Ndërlidhjet

HOLKERI: DERA E BISEDIMEVE TË VJENËS ENDE NUK ËSHTË MBYLLUR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri, u ka bërë sot edhe një herë thirrje udhëheqësve kosovarë që të marrin pjesë në fillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit më 14 tetor në Vjenë. Zoti Holkeri, është paraqitur para mediave me një deklaratë të tij, menjeherë pas mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, ku edhe sot nuk është marrë asnjë vendim lidhur me dialogun. Mungesa e qëndrimit të Kuvendit dhe deklarimi i kryeministrit Bajram Rexhepi dhe të tjerëve që mendojnë si ai, se nuk do të shkojnë në Vjenë pa vendimin e këtij institucioni, është komentuar kështu nga Holkeri:
“Koha po kalon, kurse ne duhet t’i bëjmë përgatitjet e duhura”, tha Holkeri për të shtuar se dera mbetet e hapur për të ftuarit e tij që të marrin pjesë në takimin e Vjenës.
Më pas shefi i UNMIK-ut kërkoi që lidershipi kosovar të tregojë aftësi që të marrë, si tha ai, edhe vendime të vështira, siç është shkuarja në bisedime me Beogradin. Sipas Holkerit bisedimet duken të vështira për shkak të së kaluarës, por pavarësisht këtij fakti, ai kërkoi nga liderët kosovarë që të marrin përgjegjësi dhe të plotësojnë këtë standard të paracaktuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Duke iu përgjigjur kërkesave të kosovarëve për kompletimin e qeverisë me shtimin e kompetencave, në mënyrë që ajo të jetë palë e barabartë në bisedimet me Beogradin, Holkeri ka konfirmuar edhe zyrtarisht që në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe funksionalizimit të pushtetit vendor, që nga viti i ardhshëm qeveria e Kosovës do të ketë kompetenca shtesë në politikën e jashtme dhe në fushën e energjetikës.

“E di se unë jam duke punuar me ata njerëz, të cilët i kanë dhe përgjegjësitë e tyre, të cilët i kanë dhënë dikujt premtimet e tyre, si dhe të cilët duhet t’i tejkalojnë sfidat që i kanë para vetës”, tha Holkeri, për liderët vendorë, duke shtuar se dialogu nuk është e vetmja çështje që e ka shtyrë atë që t’i zgjerojë kompetencat për vendorët.
Holkeri nuk përmendi ndonjë datë deri kur kosovarët duhet t’i përgjigjen ftesës së tij, por burime nga kjo administratë kanë pohuar se deri më sot asnjëri prej kosovarëve të ftuar nuk është përgjigjur zyrtarisht nëse do të marrë pjesë në takimin e Vjenës. Të njëjtat burime kanë përsëritur se mesdita e nesërme është afati i parë kur të ftuarit nga Holkeri duhet t’i japin përgjigjet e tyre.



XS
SM
MD
LG