Ndërlidhjet

ASAMBLEJA PARLAMENTARE E KE-SË DISKUTON GJENDJEN NË KOSOVË


Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka diskutuar në Strasburg mes të tjerash dhe gjendjen në Kosovë.
Matjaz Gruden, i ngarkuar për media pranë Asamblesë Parlamentare, lidhur me debatin rreth situatës në Kosovë shpjegon:
"Asambleja parlamentare pati një takim nga ato ku diskutohen çështjet aktuale. Ky debat u mbajt me kërkesën e kreut të delegacionit parlamentar të Serbisë dhe Malit të Zi, zotit Miçuneviç", shpjegon Gruden.
Më tej ai shton se takime të tilla nuk kanë për qëllim miratimin e ndonjë dokumenti në përfundim.
"Ky lloj debati mbi çështjet aktuale është i natyrës së tillë, në fund të të cilit, Asambleja nuk miraton ndonjë deklaratë, rezolutë apo rekomandime të caktuara. Ka qenë thjesht një mundësi për anëtarët e Asamblesë që të flasin rreth kësaj teme", sqaron për Evropën e Lirë, i ngarkuari për media pranë Këshillit të Evropës, Matjaz Gruden.
Ky i fundit lidhur me shqetësimet kryesore të shprehura nga pjesëmarrësit në debat tha:
"Mendoj se ashtu siç mund ta shihni dhe vetë nga përmbledhja e diskutimeve, shumica e pjesëmarrësve shprehën shqetësimin për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë".
Përfaqësuesi i Serbisë dhe Malit të Zi, Miçuneviç, i cili hapi dhe debatin, u përqëndrua kryesisht në incidentet e fundit në Kosovë, ku sipas tij pjesëtarët e bashkësisë serbe kanë qenë viktima të krimeve të motivuara etnikisht.
Ndërkaq në emër të grupit të partive socialiste evropiane në parlamentin Evropian, deputeti britanik Toni Llojd, pasi dënoi incidentet, nënvizoi se bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi serioze për përmirësimin e gjendjes në Kosovë, dhe se debate të tilla nuk duhen konceptuar si pro apo kundër asnjërës palë, shqiptarëve apo serbëve. Europarlamentari Lloyd, i cili ka qenë ministër në qeverinë britanike në kohën e luftës në Kosovë, theksoi se debati i Asamblesë nuk ka të bëjë me statusin përfundimtar të Kosovës, por është nevojë urgjente, që veçanërisht bashkësia serbe në Kosovë, të njohë legjitimitetin e qeverisë së Kosovës dhe në përgjithësi të proceseve që lidhen me ndërtimin e institucioneve të Kosovës, pasi vetëm kështu mund të ngrihet një sistem efikas.
Në emër të grupit të partive popullore foli deputeti qipriot Purgurides, sipas të cilit gjendja në Kosovë nuk është e kënaqshme. Ai kërkoi në emër të grupit që përfaqësonte, që të gjitha palët në Kosovë të punojnë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare për të arritur paqen dhe sigurinë në vend.
Por ndryshe nga përfaqësuesi i partive popullore, deputeti kroat, Ivo Shkrabalo, që foli në emër të partive liberale demokratike dhe reformiste, tha se në Kosovë është shënuar përparim, ndërsa e vlerësoi debatin në fjalë si të nxituar dhe të papërgatitur mirë.
Eurodeputeti Shkrabalo tha se mungesa e përfaqësuesve të Kosovës në debat, është një vendim i pamençur dhe nuk e bën diskutimin efikas.
Mungesën e përfaqësuesve të Kosovës dhe kërkesën që ata të jenë në diskutimet e ardhshme e ngriti dhe deputeti i Parlamentit Shqiptar Qazim Tepshi.
Ky i fundit nënvizoi dhe faktin se përfaqësuesi i delegacionit të Serbisë dhe Malit të Zi në paraqitjen e tij ishte i njëanshëm dhe kjo ishte për të ardhur keq, pasi diskutimi nuk synon të krijojë probleme, por t'i zgjidhë ato.
Lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes në të ardhmen të përfaqësuesve të Kosovës, zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Matjaz Gruben për Radion Evropa e Lirë tha:
"Mendoj se sa i përket një vendimi të tillë nuk më takon mua të përgjigjem, pasi është një vendim, i cili duhet të merret nga strukturat kompetente të kësaj Asambleje", përfundon Gruber në prononcimin e tij për Evropën e Lirë.

Përgatiti Iliriana A. Bajo



XS
SM
MD
LG