Ndërlidhjet

R. HARADINAJ: BISEDIMET NË VJENË JANË IMPROVIZIM


Ramush HARADINAJ, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, Kosova këto ditë po ballafaqohet me presion dhe kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare për të marrë pjesë në takimin e Vjenës. Ju dhe partia juaj duket se jeni konsekuentë në qëndrimin për të refuzuar pjesëmarrjen. Cilat janë shkaqet e këtij pozicionimi?

RAMUSH HARADINAJ
Ne jemi ndodhur përballë një kërkese për të marrë pjesë në një takim sikurse është thënë të hapjes së bisedave teknike. Unë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që me kohë kemi shprehur gadishmërinë që në një të ardhme të fillojmë bisedat për çështje konkrete, pra biseda për çështje teknike. Takimi i parë i tillë i nivelit politik, nuk ka qenë i paraparë në projektin fillestar. Inicimi i takimit të tillë të nivelit më të lartë, pa përgatitjet e duhura dhe sidomos pa agjendën dhe pa qartësitë e nevojshme, është një improvizim dhe është një përzierje e koncepteve, ose pikëpamjeve tona për biseda teknike dhe për një takim të tillë të nivelit politik. Mirëpo arsyeja kryesore që ne e ndiejmë veten të papërgatitur që të hyjmë në angazhime të tilla, ku ka dhe prezencë të bashkësisë ndërkombëtare, është niveli i institucioneve të Kosovës, konkretisht i institucioneve të Kosovës me kapacitet të përgjysmuar. Ne kemi kërkuar në vazhdimësi nga bashkësia ndërkombëtare, UNMIK-u prezent në Kosovë që të vazhdojë procesi i ndërtimit të institucioneve të Kosovës, mirëpo këtu ka ngecje. Pra jemi ndodhur përpara mospërfilljes së kërkesës sonë për ndërtimin e mëtejshëm të kapaciteteve të institucioneve të Kosovës dhe befasisë së improvizimeve të vazhdueshme rreth bisedave dhe rreth takimit të Vjenës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, cilat janë ato kushte që duhen përmbushur që Aleanca të japë pëlqimin për pjesëmarrjen në bisedimet e Vjenës?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se primare është ndërtimi i kapaciteteve të institucioneve të Kosovës, veçanërisht të qeverisë së Kosovës. Meqënëse përfaqësuesit më të lartë të Kosovës, liderët e institucioneve, por edhe të partive politike, që nga takimi i parë do të marrin edhe angazhime, ne duhet të jemi të ndërtuar, pra të përgatitur që të jemi palë serioze. Mendoj se është më mirë për ne të mos fillojmë sesa të fillojmë në këto rrethana, kur nuk jemi të ndërtuar dhe nuk kemi kapacitet për të qenë palë. Pra mendojmë se parakushti i parë është ndërtimi i kapaciteteve të nevojshme të institucioneve të Kosovës, ndërsa e konsiderojmë të rëndësishme edhe vetë qartësimin, pra një plan se si do të zhvillohen këto biseda, me të gjitha detajet e nevojshme, por sidomos edhe kush do të jetë i përfshirë, apo kush do t'i udhëheqë në vazhdimësi këto biseda. Ne shprehim papajtueshmërinë tonë që kryeadministratori i Kosovës, zoti Holkeri të jetë në të njëjtën kohë udhëheqës i delegacionit të UNMIK-ut nga Kosova dhe të jetë edhe ndërmjetësues, udhëheqësi i këtyre bisedave. Meqënëse këto biseda fillojnë me nivelin politik dhe është thënë haptazi se këto do të vazhdojnë dhe do të shkojnë deri tek zgjidhja e statusit final, ne mendojmë se pikërisht për këtë ndërmjetësues duhet të jetë një faktor serioz ndërkombëtar dhe mendojmë përfaqësues të qeverisë së SHBA-ve. Kemi dhënë një pamje nga ana jonë. Si do të ndodhë pas takimit të parë, kush është më tutje adresa të cilës ne do t'i drejtohemi, qoftë për pyetje, për sugjerime për kërkesa? Ne kërkojmë pra një ndërmjetësues serioz dhe meqënëse bota, gjatë angazhimit rreth Kosovës ka qenë e prirur nga SHBA-të, mendojmë se i takon SHBA-ve dhe e konsiderojmë të domosdoshme që të ndodhë kështu.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, një nga udhëheqësit e Aleancës dje ka thënë se ju jeni të gatshëm të tërhiqeni edhe nga qeveria, në mbrojtje të këtij pozicionimi, pra të mospjesëmarrjes në takimin e Vjenës.

RAMUSH HARADINAJ
Qëndrimi ynë është mbështetës i institucioneve të Kosovës në angazhimet në Kosovë. Sa i përket kësaj çështjeje, kjo është e një karakteri tjetër, pra pjesëmarrja në biseda. Ne asnjëherë nuk do heqim dorë nga përgjegjësitë që kemi në Kosovë, për të ndihmuar në efikasitetin e qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës, por nuk do t'i japim mbështetje, ose nuk do të marrim pjesë në veprime, të cilat nuk i njohim. Pra nuk do të bëjmë një fillim, i cili nuk do të na sjellë dhe një mbarim të suksesshëm.

Intervistoi Melazim Koci

XS
SM
MD
LG