Ndërlidhjet

A. BEXHETI: KA NGECJE SISTEMATIKE DHE TË PARAMENDUAR NGA LSDM-JA PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES SË OHRIT


INTERVISTË ME ABDYLMENAF BEXHETI, KRYETAR I PARTISË SË PROSPERITETIT DEMOKRATIK

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni zhvilluar një takim me kryeministrin e Maqedonisë Branko Crvenkovski, a do të thotë kjo se partia juaj mund t'i bashkangjitet koalicionit qeveritar?

BEXHETI
Takimi nuk është realizuar në funksion të bashkangjitjes sonë koalicionit qeveritar, por para së gjithash në funksion të shpjegimit të pozicioneve tona politike dhe të theksit kritik që ka patur PPD-ja këto tre katër muaj, pas ndryshimeve katovike. Por kuptohet se dha fjalë edhe mundësia për të qenë më konstruktivë dhe për të dhënë kontributin dhe ndihmesën e saj me strukturat e saj, me kapacitetin dhe kompetencën që posedon, edhe mundësia eventuale për bashkëpunim të ndonjë koalicioni, por kuptohet me theks të veçantë, duke vënë pikërisht segmentin e legjitimitetit të PPD-së, në zgjedhjet paraprake parlamentare dhe që në atë moment unë shpreha një skepsë në gatishmërinë e partnerit të koalicionit që është partia politike shqiptare, atje duke patur parasysh sjelljet të tilla të deritanishme. Unë e konsideroj se edhe mëtutje është kjo punë paksa më skeptike, motivet dhe arsyet refuzuese të BDI-së akoma nuk janë të shpjegueshme edhe pse mund t'i paramendojmë, por megjithatë ajo ishte një kërkese e kryeministrit dhe jo e PPD-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni bashkëpunimin e partnerëve në qeveri rreth zbatimit të marrëveshjes së Ohrit?

BEXHETI
Mendojmë se ka një ngecje sistematike, bile do kisha thënë edhe të paramendurar nga bartësi i koalicionit që është LSDM-ja, e cila në mënyrë shumë të zhdërvjellët arrit t'i zhvarrisë gjërat, t'i relativizojë në maksimum dhe në fakt gjatë procesit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit të bëjë një margjinalizim permanent të çështjeve, të cilat janë të determinuara atje dhe që në fund rezultatet të jenë shumë shumë të relativizuara nga koncepti elementar që është paraparë në Marrëveshjen kornizë të Ohrit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e krahasoni punën e LSDM-së meqë ju para disa vitesh keni qenë edhe vetë si parti në koalicion me të?

BEXHETI
LSDM është tejet reaksionare në atë kuptim të dëshirës dhe gadishmërisë për avancim real të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, por kjo shumë varet edhe nga pozicioni dhe forca kohezive e partnerit, apo partisë shqiptare që është në qeveri. Për dallim prej kohës sonë dhe përvojës sonë shumë të hidhur, që pasi kemi patur një koalicion tejet konfliktuoz me LSDM, tani këto aktualët kanë një koalicion mjaft të relaksuar ndërpartiak dhe kjo nuk reflekton një relaksim në terren pra edhe në popullatë. Është diçka krejtësisht diametrale, prandaj nuk duan që t'a prishin këtë kënaqësi aktuale që janë pjesëmarrës në qeveri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bexheti, sipas njoftimeve të mediave lokale, fitohet përshtypja se çështja e regjistrimit të popullatës është mjaft e politizuar. Madje ka paralajmërime edhe për mospranimin e rezultateve për shkak të numrit të shqiptarëve, cili është komenti juaj?

BEXHETI
Pikërisht mendoj se partitë politike maqedonase janë shumë të koordinuara për dallim nga partitë politike shqiptare në këtë drejtim, dhe partitë maqedonase opozitare veprojnë, mendoj, të sinkronizuara me atë të pushtetit në funksion apriori të mospranimit të rezultateve, duke krijuar atë një alibi se janë të vetëdijshëm për rezultatet, se janë fare të papranueshëm për palën shqiptare, dhe para se atë t'a bëjnë shqiptarët të papranueshme, t'a bëjnë maqedonasit dhe në fakt të kontestohen rezultetet e ardhshme, edhe për një arsye shumë të madhe sepse partia që është në pushtet, BDI-ja, tanimë i pranoi ato rezultate të gatshme. Ju kujtohet në një marrëveshje mbi marrëveshje që pati zoti Ahmeti me Crvenkovskin dhe Penovin, në të cilën u detyrua që t'i pranojë rezultatet të panjohura në strukturë dhe në fakte të zgjedhjeve apo të numërimit të popullsisë në vitin 2002. Nga këto përcaktime dhe këto rrjedha sot mund të shihet qartë se pas një viti partitë politike kanë ndryshuar edhe imazhin të themi të elektoratit të tyre dhe mund të shihen dhe sondazhet e fundit dhe anketat e fundit, të cilat çojnë në një rënie permanente të partive që janë në pushtet, veçanërisht ë BDI-së dhe përkundër kësaj një ngritje permanente apo dyfishim të përkrahjes konkretisht të partisë që unë i prij.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bexheti, cilat janë vëretjet kryesore të partisë suaj për projektligjin për pushtetin lokal?

BEXHETI
Mendoj se është shtylla e fundit dhe bazitjeje pikërisht çështja e decentralizimit, e cila nuk ka qenë kontestuese edhe gjatë negociatave në Ohër, por nga vetë mënyra se si realizohet ajo, jo vetëm nga aspekti dinamik, por mendoj edhe nga aspekti i kapacitetit, dhe dimensionimit të një decentralizimi efektiv, që do të thotë që në fakt të gjitha kompetencat që janë paraparë në ligjin sistemor të vetëqeverisjes lokale, të kenë burime reale të financimit mbi baza të burimeve lokale reale, që do të thotë se vetë shqiptarët duhet t'i manaxhojnë dhe t'i qeverisin risurset e tyre potenciale financiare, ekonomike,sociale dhe të tjera në rrafsh lokal. Në funksion të kësaj mendoj se propozim ligji, se unë nuk jam në këtë funksion, posaçërisht dhe ligji për ndarjen territoriale, njëherësh edhe ligji për financimin e komunave dhe për dallim të këtyre propozimeve, PPD ka një koncept të një federalizmi funksional që do të thotë që ngritja apo një ndërtim juridiko kushtetues, i cili do funksionojë mbi baza funksionale dhe jo mbi baza territoriale apo etnike.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG