradit, vecanërisht për cështjet teknike, do të shënohet përparim konkret në këto cështje.

EVROPA E LIRË
Presidenti Rugova shumë herë, madje dhe sot në një të përditshme gjermane, ka përsëritur se vonesa në njohjen e pavarësisë së Kosovës i hap rrugën ekstremistëve.

LORENS ROSIN
Kjo qasje është nga ana e shumicës së udhëheqjes së Kosovës dhe nuk ka dicka të re në këtë qëndrim. Ne në Grupin e Kontaktit dhe vecmas si Shtetet e Bashkuara kemi përsëritur se deklaratat rreth statusit përfundimtar janë të parëndësishme për procesin, që mbulohet nga rezoluta 12-44. Dhe në këtë mënyrë ato largojnë vëmendjen nga cështjet në të cilat duhet të përqëndrohen për momentin, dhe ato janë cështjet teknike, që sjellin progres praktik dhe në ngritjen e institutcioneve.
Sërisht do të përsërisja mendimin tonë dhe të bashkësisë ndërkombëtare se diskutimet për statusin përfundimtar tani janë të parakohshme dhe me gjasë të dëmshme për të gjithë të interesuarit.

EVROPA E LIRË
Cili është qëndrimi i qeverisë amerikane lidhur me deklaratat e fundit miratuar nga qeveria dhe parlamenti serb për Kosovën?

LORENS ROSIN
Grupi i Kontaktit ka bërë publike disa komunikata për shtyp pas takimeve të fundit, ku ne bënim të qartë se deklaratat në cështjet që janë të mbuluara nga rezoluta 12-44 janë të tilla që nuk përputhen me rezolutën në fjalë dhe ato vërtet nuk janë faktorë të rëndësishëm. Dhe kjo pasi bëhet fjalë për një proces që i lihet Këshillit të Sigurimit dhe kështu do të zhvillohen ngjarjet sa i përket statusit përfundimtar.
Nuk dëshiroj të komentoj asnjë deklaratë specifike nga asnjë palë.

EVROPA E LIRË
Dje keni vizituar Luginën e Preshevës ku jeni takuar me udhëheqësit vendorë. Si i vlerësoni shqetësimet e tyre dhe cili ka qenë mesazhi për ta?

LORENS ROSIN
Unë isha atje me ambasadorin Montgomeri, ku dhe takuam shumë drejtues vendorë dhe kryesuesin e qendrës koordinuese, Dr. Coviqin. Ne ishim të impresionuar nga puna që është bërë atje.
Ata janë vërtet figura drejtuesish vendorë, shqiptarë dhe serbë, që po punojnë shumë për të kontrolluar tensionet, për të zhvilluar rajonin dhe të arrijnë një proces pozitiv bashkëpunimi, që do ishte në funksion të stabilizimit të rajonit. Ishim shumë të kënaqur që patëm mundësi të mbështesim punën e qeverisë lokale atje me një ndihmë financiare të konsiderueshme për rajonin. Më duhet t'ju them se mbështetur në përvojën time, ndonëse ka ende shumë punë për tu bërë, dhe folëm për këtë me të gjithë biseduesit, vullneti i mirë i pranishëm tek shumë palë për të cuar përpara zonën, ka ndikim pozitiv jo vetëm për njerëzit atje, fëmijët dhe ardhmërinë e tyre, por dhe për qëndrueshmërinë e rajonit në tërësi.
Dhe ne vërtet e vlerësojmë atë.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG