Ndërlidhjet

VENDET E KUINTIT ANGAZHOHEN PËR MBAJTJEN E BISEDIMEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pas ftesës që kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri, u ka dërguar drejtuesve të institucioneve të Kosovës, përfaqësuesve të pakicave dhe partive politike, për të marrë pjesë në takimin e Vjenës, që do të shënonte fillimin e bisedave teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përfaqësuesit e pesë zyrave diplomatike perëndimore, të njohur si Kuinti, kanë lëshuar një deklaratë, në të cilën thuhet se "ne besojmë se ky është një hap i rëndësishëm drejt arritjes së standardeve, për të mundur të adresohet statusi përfundimtar i Kosovës, e në këtë kuadër, takimi i Vjenës, ofron një mundësi unikate për të ndërtuar imazhin pozitiv të Kosovës në gjithë botën".
Duke theksuar se liderët e Kosovës nuk do të jenë të vetmuar në Vjenë, pasi atje marrin pjesë edhe Solana, Robertson, Patten dhe përfaqësues amerikanë, Kuinti thotë se bashkësia ndërkombëtare do të përkrahë fuqishëm të gjitha zgjidhjet që janë në interesin e Kosovës.
Ndërkohë, zyrtarë të UNMIK-ut, sot kanë bërë të ditur se zoti Holkeri u ka dërguar ftesa për të marrë pjesë në takimin e Vjenës, kryetarit Rugova, kryeministrit Rexhepi, kryeparlamentarit Daci, koordinatorit ndërministror Todoroviç, Ministres së Shëndetësisë Mumxhiu, si përfaqësuese e pakicave joserbe, si dhe nga një ftesë Thaçit e Haradinajt, për të emëruar nga një ministër nga partitë e tyre, që do të merrte pjesë në bisedime, por pa mundësinë që në bisdime të marrin pjesë vetë Thaçi apo Haradinaj.
Holkeri gjithashtu u ka dërguar ftesë edhe zyrtarëve serbë, Maroviç, Svilanoviç, Zhivkoviç e Çoviç.
Ndërkohë, zoti Holkeri pas këtyre ftesave, ka biseduar në takime të veçanta me kryeministrin Rexhepi, kryetarin e PDK-së, Thaçi dhe me kryetarin e AAK-së, Haradinaj.
Pas takimit, kryeministri Rexhepi tha se është i gatshëm të bartë të gjitha pasojat e mosshkuarjes në Vjenë, në rast se parlamenti nuk jep miratimin paraprak për këtë, pavarësisht nga ftesa e zotit Holkeri.
"Nëse respektohet vendimi i parlamentit, nëse është pozitiv do të marr pjesë, nëse është negativ, qysh tash mund të konsiderohet se ftesa refuzohet".
Edhe Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, parti nga e cila vjen edhe kryeministri Rexhepi, tha se do ta respektonte vetëm vendimin që do ta jepte parlamenti, pasi çështja e dialogut nuk është çështje e një lideri partiak apo e një partie:
"Askush nuk mund ta tejkalojë Kuvendin e Kosovës për pjesëmarrje apo jo në takimin e Vjenës".
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se qëndrimi i tij ka mbetur i pandryshuar, edhe pse zoti Holkeri e ka zgjeruar grupin negociator të Kosovës me ministra nga PDK dhe AAK. Zoti Haradinaj tha se qëndrimi i tij mund të ndryshojë vetëm nëse ndërkohë plotësohen kapacitetet e qeverisë me ministritë e kërkuara:
"Mirëpo do të ishim shumë të gëzuar nese bashkësia ndërkombëtare dhe Holkeri do të mund të shënonin zhvillime pozitive me kompletimin e qeverisë me ministritë e nevojshme. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, atëherë natyrshëm se 14 tetori do të jetë i parealizueshëm për ne".
Në këtë mënyrë, e enjtja do të jetë dita e vendimit përfundimtar për shkuarje apo jo në Vjenë, ndërsa zoti Holkeri nesër në mëngjes do t’u drejtohet qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë çështje.



XS
SM
MD
LG