Ndërlidhjet

VJENË


Bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Unionit Serbi-Mali i Zi, kanë filluar pikërisht në orën 9 e 15 minuta në pallatin Hofburg në Vjenë, kurse takimin e hapi kancelari i Austrisë Volfgang Schyssel.
Delegacionet që përfaqësuan Prishtinën dhe Beogradin, në takimin në Vjenë shpërfaqën qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket të ardhmes së Kosovës.
Kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë e cila do të qetësonte Ballkanin dhe Evropën në përgjithësi, kurse zëvendëskryeministri i Serbisë, Nebojsha Çoviq, takimin e sotëm në Vjenë e cilësoi si takim i dy delegacioneve të një shteti.
"Një Kosovë demokratike, paqësore, e pavarur dhe e integruar në BE e NATO dhe në miqësi permanente me SHBA… është në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe do t'a qetësonte rajonin e Evropës Juglindore", tha Rugova.
Ai ka theksuar se Kosova është e gatshme t'i pranojë të gjitha obligimet ndërkombëtare që do të rridhnin nga pranimi i shtetësisë.
Ibrahim Rugova e ka paraqitur takimin e Vjenës si një përpjekje të Kosovës për të ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët.
Ky takim është i pari prej përfundimit të luftës e këndej, ku në tryezën ovale u ulën përballë delegacioni i Kosovës, që përfaqësohej nga kryetari Ibrahim Rugova, kryeparlamentari Nexhat Daci dhe shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri dhe delegacioni nga Beogradi, që përfaqësohej nga kryeministri serb Zoran Zivkovic dhe zëvendësi i tij Nebojsa Çoviq.
Kryeministri serb shfaqi dëshpërimin me bashkësinë ndërkombëtare, shkaku i numrit të vogël të serbëve të kthyer në Kosovë. Ai tha se e vetmja gjë e mirë e takimit është fakti se të dy palët janë ulur në një tavolinë.
Nebojsha Çoviq tha se takimi nuk paraqet fillim të dialogut sepse delegacioni kosovar nuk është shumëetnik.
Përveç dy delegacioneve, në takimin e sotëm në Vjenë kanë marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Javier Solana, komisioneri evropian, Chris Patten, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Larry Rosin, ambasadori amerikan në Beograd, William Montgomery, shefja e Zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries etj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG