Ndërlidhjet

THAÇI: INSTITUCIONET E KOSOVËS DO TË MARRIN NJË VENDIM TË ARSYESHËM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka shfaqur sot besimin e tij se institucionet e Kosovës do të marrin një vendim të arsyeshëm në drejtim të afirmimit pozitiv të Kosovës, duke lënë të hapur mundësinë që jo Kuvendi, por tre liderët t’ia japin lejen qeverisë për të shkuar në fillimin e bisedimeve teknike me Beogradin më 14 tetor në Vjenë. Këto komente zoti Thaçi i ka bërë pas një takimi që ka pasur sot në mëngjes me kryeadministratorin e Kosovës Harri Holkeri, në kuadër të përpjekjeve, që ky i fundit po bën për të bindur liderët politikë që të sigurojnë pjesëmarrjen e një delegacioni kosovar të nivelit të lartë në takimin inicial ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë. Zoti Thaçi tha se konsulta e tij e sotme me zotin Holkeri dhe konsultimet e ditëve të ardhshme do të japin rezultat:
"Jam optimist se institucionet e Kosovës do të marrin një vendim të arsyeshëm, të përgjegjshëm dhe thjesht një vendim të afirmimit pozitiv të Kosovës," tha kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas të cilit këtë vendim së shpejti do ta bëjnë të ditrur Kuvendi dhe qeveria e Kosovës. Në të vërtetë, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, që vjen nga partia e zotit Thaçi, edhe dje pas një takimi me ish-emisarin amerikan Richard Holbrooke ka thënë se pozicioni i tij nuk kishte ndryshuar, dhe se nuk do të shkonte në takimin e Vjenës pa miratimin paraprak të Kuvendit të Kosovës. Përndryshe, zoti Holbrooke, dje u ka thënë liderëve shqiptarë se bisedimet teknike janë të rëndësishme edhe për të ardhmen që Kosova dëshiron për vete dhe se mosshkuarja do të ishte një gabim.
Ndërkohë, është bërë e ditur se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë synon të sigurojë pajtueshmërinë e tre liderëve nënshkrues të marrëveshjes për bashkëqeverisje për këto bisedime dhe zoti Holkeri në këtë kuadër ka thënë se miratimi i Kuvendit nuk është i nevojshëm. I pyetur nëse nënshkrimi i tre liderëve do të mund ta zëvendësonte vendimin e Kuvendit për këtë çështje, zoti Thaçi u përgjigj:
"Institucionet e Kosovës, thjeshtë qeveria është qeverisje e një koalicioni të gjerë të spektrit politik të fuqishëm shqiptar dhe minoritar dhe besoj se ky konsensus do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen, në të mirë të qytetarëve të Kosovës."
Në anën tjetër, kryerparlamentari Nexhat Daci, duke u shprehur në favor të fillimit të bisedave teknike ka paralajmëruar takime intensive gjatë këtyre ditëve me shefat e tre grupeve parlamentare, LDK-së, PDK-së dhe AAK-së për të të siguruar një konsensus paraprak para 9 tetorit kur mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet t’i jepet përgjigja përfundimtare qeverisë lidhur me kërkesën e saj për një qëndrim politik të Kuvendit lidhur me bisedimet teknike me Beogradin.


XS
SM
MD
LG